E Diel, 1 Nëntor 2026

Gega: Naftëtari është në krizë për fajin e gjyqtarëve

Nga Arben  Çepani

Sipas kapitenit kuçovar, skuadra po kalon momente të vështira si pasojë e mungesës së rezultateve

Kur kanë kaluar tetë javë nga fillimi i kampionatit, kuçovarët po ndjejnë që tani ethet e rënies nga kampionati. Mesa duket, aventura e qëndrimit në Kategorinë e Parë do të jetë e shkurtër për kuçovarët, të cilët fajësojnë gjykimet.

Sipas kapitenit Ardian Gega, gjykimet ndaj Naftëtarit po bëhen një fenomen shqetësues në çdo ndeshje, duke e  penalizuar me pa të drejtë Naftëtarin. Edhe në ndeshjen e fundit me Gramshin, kuçovarët kontestuan gjykimin, ku pati me të vërtetë momente tepër të dyshimta në dëmin e skuadrës bardhë e zi.

Klubi kuçovar disponon pamjet filmike, të cilat pasqyrojnë realitetin e ndeshjes Naftëtari-Gramshi. Kapiteni kuçovar, Ardian Gega u bën apel drejtuesve për kontestimin e gjyqtarëve pranë sektorit të garave, pasi me të tilla gjykime po dëmtohet jo pak skuadra.

”Normalisht kemi dhe ne përgjegjësitë tona, por gjithsesi përballë gjykimeve të tilla ne e kemi shumë të vështirë për të arritur tek rezultati pozitiv. Edhe në ndeshjen e fundit ndaj Gramshit, gjyqtarët u treguan diletantë në këtë ndeshje. Mendoj se kontestimet e gramshiotëve për favorizim të Naftëtarit janë absurde.

Të gjithë e panë fushën sportive të Çorovodës, ku Gramshi u favorizua dukshëm nga Bogdani dhe dy asistentët e tij. Pati shumë momente të diskutueshme, ku në veçanti golat që pësuam u nisën në pozicione jashtë loje. Ndërkohë, nuk u sinjalizua një penallti e pastër për ne. Po i bëjmë të gjitha përpjekjet për të patur një ecuri të mirë, por realisht me të tilla gjykime do ta kemi të vështirë.

Ndihemi si një ekip i pambrojtur, ku gjyqtarët mund të bëjnë çfarë të duan me Naftëtarin, si në ndeshjet brenda ashtu dhe në ato jashtë Kuçovës. Duhet të protestojmë për gjykimet, ku për fat të mirë kemi dhe pamjet filmike, të cilat vërtetojnë gjykimet amatoreske, që po e dëmtojnë jo pak futbollin kuçovar.

Jemi në krizë të plotë, por pa dashur të justifikohemi, kjo më shumë për shkak të gjykimeve tendecioze. Gjithsesi edhe pse ndaj gjykimeve të tilla, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për qëndrimin në Kategorinë e parë”, theksoi kapiteni kuçovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›