E Diel, 1 Nëntor 2026

Vladimir Beja: “Tom Rixhi nuk i prezantoi Damir Fazlliçin dhe gruan, të cilët e shoqëronin në takimin e 6 marsit 2006”

Intervistë/ Flet ish-kapiteni i Përgjithshëm i Porteve, zoti Vladimir Beja. Beja: “Unë isha ulur në krah të njeriut më të përfolur të këtyre ditëve” . Takimi në Ministrinë e Mbrojtjes, çfarë diskutuan me Tom Rixhin ministrat Mediu, Olldashi dhe Basha

Luan Kondi

Vladimir Beja është një nga pjesëmarrësit e takimit të përfolur të 6 marsit të vitit 2006. Beja shoqëronte në atë takim ministrin e Transporteve, Lulzim Basha, nga i cili dhe varej. Tre ministra i raportonin shkurt situatën në dikasteret e tyre Tom Rixhit, ish-guvernator i Pensilvanisë, senator, ish-sekretar për Sigurinë Kombëtare të SHBA-ve me presidentin Bush, një figurë mjaft e njohur dhe me reputacion të lartë, që pas dy muajsh do të merrte detyrën e këshilltarit të kryeministrit Sali Berisha për sigurinë kombëtare. Sipas Bejës, takimi në Ministrinë e Mbrojtjes me z. Tom Rixh dhe dy personat që e shoqëronin atë ishte formal dhe në atë takim tre ministrat e asaj kohe, ai Mbrojtjes Fatmir Mediu, i Punëve të Brendshme Sokol Olldashi dhe i Transporteve dhe Telekomunikacionit Lulzim Basha, i prezantuan të gjithë personat që ata kishin marrë me vete, ndërsa Tom Rixhi, që sipas tij kishte folur shkurt, nuk e kishte parë të arsyeshme ta bënte këtë gjë.

Zoti Beja, në një foto të publikuar në media, ju rezultoni të keni qenë në një takim ku është diskutuar për çështjet e sigurisë kombëtare...
Jam fiksuar në celuloid teksa kam marrë pjesë në një takim me zotin Tom Rixh, i cili dihej se do të emërohej në detyrën e këshilltarit të kryeministrit për sigurinë kombëtare.

Cili ishte statusi juaj për të marrë pjesë në këtë takim?
Në atë kohë kryeja detyrën e kapitenit të Përgjithshëm të Porteve të Republikës së Shqipërisë, me qendër në Portin e Durrësit. Kapiteneria është një institucion që ndjek zbatimin e ligjshmërisë detare në portet e Republikës së Shqipërisë. Kapiteneria është përfaqësues i shtetit shqiptar dhe njihet nga institucionet ndërkombëtare.

Le të kthehemi te takimi. Kush ju ftoi ju zoti Beja në atë tryezë?
Në atë tryezë jam ftuar nga ministri i Transporteve të asaj kohe, zoti Lulzim Basha, pra siç ju thashë, në cilësinë e kapitenit të Përgjithshëm të Porteve.

Ku u mbajt ky takim apo tryezë, siç e quani ju?
Takimi u krye në Ministrinë e Mbrojtjes. Ishte pranverë e vitit 2006, me sa më kujtohet, duhet të ishte fillimi i marsit 2006.

Cilët ishin pjesëmarrësit e atij takimi?
Duke dashur të jem sa më i saktë, sepse kanë kaluar dy vjet e gjysmë që atëherë, them se në atë takim ishin ministri i Mbrojtjes së asaj kohe zoti Fatmir Mediu dhe vartës të tij, ku mesa mbaj mend, gjeneral major Pëllumb Qazimi, në atë kohë shef i Shtabit të Forcave të Armatosura. Po ashtu, pjesëmarrës ishte edhe ministri i Brendshëm i atëhershëm, zoti Sokol Olldashi. Më kujtohet se atë e shoqëronin ish-drejtori i Përgjithshëm Bajram Ibraj dhe në mos gaboj, drejtori i Kufirit. Një tjetër ministër pjesëmarrës ishte edhe ai i Transporteve, zoti Lulzim Basha, që shoqërohej nga zoti Osman Metalla, drejtor i Drejtorisë së Politikave të Zhvillimit të Transportit dhe nga unë. Të gjithë shoqëruesit në këtë takim u prezantuan nga ministrat e tyre.

Interesante është vendosja juaj në krahun e Damir Fazlliçit?
Takimi u zhvillua në një tavolinë ovale dhe meqenëse pala jonë ishte më e madhe në numër, mua më qëlloi të isha në krah të njërit prej dy personave që e shoqëronin Tom Rixhin në atë bisedë.

A ju kishin thënë më parë se cila do të ishte tema e bisedës?
Nuk kishte një objekt të caktuar kjo bisedë. Na thanë se do të takonim Tom Rixhin, ish-sekretar i Shtetit për Sigurinë Kombëtare të presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush, i cili flitej në shtyp se do të ishte këshilltar për sigurinë i kryeministrit Berisha. Në fakt takimi ishte formal dhe nuk zgjati më shumë se 30 minuta, ku pala shqiptare bëri prezantimin e arritjeve për mbrojtjen, rendin dhe transportin.

Si nisi mbledhja e 6 marsit 2006?
Me sa mbaj mend i pari e mori fjalën ministri i Mbrojtjes, zoti Fatmir Mediu, i cili pasi prezantoi personat që e shoqëronin, bëri një prezantim të situatës dhe të punës që po bëhej për integrimin e Forcave të Armatosura në NATO. Ai falënderoi zotin Tom Rixh për prezencën dhe vlerësoi kontributin që ai do të jepte në detyrën e këshilltarit të kryeministrit për sigurinë kombëtare. Në këtë frymë ishin edhe prezantimet e tjera. Pas zotit Mediu e mori fjalën ministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe, zoti Sokol Olldashi, që prezantoi po ashtu personat që kishin ardhur me të, u përqendrua në detyrat që ishin realizuar dhe projektet për integrimin e Policisë së Shtetit, duke përmendur këtu edhe kontributin e misioneve të huaja policore si PAMECA dhe ICITAP. Edhe zoti Olldashi e falënderoi për pjesëmarrjen në takim zotin Rixh. I treti në radhë foli ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit të asaj kohe, zoti Lulzim Basha, i cili prezantoi zotin Metalla dhe mua te Tom Rixhi dhe foli pastaj për situatën në portet dhe aeroportet e Shqipërisë. Ai e falënderoi për pjesëmarrjen dhe kontributin që do të japë zoti Tom Rixh si këshilltar për sigurinë kombëtare i kryeministrit Sali Berisha. Pas zotit Basha, pra dhe i fundit, e mori fjalën Tom Rixh, i cili i falënderoi ministrat për prezantimin e situatës, foli për sigurinë kombëtare dhe kërkoi që Shqipëria të bëjë ç’është e mundur për rritjen e shkallës së sigurisë së saj kombëtare në tërësi. Kjo ishte edhe më e domosdoshme, sepse vendi ynë aspironte për t’u integruar në strukturat euroatlantike.

Ministrat shqiptarë prezantuan vartësit e tyre, që i shoqëronin në atë bisedë. A e bëri të njëjtën gjë edhe zoti Rixh?
Tom Rixh, e thashë që shoqërohej nga dy persona, një grua që qëndronte në krahun e majtë të tij dhe një burrë, që ishte vendosur në të djathtë. Ai nuk prezantoi asnjë prej tyre dhe askush nuk i kushtoi rëndësi këtij fakti. Në të djathtë të tij na doli se pakësh qenë Damir Fazliç, e këtë e mësuam tashmë nga mediat. Në krah të tij isha unë, kjo ishte një rastësi asgjë tjetër.

Pasi mbaroi takimi ku shkoi Tom Rixh dhe personat që e shoqëronin?
Pasi u mbyll takimi mësova se tre ministrat e shoqëruan Tom Rixhin në rrugën e tij drejt kryeministrisë, ndërsa të tjerët panë punët e tyre. Unë dhe pjesëmarrësit e tjerë në takim ndenjëm dhe për pak kohë në zyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ku diskutuam probleme të bashkëpunimit ndërinstitucional.

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›