Gedafi "luftë të shenjtë" ndaj Zvicrës për "jo-në" ndaj xhamive
Lideri i Libisë, Muamar Gedafi ka bërë thirrje për luftë të shenjtë kundër Zvicrës, një apel që pason referendumin e zhvilluar në këtë vend, kundër xhamive apo minareve. Populli zvicerian gjatë referendumit u shpreh pozitivisht për ndalimin e ndërtimit të minareve në Zvicër. Koloneli i Libisë e përkufizoi Zvicrën si një vend i pabesë dhe fe-mohues. "Xhihadi ose lufta e shenjtë , duhet të shpallet kundër Zvicrës së pafe, që shkatërron shtëpitë e All-llahut", tha koloneli gjatë një deklarate për shtyp dhënë në Bengasi, ku mori pjesë në ceremonitë përkujtimore për lindjen e Profetit Muhamed. Sipas Gedafit, " xhihadi kundër Zvicrës, kundër sionizmit, kundër agresionit të huaj, nuk është terrorizëm.
"çdo mysliman në botë që ka të bëjë me Zvicrën është një i pafe, është kundër Islamit, kundër profetit Muhamed, kundër Kur'anit," tha udhëheqësi libian para një turme prej mijëra njerëzish.
Gedafi bëri thirrje për të bojkotuar transportimet, shërbimet dhe mallrat zviceriane. Koloneli ftoi gjithashtu komunitetin mysliman të shkojë në aeroporte të botës islame, e të ndalojnë fluturimet nga Zvicra, të shkojnë në porte për të parandaluar hyrjen e anijeve zviceriane, të inspektojnë në çdo dyqan dhe treg për të ndaluar shitjen e mallrave të prodhuara në Zvicër.
Më 29 nëntor të vitit të kaluar, referendumi i propozuar nga e djathta populiste, e që kërkonte ndalimin e ndërtimit të minareve të reja në Zvicër, mori "po-në" e 57,7% të popullsisë, një përgjigje që shkaktoi reagim dhe protesta në botën islame.