Gecaj, apel qytetarëve: ”Mos bllokoni linjën telefonike të Urgjencës!”
Drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, Mhill Gecaj, u ka bërë apel qytetarëve që të mos bllokojnë linjën e Urgjencës, me qëllim që asistenca e kërkuar të jepet në kohën e duhur. Linjat telefonike shpeshherë bllokohen nga mungesa e seriozitetit dhe të disa qytetarëve, të cilët bllokojnë linjën telefonike duke u tallur. “Prej vitit të kaluar, pranë Shërbimit të Urgjencës në Tiranë funksionon numri 127, por herë pas here qytetarë të papërgjegjshëm ndërhyjnë në këtë linjë, duke e zënë atë dhe për më tepër fyejnë ose tallen”, - u shpreh drejtori Gecaj. Mjekët e Urgjencës kanë ngritur si shqetësim në punën e tyre dhe vështirësitë me të cilat përballen në mbërritjen në vendin e kërkuar në rastet e urgjencave. Problematike për kryerjen e punës është bërë trafiku i rënduar, shtrirja e madhe gjeografike, apo dhe numri i popullatës që ka pësuar ndryshime të mëdha pas viteve ’90. Ky shërbim ka dhënë një ndihmë të madhe edhe në shumë raste aksidentesh. Urgjenca e Tiranës ndodhet nën juridiksionin e Autoritetit Shëndetësor Rajonal. Ajo është e profilizuar në dhënien e ndihmës së parë për personat që e kërkojnë atë si dhe merr pjesë në të gjitha emergjencat civile që kanë nevojë për ndërhyrje mjekësore. Personeli mjekësor përbëhet nga 27 mjekë, 21 infermierë, 2 sanitarë dhe 13 shoferë, të cilët janë në gatishmëri dhe shërbim 24 orë për të gjithë qytetarët e Tiranës, numri i të cilëve arrin në rreth 900 mijë. Në 24 orë, ekipi mjekësor i këtij shërbimi trajton raste të ndryshme deri në dërgimin drejt shërbimeve të specializuara në Spitalin Ushtarak të Tiranës apo në qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.
25 Mars 2009