Gedafi “vërsul” Xhihadin kundër Zvicrës
Lideri libian, Muamar Gedafi ka bërë apel për luftë të shenjtë kundër Zvicrës, për referendumin kundër xhamive në vend. Referendumi në këtë vend rezultoi se pjesa më e madhe e popullsisë zvicerane nuk dëshironin që në vendin e tyre të kishte xhami me minare. Koloneli libian e ka përkufizuar Zvicrën të pabesë. “Xhihadi duhet të veprojë kundër pabesisë së Zvicrës, që shkatërron shtëpitë e Allahut”, tha koloneli në Bengasi, në përkujtimin e lindjes së profetit Muhamet. Sipas Gedafit, “xhihadi kundër Zvicrës, kundër sionizmit, kundër agresionit të huaj, nuk është terrorizëm”. “çdo mysliman në botë, që ka të bëjë me Zvicrën nuk është besnik, është kundër Islamit, kundër profetit Muhamet, kundër Kuranit”, shtoi ai përpara mijëra njerëzve. Më 29 nëntor, referendumi i propozuar nga e djathta populiste që kërkonte ndalimin e ndërtimit të minareve të reja në Zvicër u mbështet nga 57,7 për qind e popullsisë, duke shkaktuar pakënaqësi në botën islame.