Tuberkulozi, rreth 420 persona në vit preken nga sëmundja
Emanuela Sako
Rreth 420 persona në vit rezultojnë të prekur nga sëmundja e tuberkulozit. Në Ditën Botërore të Luftës Kundër Tuberkulozit, autoritetet shëndetësore deklaruan se shifrat janë ende të larta. Specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë shprehen se sëmundja e tuberkulozit është një infeksion që gjen përhapje të madhe në shtresat e varfra, te të pastrehët, të burgosurit, të kequshqyerit etj. Ky është edhe faktori që e bën këtë patologji një sfidë të vështirë për shëndetësinë, për të identifikuar dhe kuruar në kohë të prekurit. Nëse kurimi i pacientit nuk bëhet që në fazat e para kur identifikohet sëmundja, atëherë përbën rrezik për të humbur jetën. MSH-ja bën të ditur se 0,5 për qind e pacientëve që preken nga sëmundja humbasin jetën.
Sëmundja
Specialistët sqarojnë se pavarësisht mjekimit që ekziston dhe mundësisë së madhe për shërim, vështirësia për të parandaluar përhapjen te shtresat vulnerabël është e vështirë. Mjekët thonë se vaksina që kryhet kundër tuberkulozit parandalon vetëm format e rënda të sëmundjes, por nuk e bën individin tërësisht imun ndaj saj. Tuberkulozi është një sëmundje infektive, që prek, përveç mushkërive, edhe cipat e trurit, kockat e organe të tjera. Kushtet e vështira të jetesës janë një faktor favorizues në përhapjen e sëmundjes së tuberkulozit. Në mungesë të mjekimit me medikamentet e duhura dhe në kohëzgjatjen e duhur, tuberkulozi mund të shkaktojë vdekje. Në Shqipëri regjistrohen 13 raste të reja për 100 000 banorë. Në dy dekadat e fundit prirja e rasteve të reja ka qenë në ulje, nga 20 raste të reja për 100 000 banorë që ka qenë më parë, ku afërisht llogaritet me 653 raste. Specialistët sqarojnë se mjekimi është i suksesshëm në 87% të rasteve të reja me tuberkuloz. Për kontrollin e sëmundjes së tuberkulozit, në vendin tonë aplikohet vaksina ndaj tuberkulozit gjatë javës së parë të lindjes së fëmijëve. porsalindurve.
Situata
Vitin e fundit ka filluar depistimi aktiv për grupet të veçanta të konsideruara si grupe vulnerabël si tek të burgosurit dhe popullata rome. Mjekët këshillojnë se është e rëndësishme që të sëmurët me tuberkuloz të diagnostikohen në kohën e duhur dhe të marrin mjekimet në kohëzgjatjen e duhur dhe në dozat e duhura, pasi në të kundërt zhvillohet rezistenca ndaj medikamenteve dhe shtohet kërcënimi për shëndetin publik. Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë është duke përpiluar kuadrin rregullator që do të mundësojë funksionimin dhe kontrollin tuberkulozit në vendin tonë.
25 Mars 2009