E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhen tri diplomat përfundimtare të sistemit të Bolonjës



Jonida Tashi

Zbardhet diplomat që do të marrin në fund të studimeve 3-vjeçare studentët, që vazhdojnë studimet sipas sistemit të Bolonjës. Gjithçka është bërë e ditur ekskluzivisht për gazetën “Albania” nga zëvëndësrektorja e Universitetit të Tiranës, Elsa Kone si dhe nga Drejtori i Drejtorisë së Kurrikulave dhe Standardeve në këtë universitet, Xheladin Çeka. Aktualisht, pritet vetëm firma e Ministrisë së Arsimit dhe shumë shpjet kjo diplomë do të jetë në duart e mijëra studentëve, që megjithëse kanë mbaruar 3-vjeçarin nuk kanë ende një diplomë në xhep. Por, përveç përcaktimit përfundimtar të diplomës 3-vjeçare të Bolonjës, specialistët e universiteteve kanë përcaktuar edhe modelin e diplomës së nivelit të dytë si dhe diplomën e studimeve të integruara. Zëvëndësrektorja e Universitetit të Tiranës sqaron se të tria diplomat do të kenë të njëjtin format dhe do të ndryshojnë nga njëra-tjetra vetëm nga ngjyra dhe emërtimi. Pas miratimit, që pritet të bëhet së shpejti nga Ministria e Arsimit, kjo diplomë do të regjistrohet edhe në regjistrin e diplomave. Në fund të kësaj procedure do të nis puna për shtypjen dhe shpërndarjen e saj, një proces ky që kërkon sërish kohë fizike.
Formati
Formati i diplomës së nivelit të parë, diplomës së nivelit të dytë si dhe i diplomës së studimeve të integruara do të jetë A4. Këto diploma do të ndryshojnë vetëm nga ngjyra, pasi për secilën prej tyre është përcaktuar një ngjyrë e ndryshme nga tjera si dhe emërtimi që do të kenë. Kështu, diploma e ciklit të parë 3-vjeçar do të jetë me ngjyrë të kaltër të lehtë. Ndërsa diploma e cilit të dytë dhe diploma e integruar e ciklit të dytë do të jetë me ngjyrë okër.
Përveç përcaktimit të ngjyrës, numri dy i Universitetit më të madh në vend, Elsa Kone, shprehet se diploma e nivelit të parë dhe ajo e nivelit të dytë do të përmbajë edhe suplementin. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit për përmbajtjen dhe formën e diplomës së shkollës së lartë, diplomat do të shtypen në format jo më të vogël se A4 me letër jo më të vogël se 200gr/m2. Gjithashtu, në shtypjen e diplomave do të parashikohen edhe elementë të sigurisë në letër dhe në formulimin grafik të tyre. Diploma do t’u lëshohet nga universitetet publike të vendit studentëve deri në gjashtë muaj pas përfundimit të studimeve. Ndërkohë që deri në pajisjen me diplomë të diplomantëve, universitetet janë të detyruara t’ju lëshojnë studentëve një vërtetim për diplomën e fituar, i cili duhet të jetë i shoqëruar me listën e notave.
Përmbajtja
Shkollat e larta duhet të pajisin të gjithë studentët, në përfundim të ciklit të studimeve, me diplomën përkatëse, e cila duhet të jetë e shkruar në gjuhën shqipe. Emërtimi i diplomës së fituar, sipas programeve të studimit dhe cikleve të studimit do të jetë: Diplomë e Nivelit të Parë (fusha e arsimit të kryer); Diplomë e Nivelit të dytë (fusha e arsimit të kryer); Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë (fusha e arsimit të kryer). Ministria e Arsimit në bashkëpunim edhe me propozimet e dërguara nga të gjitha universitetet publike të vendit ka përcaktuar edhe të dhënat që duhet të përmbajnë diplomat sipas sistemit të Bolonjës. Kështu, sipas udhëzimit të MASH-it, diploma e secilit student për të tria ciklet e studimet duhet të përmbajë 10 të dhëna kryesore. Përkatësisht renditja e këtyre të dhënave është: Stema e Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit dhe shkencës si dhe emblemën e institucionit përkatës të arsimit të lartë; Emërtimin “Republika e Shqipërisë”; Emërtimin e institucionit përkatës; Emrin, atësinë dhe mbiemrin e studentit; Vendin, datën, muajin dhe vitin e lindjes; Emërtimin e diplomës në fushën e arsimit të kryer; Vitin e fillimit dhe përfundimit të studimeve; Numrin e amzës së studentit (matrikullimit) dhe numrin e regjistrit të diplomës; Datën, muajin dhe vitin e akordimit të diplomës; Emrin e rektorit të institucionit të arsimit të lartë dhe dekanit të fakultetit përkatës të shkruar me dorë.
Përfituesit
Në pritje të diplomës 3-vjeçare të Bolonjë janë me mijëra të rinj, që kanë mbaruar këto studime gjatë këtij viti akademik. Xheladin Çela bën të ditur se 10 mijë kopje i nevojiten vetëm Universitetit të Tiranës. Ndërkohë që këtij numri kopjesh pritet t’i shtohen edhe disa mijë kopje të tjera nga universitetet e tjera të vendit. Por përsa i përket shpërndarjes së saj, Elsa Kone sqaron se të parët që do të marrin në dorë këtë diplomë do të jenë studentët, që u nevojitet kjo diplomë për të vazhduar studimet specializuese jashtë vendit. “Jemi brenda ligjit. Disa studentë, që kanë mbaruar studimet janë pajisur me një suplement diplome që është një përforcues i diplomës. Do përshpejtojmë situatën për studentët që u duhet kjo diplomë për jashtë vendit”, sqaron për gazetën profesoreshë, doktoresha Elsa Kone.
Vonesa
Megjithëse institucionet përgjegjëse deklarojnë se janë brenda ligjit dhe afateve kohore për nxjerrjen e kësaj diplome, për studentët që presin lindin shumë dyshime. Madje, një pjesë e madhe e tyre nuk e dinë ende se çfarë diplomë do të marrin. Drejtori i Drejtorisë së Kurrikulave dhe Standardeve në UT, Xheladin Çeka shpjegon gjithë procedurën që është ndjekur për hartimin e diplomave të Bolonjës. Çeka bën të ditur se para diplomimit të studentëve Ministrisë së Arsimit i është bërë një kërkesë për diplomën e 3-vjeçares. Por pavarësisht paraqitjes së kërkesës para kohe pikërisht për ti paraprirë kalimit të saj, MASH-i nuk u është përgjigjur në kohë universiteteve. “Përgjigjen e morëm me vonesë. Në korrik
na erdhi përgjigja nëpërmjet një udhëzimi të MASH-it se si duhet të vepronim me studentët që do të mbaronin studimet këtë vit”, - sqaron profesor Çeka. Pas marrjes së udhëzimit, universiteti e ka dërguar atë në fakultete. Madje, Çeka shprehet se bashkë me udhëzimin Universiteti i Tiranës i ka kërkuar fakulteteve edhe rekomandimin për
formën e diplomës. Pasi fakultetet kanë dërguar rekomandimet e tyre në universitet është bërë shqyrtimi i diplomës në rektorat. Drejtori i Kurrikulave pohon: “Kemi bërë modelin për tri diplomat. Modeli ka prioritet të miratohet, pasi është ndërtuar sipas pikave të udhëzimit të MASH-it”. Madje, Çeka thekson se vetë drejtoresha e Politikave të Arsimit të Lartë ka premtuar se ky model do të miratohet. Miratimi i modelit të fundit të paraqitur në datën 8 tetor në Ministri në kohë pritet t’i japë fund një problemi tepër shqetësues për studentët shqiptarë, ku mungesa e diplomë bëhet një arsye tepër e fortë për të mos gjetur as punë.

Emërtimi
Emërtimi i diplomës së fituar, sipas programeve të studimit dhe cikleve të studimit do të jetë:
Diplomë e Nivelit të Parë .......(fusha e arsimit të kryer)
Diplomë e Nivelit të dytë .......(fusha e arsimit të kryer) Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë...(fusha e arsimit të kryer)

Ngjyrat
Diplomat që ju përkasin cikleve të ndryshme të studimit do të jenë me ngjyra të ndryshme si më poshtë:
Diploma e ciklit të parë 3-vjeçar do të jetë me ngjyrë të kaltër të lehtë
Ndërsa diploma e ciklit të dytë dhe diploma e integruar e ciklit të dytë do të jetë me ngjyrë okër

Të dhënat që do të përmbajnë diplomat e reja
Stemën e Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës si dhe emblemën e institucionit përkatës të arsimit të lartë
Emërtimin “Republika e Shqipërisë”
Emërtimin e institucionit përkatës
Emrin, atësinë dhe mbiemrin e studentit
Vendin, datën, muajin dhe vitin e lindjes
Emërtimin e diplomës në fushën e arsimit të kryer
Vitin e fillimit dhe përfundimit të studimeve
Numrin e amzës së studentit (matrikullimit) dhe numrin e regjistrit të diplomës
Datën, muajin dhe vitin e akordimit të diplomës
Emrin e rektorit të institucionit të arsimit të lartë dhe dekanit të fakultetit përkatës të shkruar me dorë

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›