E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku është përfitimi im zoti kryetar?

Grid Rroji

Njëra nga teoritë qendrore të analizës së politikës është teoria e zgjedhjes racionale, e cila e përfytyron çdo qytetar si një njësi racionale. Në këtë mënyrë, sipas racionalistëve, në çdo udhëkryq qytetari bën zgjedhje të ndërgjegjshme të cilat maksimizojnë përfitimin e tij politik. Pyetja që e përshkruan thelbin e kësaj përqasjeje ndaj analizës politike është “ëhat is in it for me”, shqip ku është përfitimi im? Në kushtet e sotme-kur retorika dhe veprimi i opozitës dhe mbështetësve të saj jashtëparlamentarë kërcënon thelbin e sistemit të tashëm politik, në emër të ndarjes nga allishverishet politike të tranzicionit -kjo mënyrë është më e mira për qytetarin shqiptar për të shqyrtuar nëse fjalët e Edi Ramës i përgjigjen veprave në kontekst racional.
Aktualisht, edhe pse më në fund PS-ja vendosi të mbyllë bojkotin formal, deklarata e zotit Rama se pa u hapur kutitë nuk do të ketë jetë normale parlamentare, tregon se rruga e përzgjedhur nga kryetari i PS-së është ajo që të çon në përplasje me sistemin e deri në shkatërrimin e tij. Mirëpo, në përplasje sistemike të tilla fiton pala që ka më shumë legjitimitet dhe procesi i krijimit të legjitimitetit përpara opinionit publik nuk mund të improvizohet brenda disa javëve apo muajve, sidomos për aktorë të cilët janë të përfshirë në zemër të sistemit politik qysh prej një copë here dhjetëvjeçare.
Pra, nëse kanë respekt për racionalitetin e shqiptarëve, kryetarit të Partisë Socialiste dhe spekulantëve arrivistë, të cilët i vijnë prapa, u duhet të japin llogari përpara qytetarëve racionalë se çfarë e mire u vjen shqiptarëve nga bojkoti i tejzgjatur, dobësimi i institucioneve apo deri edhe revolucioni i rrugës që ata përqafojnë. Në kushtet kur presioni ndërkombëtar është gjithmonë i drejtuar drejt balancës midis palëve- ergo, stabilitetit neutral me çdo kusht, pavarësisht se kush është në anën e drejtë- argumenti i mësipërm merr një rëndësi të veçantë.
është disi e vështirë të shenjosh një qëndrim të qartë dhe konstant të PS-së së Ramës sepse rruga e saj në këto katër vite opozitë ka qenë me zigzage të theksuara. Ja vlen të veçohet qëndrimi konstruktiv ndaj maxhorancës për reformat, i cili lehtësoi rrugën e Shqipërisë drejt NATO-s, edhe pse pas dhënies së konsensusit, opozita rregullisht e qëlloi me gurë këtë proces, herë duke e quajtur të dështuar e herë duke e quajtur meritë të sajën.
Gjithashtu është me interes qëndrimi i palëkundur i Edi Ramës në kërkesën e një Kodi Zgjedhor, i cili të favorizonte dypartitizmin, me fjalë të tjera një sistem ku partitë e mëdha kishin përparësi në ndarjen e tortës politike. Edi Rama nuk u prek as nga greva e urisë, e organizuar nga LSI-ja dhe disa nga partitë e vogla, të cilat sot Rama i ka në krah, dhe nuk pranoi asnjë lëshim ndaj atyre që i konsideronte kundërshtarë brenda llojit. Ndërsa me ndryshimet kushtetuese, në bashkëpunim me maxhorancën forcoi ndjeshëm pozitat e Kryeministrit në Republikën Parlamentare të Shqipërisë, pa u sikletosur aspak për balancën e pushteteve.
Pra, në analizën e një qytetari racional, Edi Rama bashkëpunoi me Sali Berishën për Kodin Zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese për të ndërtuar një ngrehinë politike e cila forconte si pozitat e secilit brenda kampit, ashtu edhe pozicionin e partive të tyre në krahasim me partitë e vogla. Me pak fjalë nuk paraqiti asnjë pakënaqësi me sistemin, përkundrazi luftoi me të gjitha energjitë për të maksimizuar pozitën e tij brenda kulisave.
Sikundër, fushata elektorale e PS-se së Ramës u karakterizua nga mungesa e mesazhit politik dhe zëvendësimi i tij me shpresën Obamiane si panacea e halleve të Shqipërisë. Në këtë këndvështrim, Rama nuk ndryshoi shumë qëndrim nga paraardhësi i tij në PS, Fatos Nano. Ndërsa Nanos “I vinte pas historia”, Rama pretendoi se e gjeti frymëzimin tek ideja e Martin Luter Kingut për një Amerikë pa dallime racore, e përjetësuar nga fitorja historike e Barak Obamës. Megjithë kritikat nën zë brenda partisë së tij se po zëvendësonte kontribues historikë të partisë me aguridhe që flisnin rrjedhshëm shqanglisht, Rama arriti të mbajë një balancë midis atyre që i duheshin për fushatën në terren dhe të rinjve që i përdorte nëpër televizione. Në përfundim të zgjedhjeve, siç pritej, Rama fitoi në ato qarqe ku kryesonin luanët e vjetër, dhe humbi aty ku kishte në krye të fushatës “shpresën”. Por me vetëm 64 deputetë, PS-ja mbeti larg pushtetit dhe konfirmoi sondazhet parazgjedhore që e nxirrnin humbëse.
Qytetari racional ka të drejtë të gjykojë se Rama e provoi të bindte shqiptarët që ai ishte një politikan i ri, pa të kaluar dhjetëvjeçare si Ministër Kulture i Qeverisë Nano dhe kryebashkiak i Tiranës, me mbështetjen e Nanos dhe Metës. Megjithë përpjekjet e prurjeve të tija për të mohuar siglën e partisë ku po kandidonin, Rama nuk ja doli në këtë përpjekje sepse qytetarët e vlerësuan absurde që një lojtar i cili ka luajtur futboll në pjesën e parë të dalë e të kërkojë të vendosë rregulla regbije në të dytën, sikur nuk ka luajtur fare pjesën e parë.
Megjithë dështimin dhe bashkautorësinë në sistemin zgjedhor- i cili në fakt është gur themeli i të gjithë sistemit politik- kryesocialisti shqiptar, tani kërkon me çdo kusht hapjen e kutive edhe pse nuk i kontestoi ato ligjërisht, dhe aty ku i kontestoi gjykata nuk i dha të drejtë. Ndonëse pretendon se i njeh zgjedhjet, Rama kërkon që të hapen kutitë sepse sipas tij “zgjedhjet janë të vdekura”.
Qytetari racional do t’i përgjigjej thirrjes së Ramës për të protestuar për të hapur kutitë me indiferencë sepse atij do t’i kujtoheshin sigurimet që jepte Rama para zgjedhjeve që asnjë votë nuk do preket. Atyre gjithashtu do t’ju kujtohet se menjëherë pas zgjedhjeve PS-ja nuk i kontestoi ato dhe se bojkoti u konceptua në Gusht e jo më 28 Qershor. Qytetari racional me siguri do të kujtohet se megjithëse deklaron se ka për zemër interesin e përgjithshëm, Edi Rama nuk ngurron të mohojë të kaluarën e tij si lojtar i rëndësishëm i sistemit për të realizuar qëllimet e tij politike të momentit. Ai kërkon të jetë parësor në vendosjen e rregullave të reja jo sepse kërkon të maksimizojë angazhimin qytetar ndaj të cilit ka dhjetë vjet që është i pandjeshëm, por thjesht sepse kërkon një copë më të madhe për vete. Pra, sipas qytetarit racional, dështimin e një individi në plotësimin e synimeve të tij politike nuk mund ta paguajnë qytetarët shqiptarë sepse kjo nuk do të përfaqësonte ndryshim, por vazhdimësi me zakonet më të këqija të politikës shqiptare.
Qytetari racional do të krahasonte mënyrën e qeverisjes së kryebashkiakut Rama, në pushtet prej 10 vitesh, me retorikën e shpresës që ai përdor. Megjithë propagandën e mirëkoordinuar, asnjë shqiptar me mend në kokë nuk ka si e vlerëson modelin e betonizimit të skajshëm që ka ndjekur Rama në Tiranë. Ndërsa stili arrogant i udhëheqjes së punëve dhe personelit publik do të stononte ndjeshëm me fjalimet e tij liberale të shkruara me pathos politik. Qytetarit racional do t’i kujtohej numërimi nga Rama, i votave për buxhetin e 2009 në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, sikur të ishte një bej që numëronte qehajenjtë dhe do të dilte në përfundim se ajo nuk ishte metoda e një demokrati, por një autokrati feudal të fshehur pas një pëlhure të bojatisur bukur.
Dhe në fund, me daljet e satelitëve të cilët kërkojnë pazare për Kryeprokurorin, Presidentin apo për çfarëdolloj funksioni tjetër publik, z.Rama vërteton se në fund të fundit ai e ka një çmim. Qytetari racional sigurisht do të dilte në përfundimin se kjo është vetëm çështje çmimi e jo parimi.
Duke u bazuar në këto përsiatje, qytetarit racional natyrshëm do t’i lindte pyetja për kryetarin e Partisë Socialiste: zoti kryetar më kërkon të bëhem bashkëshkatërrues i një sistemi ku ti je pjesëtar, të cilin ti e ke bashkëkrijuar, tek i cili je mbështetur dhe përsëri do të mbështetesh në të ardhmen nëse do të vish në pushtet. Unë ç’përfitoj nga kjo?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›