E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti slloven “fton” Tadiçin e Sejdiun në takim



Presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk tha se shpreson që në Konferencën Ndërkombëtare për Ballkanin Perëndimor, e cila do të mbahet në muajin mars në Slloveni, do të mblidhen të gjithë përfaqësuesit e shteteve të rajonit. Deklarata e Turk u bë pas hipotezave se përfaqësuesit serbë do ta bojkotonin edhe këtë takim për shkak të ftesës dhe pjesëmarrjes së palës kosovare. Takimi është planifikuar për më 20 mars në Bërdo afër Kranjit. Përfaqësuesi slloven tha për mediat serbe se ky do të jetë një rast i rëndësishëm që të ringjallet dhe konfirmohet përkushtimi i Bashkimit Evropian, me qëllim të zgjerimit të mëtejshëm. Nga Kabineti i Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu është njoftuar (në gazetën “Danas” të Beogradit) se përfaqësuesit e Kosovës do të jenë të pranishëm në takimin në Slloveni, por ende nuk është vendosur se nga kush do të përfaqësohet vendi në këtë konferencë. Ndërkohë pala serbe vazhdon lobimin kundër Pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç u takua dje me homologun spanjoll, Moratinos. “Të dy ministrat vlerësuan, se kur është fjala për Kosovën, dhe duke pasur parasysh se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shqyrton çështjen e ligjshmërisë së shpalljes së Pavarësisë, është e domosdoshme të insistohet në respektimin e të drejtës ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë spanjolle të Punëve të Jashtme. Moratinos ka pranuar se Spanja dëshiron të bashkëpunojë me autoritetet kosovare në fushat me rëndësi për jetën e përditshme të qytetarëve, siç janë policia dhe doganat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›