E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u katandis kokoshi një thelë

Eva Allushi

Do bëjmë luftë de more de, si lum ti popull që mezi na ke. Do bëjmë luftë, do tundim malet, dhe fshati qeshet dhe bota tallet. Ndjesë për ndonjë pasaktësi, po thelbi gjithsesi nuk i ndryshon gjësë. Në këto kohëra me kaq tension politik, presion të gjithanshëm, në këtë turbullirë, në këtë amalgamë të fëlliqur interesash, pazaresh, kusarish, palacollëqesh, harbutësh politikë, zuzarësh politikë, shitësash politikë, alabakësh politikë, pra në këtë situatë është e vështirë të vetkontrollohesh dhe të arrish të mbash e të reflektosh balanca, që në fund të fundit shërbejnë.
Po flas për balanca që i shërbejnë qytetarëve të thjeshtë, në emër të të cilëve luhen lojëra të mëdha e të vogla, e trumbetohen demagogji të mëdha, por mashtrime të ulëta. Qytetarët, fshatarët, populli, apo më saktë fare, ajo që iu intereson këtij takëmi, elektorati votues që ka në dorë të të bëjë me pallat, me kazino, me toka në mal e në det, me HEC, e me dreq, pra votuesit nuk dinë gjë. Po edhe mund të dinë, ose edhe mund të supozojnë, po gjithsesi nuk e dinë saktë.
Këtu fillon dhe mbaron problemi.
Për kë të ngresh zërin? Jemi në pikën kur ai që është në punë, kërkon të mbajë atë me thonj dhe ai që është pa punë shpreson dhe beson me naivitet akrobacira cirku shumëngjyrësh, që vetëm punë nuk i japin dot. Ky është niveli bazë. Po kemi edhe nivele të tjera, ku me pak fjalë, ca po e shtojnë pasurinë, ca po punojnë të pasurohen nesër. Sa e thjeshtë që është, po aq edhe e ndërlikuar. Të dy palët flasin në emër të popullit dhe për popullin. Ky i fundit, mbetet i fundit. Pa dyshim nuk po flasim për një fenomen të veçuar dhe vend të veçuar, por për karakteristika që shoqërojnë këtë sistem që zgjodhëm dhe që të tjerë e kanë zgjedhur para nesh.
Ajo çka na bën ne të dallueshëm është caku, limiti, të cilin nuk e njeh askush në këtë vend.
Nuk po i referohem përgjegjshmërisë, transparencës, ligjit larg qoftë, jo jo. Do të ishte shumë. Kaq besoj e kemi kuptuar të tërë.
Po flas ndoshta edhe për atë që mund të quhet vetëvlerësim, apo dhe vetëgjykim. A nuk ju duket shqiptarëve sikur iu kanë vënë një kavo rreth fytit dhe përveç 50 viteve, kanë edhe 20 të tjerë që po i tërheqin. Dhe sot jemi dëshmitarë të një drame të thellë, sepse kusarucët janë bërë, ashtu si me të drejtë një koleg citon, oligarkë.
Këta të fundit kanë arritur në pikën kulmore të organizimit, kanë ngritur një strukturë që pa dyshim kapërcen çdo lloj filozofie e majtë apo e djathtë qoftë, çdo lloj organizimi mbi çdo lloj frymëzimi. Ata janë mbi çdo “Asamble”, dhe i vënë vulën çdo konsultimi, tryeze apo vendimi. Përballë këtyre risqeve realë, që siç e përmenda më lart, i bart sistemi, është po ky, i cili garanton që çdo deformim i pjesshëm të mos dëmtojë në mënyrë të parikuperueshme të tërën. Pikërisht për t’u vetëmbrojtur, sistemi siç pjell viruset, pjell dhe mekanizmat mbrojtës. Shqetësimi duhet të na rritet kur këta mekanizma mbrojtës kontaminohen.
Besoj dhe nuk jam e vetmja, që diçka e ngjashme po ngjet tek ne, për aq kohë sa nuk kemi qenë në gjendje që jo vetëm të ndërtojmë mekanizma të qëndrueshëm, por edhe t’i bëjmë ata sovranë. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me ndërgjegjen e një kombi, temë për të cilën ka shumë më të zotë që të thellojnë analiza, në funksion të një përgjigje, të cilën e kërkojmë të gjithë. Po ajo që duket qartë është sesi mekanizmat po manipulohen dalëngadalë. Le të mos flasim për klasën politike të dalë boje, ku pseudoliderë i qëndrojnë larg moralit, sikur djallit, duke përdorur thundrën e unit të sëmurë.
Po të hedhim sytë nga drejtësia, kaq shumë e blerë dhe e shitur, apo nga media, kaq shumë e përdorur. Fatkeqësia më e madhe që ka ndodhur është humbja e besimit. Deri në fund të shembujve mund të shkojmë për ta përmbyllur me: Askush nuk ka më besim te një vendim gjykate dhe më shumë se kaq nuk ka. Kemi arritur në pikën që në emër të sovranit popull, të na flasin oligarkët sovranë.
është tronditur besimi sepse është cenuar integriteti. Dhe për aq kohë sa na shqetësojnë kufijtë realë, duhet të na shqetësojnë edhe ata virtualë. Ndryshe do të na humbasë ky vend ndër duar, dhe nuk do të ketë kompas që të na e rigjejë, pasi “gjeneralët” ta kenë shitur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›