E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacientët, kurimin te privati do ta paguajë shteti



Kontrata me privatin për shërbime të caktuara shëndetësore. Nëse një pacient i siguruar do të kërkojë të trajtohet në këto spitale, ISKSH-ja do t’i mbulojë një pjesë të kostos ndërsa pjesën tjetër do ta paguajë vetë. Gjithçka pritet të konkretizohet shumë shpejt edhe duke rregulluar kuadrin ligjor. Kryesisht objekt i këtyre kontratave, sipas ekspertëve të shëndetësisë, do të jenë shërbime që nuk mbulohen nga sektori publik. “Nëse së afërmi, ligji i ri i financimit të skemës së sigurimeve shëndetësore do të konkretizohet, standardet do të bëhen obligative për blerjen e shërbimeve, ndërkohë që për herë të parë, do të mundësohen kontrata me sektorin privat për shërbime të caktuara. Ne jemi të bindur se konkurrenca do të shkojë në të mirë të pacientëve dhe njëherësh, do të forcojë shërbimin shëndetësor publik”, tha dje gjatë konferencës “Sfidat e ekonomisë sociale të tregut në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana”. Në të merrnin pjesë, drejtuesit e ISKSH-së dhe fondacionit Konrad Adenauer, Ministri i Shëndetësisë, deputetët e Komisionit të Shëndetësisë në Kuvend, drejtues të qendrave shëndetësore dhe spitaleve. Sipas statistikave, rreth 1.2 milionë shqiptarë marrin shërbime shëndetësore, sipas skemës së sigurimeve në sistemin publik. “Shifra është rritur me ritme të shpejta 3 vitet e fundit, por sfida jonë e madhe është shtrirja e mbulimit shëndetësor për 80% të popullatës në vitet në vijim”, tha Hana. Ajo shtoi se ISKSH-ja synon ofrimin e shërbimeve shëndetësore për shumicën e popullsisë, përmes një pakete shërbimi atraktive. “Sikurse ka ndodhur me shërbimin parësor, do të këtë një paketë të veçantë edhe në shërbimin spitalor, por, këto shërbime ISKSH do t’i blejë duke kërkuar standarde optimale për pacientët”, nënvizoi Drejtoresha e ISKSH-së.
Reforma në spitale
Futja ne skemën e sigurimeve shëndetësore të 39 spitaleve publike, sipas Hanës, ka nisur të japë frytet e para. Me anë të saj ofrohet mbulim i plotë me financim i aktiviteteve spitalore, përmirësim i sistemit të mbledhjes dhe raportimit të informacionit. Po kështu spitalet janë ente prokuruese për nevojat e tyre dhe do të përdorin për investime të ardhurat dytësore. Kjo reformë vjen pas asaj të shërbimit parësor që bëri një kthesë në funksionimin dhe dhënien e shërbimit në poliklinika. “Mund të thuhet me siguri që reforma në shërbimin parësor ka nisur të jetë evidente dhe ne kemi tashmë një raport krejtësisht të ri, ISKSH-Pacient-Qendër Shëndetësore, ku pacienti është në fokusin kryesor. Kemi këtu mes nesh mjekë, të cilët kanë prekur ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në qendrat shëndetësore që nga viti 2007. Janë këtu edhe drejtues të spitaleve të cilët, bashkë me të gjithë ne, janë përballë sfidës së madhe të përmirësimit të shërbimit në spitalet tona”, deklaroi Hana. Sa i përket luftës kundër informalitetit, reforma e re në spitale synon zgjerimi i sistemit të bashkëpagesave dhe Implementimi i sistemit të referimit në shërbimin spitalor. Janë parashikuar sanksione të rrepta në kontratën e ofrimit të shërbimeve. Kërkohet transparencë për shërbimet e ofruara nëpërmjet listimit të tyre në librezën e shëndetit. “Përcaktimi dhe vendosja e standardeve për llogaritjen e kostos për çdo shërbim dhe miratimi i standardeve të spitaleve dhe i treguesve të cilësisë dhe të performancës janë dy sfida të tjera mjaft të rëndësishme”, u shpreh Hana. Gjatë prezantimit të saj, ajo vuri theksin edhe në hartimin dhe miratimin e Protokolleve të Dg. dhe të trajtimit për çdo shërbim.

“Mirëqenia shëndetësore e qytetarit është në plan të parë”
Vasili: Katër pikat kyçe të reformës në Shëndetësi

“Sektori shëndetësor tashmë po i nënshtrohet një reforme të thellë ku mirëqenia shëndetësore e qytetarit është në plan te parë”, tha dje gjatë konferencës Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili. Por sipas tij në këtë reformë luajnë rol të rëndësishëm një sëre aktorësh. ”Pavarësisht se reforma quhet shëndetësore, ajo është një përzierje komponentësh ku secili prej tyre mund te lëvizë ekuilibrat që janë të rrezikshëm dhe e pengojnë zhvillimin e reformave”, u shpreh ministri Petril Vasili. Ministri tha se Shëndetësia është konsideruar gjithmonë si sektor jo produktiv ku vetëm shpenzohet dhe nuk sjell para, ndaj dhe procesi i ndryshimit është një sfidë sa vlerësueshme aq dhe e vështirë. “Pika e parë shumë e rëndësishme është zbatimi në një shkalle më të gjerë të mjekësisë së familjes, kujdesit shëndetësor parësor shoqëruar me elementë të rëndësishëm strukturore si përkufizimi i paketës bazë të shërbimeve, apo dhe me ndryshime organizative përfshirë këtu delegimin e përgjegjësive financiare dhe menaxhuese në këtë nivel”,tha Vasili. Ai u shpreh se pika e dytë ka të bëjë me transformimi i ISKSH-së në një burim të vetëm financimi për kujdesin shëndetësor parësor dhe atë sekondar.”Ndërsa pika e tretë ka të bëjë me përgatitjen e një strategjie rikonfigurimi për shërbimin spitalor për të ri-orientuar sistemin e ofrimit të shërbimit shëndetësor drejt atij parësor dhe për të rritur efiçencën e spitaleve nëpërmjet zhvillimit të standardeve spitalore në bazë të strukturës, procesit dhe rezultateve të tyre”,thekso ministri duke shtuar më tej është i domosdoshëm institutionalizimi i sistemeve të Llogarive Kombëtare Shëndetesore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›