Mesatarja jashtë funksionit për master-at te Politekniku
Emanuela Sako
Studentët e Fakultetit Politeknik që do të kryejnë master-in e nivelit të dytë, pranë këtij fakulteti, duhet të regjistrohen një javë me vonesë. Dita e parë e fillimit të vitit akademik në të gjithë fakultetet nuk do të jetë e njëjtë dhe për studentët e Politeknikut. Rektori i këtij universiteti, Jorgaq Kaçani, sqaroi se të gjithë studentët e Fakultetit Politeknik që kanë mbaruar sistemin 3- vjeçar dhe kërkojnë të kryejnë master-in e nivelit të dytë duhet të bëjnë regjistrimet paraprake. Studentët e Politeknikut kanë të drejtën që të vazhdojnë 2- vjeçarin pa kapërcyer asnjë kriter. I vetmi kriter që ata duhet të plotësojnë është pagesa e tarifës së përcaktuar për ndjekjen e fakultetit për master-in e nivelit të dytë.
Kriteret
Ndryshe nga fakultetet e tjera në të gjithë vendin, Fakulteti Politeknik nuk ka si kriter kryesor të pranimit të studentëve mesataren mbi 8. Kriteri i vetëm për të vazhduar master-in dy vjeçar në këtë fakultet është tarifa që duhet të paguajë çdo student në momentin e regjistrimit. Tarifa e regjistrimit është 20 për qind më shumë sesa pagesa që duhet të paguajnë studentët në sistemin 3-vjeçar. Për këtë arsye shumica e studentëve të këtij fakulteti kanë kërkuar të kryejnë regjistrimet për fillimin e master-it të nivelit të dytë. Fakultetet e tjera të vendit kanë vendosur si kriter bazë mesataren, e cila lëviz në varësi të kërkesave për çdo fakultet. Sipas pedagogëve, limiti i fundit i lejuar i notës mesatare të lëndëve për pranimin e studentëve në kryerjen e master-it, është mesatarja 7.5 e lëndëve vjetore.
Politekniku
Fakulteti Politeknik ofron rregulla të reja edhe për studentët që duhet të ndjekin studimet e larta, ku një prej tyre është marrja e arsimimit nëpërmjet “Edukimit në distancë”. Kështu, vetëm 40 studentë do të mundin t’i ndjekin studimet e larta në Universitetin Politeknik të Tiranës, sipas sistemit të “Edukimit në distancë”. Ndërkohë që këto studime pritet të kenë edhe çmimet më të kripura të studimit në këtë universitet, ku një vit shkollimi do të kushtojë 60 mijë lekë. Rektori i këtij universiteti, Jorgaq Kaçani, e argumenton këtë tarifë me faktin se studentët duhet të paguajnë vetë të gjitha shpenzimet, dhe këtë vit do të aplikohen studimet me projektorë, që do të thotë se studimet mund të ndiqen edhe në largësi nëpërmjet kompjuterit. Universiteti Politeknik, nga vetë karakteri i studimeve që ka dhe i diplomave që nxjerr, nuk ka studime me kohe të pjesshme. Megjithatë, ata që dëshirojnë të ndjekin studimet në degët e Politeknikut, por nuk kanë mundësi të jenë të qëndrojnë kohën në auditorë, mund të ndjekin një lloj të ri studimi, që është: “Edukimi në distancë”. Për sistemin e “Edukimit në distancë” janë dërguar propozimet në Ministrinë e Arsimit dhe pritet një përgjigje që të hapen degët si gjithë degët e tjera. Një vit më parë, sistemi edukimit në distancë është ndjekur edhe në degën e Teknologjsië së informacionit. Ndërsa këtë vit, është hequr “Edukimi në distancë” në këtë degë, për arsye se këtë vit, numri i pranimeve në këtë degë për sistemin me kohë të plotë është i lartë. Kjo ka bërë që drejtuesit e Politeknikut të mos e shohin të arsyeshme që të hapet “Edukimi në distancë” në këtë degë. Gjatë vitit të kaluar, fituan të drejtën në këtë lloj studimi rreth 150 maturantë. Deri tani, shkollat shqiptare të edukimit në distancë funksionojnë në dy drejtime: informatike dhe telekomunikacion, duke përgatitur për çdo vit rreth 20 diplomantë.
11 Tetor 2008