E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazsjellësi, qeveria nënshkruan marrëveshjen me Greqinë

 Kryeministri Sali Berisha, tha gjatë mbledhjes së qeverisë, se marrëveshja do të firmoset nga Shqipëria dhe se në fillim të tetorit do t’i propozohet Bashkimit Evropian.

“Sot ne vendosim të miratojmë në parim marrëveshjen bilaterale të Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, për projektin më të madh të këtyre 20 viteve të fundit për të mos thënë këtyre 100 viteve të fundit në rajon, që është gazsjellësi transballkanik që do të sjellë gazin e detit Kaspik nëpërmjet territorit të Turqisë, Greqisë, Shqipërisë, në Itali dhe në Europën Perëndimore”, tha Berisha. Sipas kryeministrit, projekti ka një rëndësi strategjike për ekonominë e vendit. “Ky është projekti më fizibël nga të gjitha projektet e tjera. Ndaj, është një moment shumë i veçantë. Në Shqipëri ky është një investim rreth 2 miliardë euro. Qeveria shqiptare po punon për të zhdukur çdo pengesë burokratike, në mënyrë që Gazsjellësi të ndërtohet në një kohë rekord dhe të inaugurohet në prag të mandatit tjetër 2017. I kemi të gjitha mjetet dhe mundësitë”, shtoi ai.

Berisha bëri të ditur edhe një vendim tjetër me rëndësi, atë për ndërtimin e dy hidrocentraleve mbi lumin Devoll. “Vendim tjetër është fillimi i shpronësimeve për veprën energjetike më të madhe të Shqipërisë, kaskadën e Devollit. Dy gjigantë të energjisë së rinovueshme në Evropë dhe në botë, EVN-ja e Austrisë dhe një kompani e Norvegjisë, pas studimeve të gjithanshme. Puna fillon intensivisht në vitin 2013. Ju e shihni çfarë viti i mbarë është ai vit, dy projektet e shekullit dhe zgjedhjet. Vendim tjetër me rëndësi për qytetin e Elbasanit, për krijimin e zonës ekonomike. Kjo përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm. Krijimi i zonës ekonomike është një sipërmarrje e mirë për Elbasanin dhe për Shqipërinë”, tha kreu i qeverisë.

Berisha iu përgjigje edhe akuzave të opozitës për situatën ekonomike në vend. “Dua të qartësoj qytetarët shqiptarë se një propagandë nxitëse e një ziliqari, po bëhet këto kohë në drejtim të ekonomisë së vendit. Unë kam të dhëna që faktojnë gjallërinë dhe vitalitetin e ekonomisë tonë. Ky zotëro ka vetëm dy mekanizma që mendon se vjen në pushtet: i pari janë pazaret. Unë jam njeri i parimeve dhe jo i pazareve dhe ai duhet të heqë dorë. “Unë dalë nga ligji për Gjykatën Administrative, po s’më dhe këtë”. Ditën që u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste, dy nga ekonomistët kryesor thanë: ç’e deshi ky këtë post? Tjetri iu përgjigj: ai mori bankën më të madhe të Ballkanit”, vijoi. Koncepti i dytë-sipas Berishës-janë trillimet. “Dëgjoi që në Greqi kanë falimentuar 30 mijë biznese dhe doli të nesërmen e tha që në Shqipëri kanë falimentuar 30 mijë biznese. Në këto 8 muaj, në Qarkun e Tiranës janë rritur rreth 6 mijë biznese”, u shpreh ai. /Start/

                                                                                             2012-09-26 12:35
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›