E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjet dhe kujtesa historike

Në tetor 2007, Parlamenti spanjoll miratoi një Ligj të Kujtesës Historike (Ley de Memoria Histórica), i cili ndalon mitingjet dhe përkujtimoret në nderim të diktatorit të ndjerë, Francisko Franko (Francisco Franco). Regjimi i tij falangist do të gjykohet zyrtarisht dhe spanjollët do të nderojnë viktimat e këtij regjimi diktatorial.
Ka arsye bindëse që kanë kushtëzuar miratimin e një ligji të tillë. Shumë njerëz të vrarë nga fashistët gjatë Luftës Civile të Spanjës, ndodhen në varreza të përbashkëta anonime. Ekziston një shkallë e sigurt nostalgjie për diktaturën e Frankos nga ana e së djathtës ekstreme. Në fillim të vitit 2007, ithtarë të Frankos u mblodhën rreth varrit të tij dhe këndonin: "Ne fituam luftën civile!" (

Nosotros ganamos la guerra civil!), ndërkohë, sulmonin socialistët dhe të huajt, në veçanti, myslimanët. Të gjitha këto ishin arsye të mjaftueshme për Kryeministrin socialist të Spanjës, Hose Luis Rodriges Zapatero (José Luis Rodríguez Zapatero), ta trajtonte me ligj eksorcimin e demonëve të diktaturës në të mirë të demokracisë.
Por legjislacioni nuk është instrument efikas për të trajtuar historinë. Ndonëse askush nuk mund të ndalojë gjykimin e së kaluarës historike të Spanjës, ka rëndësi të mos shkohet shumë larg me ndalimin e ceremonive, që lidhen, sidoqoftë, me të kaluarën. Sigurisht, dëshira për të kontrolluar si të kaluarën, ashtu dhe të tashmen, është tipar i përbashkët i diktaturave. Kjo mund të bëhet me anën e një propagande false, duke shtrembëruar të vërtetën ose fshehur faktet. Në Kinë, kujtdo që i shkon në mendje të dijë se çfarë ka ndodhur në sheshin Tiananmen (dhe në shumë vende të tjera) në qershor 1989, menjëherë do ta shohë veten në krahët e fuqishëm të Policisë Sekrete të Shtetit. Në fakt, shumë gjëra që kanë ndodhur gjatë sundimit të kryetarit Mao mbeten tabu.
Gjithsesi, Spanja është vend demokratik. Ngandonjëherë plagët e së kaluarës janë kaq të freskëta saqë, madje, qeveri demokratike qëllimisht imponojnë heshtje për hir të unitetit të kombit. Kur Sharl de Goli (Charles de Gaulle) ringjalli Republikën Franceze pas Luftës II Botërore, ai kaloi në heshtje historinë e Francës së Vishisë (Vichy) dhe bashkëpunimin me nazistët, duke pretenduar se të gjithë qytetarët francezë kishin qenë patriotë të mirë republikanë. 

Më tepër fakte të vërteta historike gjetën pasqyrim në filmin dokumentar të 1968-ës të Marsel Ofylsit (Marcel Ophüls) me titullin "Brenga dhe mëshira" (The Sorrow and the Pity / Le chagrin et la pitié), por gjithçka ishte bërë që sa më pak njerëz të dinin për to. Filmi i Ofylsit nuk u shfaq në televizionin shtetëror francez deri në vitin 1981. Pas vdekjes së Frankos më 1975-ën, me të njëjtën maturi, Spanja trajtoi historinë e saj të paradokshme.
Por kujtesa është gjithmonë brenda nesh. Një brez i ri në Francë, i lindur pas luftës, theu heshtjen publike me një lumë librash dhe filmash mbi bashkëpunimin e francezëve gjatë Holokaustit, si dhe me regjimin e Vishisë, ndërkaq, herë-herë shumë ngushtë. Historiani francez, Anri Ruso (Henri Russo) e cilësoi këtë qëndrim të ri si "Sindromë të Vishisë" (Syndrome de Vichy).
Me sa duket, në Spanjë po ndodh diçka e ngjashme. Fëmijët e viktimave të Frankos e shkelën heshtjen që mbanin për një kohë të gjatë prindërit e tyre. Papritur, Lufta Civile është kudo: në libra, show televizivë, filma, seminarë akademikë dhe tani, gjithashtu, në legjislacion.

Kjo nuk është vetëm dukuri evropiane. Nuk ka as shenjë autoritarizmi tinëzar. Përkundrazi, kjo ndodh shpesh kur situata shoqërohet me zhvillime demokratike. Kur në Korenë e Jugut ishin në pushtet ushtarakët, çdo diskutim i çështjeve lidhur me kolaboracionizmin e koreanëve me regjimin kolonial japonez në gjysmën e parë të shekullit të njëzet, ishte i ndaluar, pjesërisht, sepse disa ushtarakë, në veçanti i ndjeri Park Çun Hi, ishin gjithashtu kolaboracionistë. Tani, kur në pushtet ndodhet presidenti Ro Mu Hen, pas miratimit të një Ligji të ri për të Vërtetën dhe Pajtimin, sërish filluan të dalin në shesh ankesa brengosëse historike, por që gjithashtu çuan në gjueti të ish-kolaboracionistëve.
U hartuan lista të njerëzve, që luajtën rol të rëndësishëm gjatë regjimit kolonial japonez, duke filluar nga profesorë universitetesh, deri te shefa policie; dhe duke u shtrirë madje deri të fëmijët e tyre, gjë që pasqyron besimin konfucian se familjet janë përgjegjëse për sjelljen e pjesëtarëve të tyre. Fakti që shumë pjesëtarë familjesh, përfshirë dhe Geon-Hi, të bijën e Park Çun Hi, mbështesin Partinë opozitare Konservatore, sigurisht, nuk është koincidencë.
Kur hapen faqe të historisë së kaluar për publikun e gjerë, kjo, padyshim, është dëshmi e një shoqërie të hapur. Por kur këtë gjë e bëjnë qeveritë, atëherë historia mund të shndërrohet lehtë në një armë e cila mund të përdoret kundër oponentëve politikë dhe, për rrjedhojë, historia në këtë rast mund të dëmtojë po aq sa dhe ndalimi i informacioneve historike. Kjo është një arsye e mirë për t'ua lënë debatet historike shkrimtarëve, gazetarëve, kineastëve dhe historianëve.

Ndërhyrja e qeverisë është e përligjur vetëm kur ajo ka karakter të kufizuar. Shumë vende kanë miratuar ligje që ndalojnë njerëzit të nxisin të tjerët të kryejnë veprime të dhunshme, ndonëse disa vende kanë shkuar më tej. Për shembull, ideologjia dhe simbolet naziste janë të ndaluara në Gjermani dhe Austri, kurse mohimi i Holokaustit konsiderohet krim në 13 vende, përfshirë Francën, Poloninë dhe Belgjikën. Në vitin 2006, Parlamenti i Francës miratoi një ligj, që dënon gjithashtu gjenocidin ndaj armenëve.
Por, madje, nëse ndonjëherë maturia e skajshme është e kuptueshme, mundet, megjithatë, të mos jetë gjë e mençur, në parim, të ndalosh shprehjen e pikëpamjeve të neveritshme ose thjesht ekscentrike të së kaluarës. Në qoftë se ndalohet shprehja e opinioneve të caktuara, pavarësisht sa perverse qofshin ato, atëherë, si rezultat i kësaj, ithtarët e tyre kthehen në disidentë. Para disa kohësh, shkrimtari britanik Dejvid (David) Irving , i cili ishte burgosur në Austri për mohim të Holokaustit, pati një shkëlqim të çuditshëm në mbrojtjen e lirisë së fjalës, në një debat në Klubin e Diskutimeve "Oxford Union".
Ndonëse Lufta Civile në Spanjë nuk ka të krahasuar me Holokaustin, gjithsesi, të paktën, historia e hidhur lë shteg për interpretim. E vërteta mund të gjendet vetëm nëse njerëzit janë të lirë ta kërkojnë. Shumë guximtarë kanë rrezikuar - ose kanë humbur - jetën në mbrojtje të kësaj lirie. Është plotësisht e kuptueshme që një shtet demokratik të përpiqet të demaskojë një diktaturë dhe, në këtë plan, ligji i ri spanjoll është parapërgatitur në mënyrë të kujdesshme, duke pasur parasysh shumë aspekte; por, gjithsesi, është më mirë të lihen njerëzit të shprehin lirshëm simpatitë politike, qofshin të papranueshme, meqenëse ndalimet ligjore vetëm pengojnë mendimin e lirë dhe kurrsesi nuk kontribuojnë në zhvillimin e tij.

*Ian Buruma është profesor i të Drejtave të Njeriut në "Bard College". Libri i tij i fundit titullohet "Vrasje në Amsterdam: Vdekja e Teo van Gogut (Theo van Gogh) dhe caqet e tolerancës" (Murder in Amsterdam: The Killing of Theo van Gogh and the Limits of Tolerance).
Përktheu: Vladimir Mustaqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›