Gecaj: “Uji në Tiranë nuk ka ndotje bakteriale”
Qytetarët e Tiranës furnizohen me ujë të pastër, pa ndotje bakteriale. Pas një vere të nxehtë dhe me ndotje bakteriale të ujit që furnizonte pallatet, tashmë është arritur që rrejti i ujësjellësit të funksionojë në të gjitha zonat e kryeqytetit.
Autoriteti Rajonal Shëndetësor i Tiranës, ka kryer monitorimet e ujit të pijshëm në të gjitha pikat e ujësjellësit dhe nga rezultatet del se uji i pijshëm për muajin e fundit ka rezultuar i pastër. Drejtori i ASHR-së, Mhill Gecaj, u shpreh se gjendja e furnizimit me ujë është e mirë, bazuar në monitorimin e inspektorëve tanë të Drejtorisë së Shëndetit Publik, bashkë me Drejtorinë e Ujësjellësit. Sipas tij, monitorimi përfshin pikat fundore në hyrje dhe në dalje, për të parë sasinë e klorit, e cila duhet të jetë në parametra optimalë, që qytetarët të marrin një ujë të pastër, pa ndotje. Aktualisht, klori mbahet në sasinë dhe parametrat normal që janë përcaktuar nga Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me organizma të tjerë shëndetësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që janë 1 miligram për litër. Një ndër problemet kryesore që bëhet shkak për ndotje është ai i pus-shpimeve, të cilët janë ndërtuar rreth 25-30 vjet më parë dhe herë pas here paraqesin ndotje. Sipas Gecajt pus-shpimet janë ndërtuar rreth 3 dekada më parë dhe në atë në territorin ku ato ndodhen nuk ka pasur pranë tyre banesa. Ndërsa sot pranë puseve janë ndërtuar shtëpi apo objekte të tjera të cilat bëhen shkak për ndotjen e ujit.
Fluks pacientësh në spitale, poliklinikat 2 ditë pushim për vizitat
Fundjava shton numrin e qytetarëve që drejtohen për kryerjen e vizitave. Fluksi i madh i qytetarëve shkaktohet, pasi në dy ditët e fundjavës poliklinikat i kanë vënë “kyçin” derës. Për këtë arsye mjekët sqarojnë se në QSUT ka dyndje pacientësh për të kryer vizita tek ata pak mjekë që punojnë gjatë fundjavës edhe në këtë qendër spitalore. Sipas tyre, dyndja e tyre është një dyndje “false”, pasi jo të gjithë e kanë të nevojshëm trajtimin e menjëhershëm tek mjeku specialist. Pacientët duhet që të drejtohen si fillim tek mjeku i lagjes dhe më pas të drejtohen në qendra më të mëdha spitalore. Mjekët shprehen se qytetarët vijnë tek specialisti për shqetësimin më të vogël. Ndërkohë që në këtë qendër duhet të drejtohen pacientët që janë në gjendje më të vështirë shëndetësore. Njëkohësisht, pasi të kenë mbaruar vizitat tek mjekët e lagjeve dhe në poliklinika dhe me rekomandimin e tyre të drejtohen tek specialisti.
11 Tetor 2008