E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregull i ri për mjekët, do të plotësojnë një formular çdo ditë

Penalizime mjekëve që nuk deklarojnë të dhënat ditore të punës në poliklinikë.

Emanuela Sako

Mjekët e qendrave shëndetësore në të gjithë vendin do të përballen me një rregull të ri. Për herë të parë, mjekët në poliklinika duhet të plotësojnë një formular ditor në fund të përfundimit të ditës së punës. Në këta formularë, mjekët duhet të japin të detajuar aktivitetin e përditshëm shëndetësor, numrin e vizitave dhe procedurat mjekësore që janë ndjekur për çdo pacient. Formulari do të dorëzohet në drejtorinë përkatëse të poliklinikës ndërsa drejtoria do të jetë kontrollori dhe autoriteti përkatës për të ndjekur me përpikmëri punën e stafit të mjekëve të punësuar në një poliklinikë. ISKSH-ja i ka përcaktuar këto rregulla në kontratën e 2009-s me qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.
Kontratat
Ky rregull i ri është përcaktuar në kontratat e reja që janë përcaktuar me qendrat shëndetësore. Kështu, për herë të parë, janë futur detyrat e Drejtorive të QSH-ve në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i kontratës si dhe janë përcaktuar në një nen të veçantë sanksionet dhe procedurat e shkeljeve dhe të ankimimit. Pjesë e kësaj kontrate është edhe aktiviteti i përditshëm i stafit mjekësor. Kjo metodë do të përdoret për herë të parë dhe bëhet për të shmangur abuzimet nga ana e mjekëve. Në raportet e fundit ka rezultuar se mjekët nuk raportojnë vizitat dhe abuzojnë me barnat.
Kontrollet
Pak ditë më parë, specialistët kryen kontrolle nga ku rezultoi se një pjesë e konsiderueshme e mjekëve në qendrat shëndetësore u gjetën me shkelje. Specialistët e ISKSH-së kanë kryer kontrolle në të gjitha qendrat shëndetësore dhe farmacitë e Tiranës, ku kanë evidentuar shkelje të të gjitha llojeve. Ndaj subjekteve abuzuese me rregullat ligjore janë marrë masat paraprake. Për dy muaj me radhë, Drejtoria e Kontrollit të Jashtëm pranë ISKSH-së është përfshirë në kontrollin e zbatimit të kontratës me qendrat shëndetësore dhe subjektet farmaceutike në këtë rajon. Nga këto kontrolle janë hasur shkelje si abuzimet me kontratat, abuzime me ofrimin e shërbimeve, përcaktimi i diagnozave pa kryer vizitat e pacientëve, abuzime me faturat për personat e pasiguruar etj. Për të tilla shkelje, masat e parashikuara janë: paralajmërimi për përjashtim nga puna dhe gjobë në bazë të dëmit të shkaktuar kundrejt pacientëve dhe ISKSH-së.

e

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›