E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i Gj. së Lartë, Cannon: Të veprohet si me imunitetin

Deklarata vjen nga ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Cannon, i cili shton se është optimist për miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë.

Cannon shprehet se përvoja e afërt në marrëdhëniet mazhorancë-opozitë në miratimin e ligjeve, ka dëshmuar se rezultatet kanë qenë pozitive.

"Kemi parë në të kaluarën e afërt që ka pasur debat mjaft të ashpër dhe aktiv për një sërë çështjesh të legjislacionit por në fund palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për çështjen e imunitetit, për çështjen e Kodit Elektoral. Shpresoj të bëjnë të njëjtën gjë në të tjerat pjesë të legjislacionit dhe në veçanti për ligjin për Gjykatën e Lartë", deklaroi Cannon për “AS”.

Ambasadori britanik tha se legjislacioni i miratuar vitin e fundit është mjaft pozitiv në orientimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ai deklaroi se  drejtimi i marrë është pozitiv dhe se do të jetë progres raporti i Komisionit Evropian që do të përcaktojë vendimin final. Sipas tij, integrimi është një proces ku Shqipëria do të vlerësohet mbi bazë meritash.

"Komisioni vendosi prioritet kyçe dhe tani pret të shohë progres të qenësishëm të këtyre prioriteteve. Sigurisht që është bërë progres. Megjithatë i takon Komisionit të bëjë vlerësimet nëse ka patur mjaftueshëm progres në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, këtë vit", tha ambasadori.

Në takim me përfaqësues të shoqatës së kryetarëve të komunave shqiptare, Cannon i bëri thirrje mazhorancës dhe opozitës të bëhen pjesë e zgjidhjes në çështjen e qarkut të Fierit.

"Jam në dijeni të situatës sikundër edhe diplomatët e tjerë këtu. Ne i bëjmë thirrje dy partive, mazhorancës dhe opozitës që të shikojnë këtë çështje", tha Cannon.

Gjatë takimit, ambasadori foli për sfidat e pushtetit vendor në procesin e integrimit si dhe për rolin e politikës në këtë proces. Autonomia e pushtetit vendor ishte në vëmendjen e ambasadorit si një ndër çështjet që ndikojnë në mbarëvajtjen e qeverisjes në Shqipëri dhe në procesin e integrimit gjithashtu. /Start/

                                                                                             2012-09-26 15:56
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›