E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH, lë pa drita TEC-in në Vlorë dhe tunelin e Kalimashit



Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka filluar dje me ndërprerjet e paralajmëruara të energjisë për katër orë ndaj debitorëve buxhetorë dhe jo buxhetorë. Rreth 167 subjekte në gjithë vendin kanë mbetur pa energji, nga ora 09:00 deri në 13:00, ndërkohë që kompania njofton se ndërprerjet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Në listën e debitorëve përfshihen mes të tjerash edhe selitë e partive politike si Partia Demokratike e Partia Socialiste. përkatësisht në Kukës e Tropojë. Pa drita janë lënë edhe tuneli i Kalimashit dhe TEC Vlora. OSSH, në një njoftim për shtyp jep detaje se 167 nuk është numri i plotë i debitorëve dhe se ka ende të tjera subjekte që do t’i nënshtrohen masave ekstreme, nëse nuk bëjnë pagesën e borxhit. Ndërprerjen e energjisë, çekët e paralajmëruan disa ditë më parë duke deklaruar se borxhi i përgjithshëm ndaj kompanisë është në vlerën 28 miliardë lekë dhe nga këto 3.2 miliardë lekë janë borxhe të subjekteve jo buxhetore dhe 1.3 miliardë lekë të atyre buxhetore. Pronarët e rinj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kanë vënë si synim mbledhjen e një pjese të borxhit dhe për këtë kanë organizuar strukturat përkatëse. Momentalisht Cez Albania është duke marrë masa ndëshkuese ndaj debitorëve të mëdhenj, por siç edhe e kanë paralajmëruar masat do të aplikohen për të gjitha kategoritë që janë në borxh me OSSH-në. Fillimisht Operatori njoftoi se hapi i parë për strategjinë e mbledhjes së borxhit ka qenë informimi përmes një letre i gjithë debitorëve, në të cilën ju kërkohej shlyerja e borxhit. Atyre ju lihet një afat prej 72 orësh dhe pas kësaj, nëse pagesa nuk kryhet ende, atëherë do të fillohet me ndërprerjen e energjisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›