E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova nis përforcimet me Osmanin

Kriza e rezultateve që e ka kapluar Llamkos Kosovën ka bërë që udhëheqësit e këtij klubi qysh tani ta nisin misionin për t’i sjellë disa përforcime të mëdha në Vushtrri gjatë janarit. Madje, këtë mision bardhekaltrit e kanë nisur me sukses, duke arritur marrëveshje me sulmuesin e Hysit, Labinot Osmanin. Ndërsa Ilir Izmaku, Enis Zabërxha, Liridon Ahmeti e Bashkim Shala janë katër ‘dëshirat’ tjera të drejtorit Ismet Munishi.

Kriza e rezultateve që e ka kapluar Llamkos Kosovën ka bërë që udhëheqësit e këtij klubi të fillojnë qysh tani të mendojnë se me çfarë lojtarë të përforcohen gjatë afatit kalimtar të janarit.

Madje, vushtrriasit tashmë e kanë bërë përzgjedhjen e emrave të lojtarëve, të cilët gjatë këtij dimri synojnë t’i rikthejnë në stadiumin ‘Ferki Aliu’. Bëhet fjalë për disa futbollistë që tashmë kanë bërë emër në futbollin kosovar, të cilët karrierën e kanë nisur në qytetin e lindjes – në Vushtrri.

E këtë projekt vushtrriasit tashmë veç kanë nisur ta realizojnë, edhe atë me sukses. Kjo pasi Llamkos Kosova tashmë e ka rezervuar një fanellë për Labinot Osmanin, i cili do ta veshë atë prej janarit.

“Labinot Osmani qysh gjatë verës ishte i gatshëm t’i kthehej Llamkos Kosovës. Por, Hysi ka qenë shumë korrekt me të, andaj në shenjë falënderimi ai pati dëshiruar t’i ndihmojë Hysit deri në dimër, edhe pse nuk kishte kontratë. Tashmë ne kemi arritur marrëveshje në parim me Labinot Osmanin. Ai dëshiron t’i ndihmojë Llamkos Kosovës prej dimrit që të del nga kriza e rezultateve, posaçërisht për faktin se Hysi nuk ka ambicie për titull, andaj moralisht e ka më të lehtë të ndahet me Hysin”, tha drejtori i Llamkos Kosovës, Ismet Munishi.

Por, Osmani nuk do të jetë përforcimi i vetëm i dimrit për ekipin bardh e kaltër. Kjo pasi Llamkos Kosova do të përpiqet t’i kthejë në Vushtrri edhe disa lojtarë të lindur në këtë qytet, por të shpërndarë nëpër klube tjera.

Këtë kampanjë vushtrriasit pritet ta nisin në Mitrovicë te Trepça ’89 dhe te Trepça. “Nuk mund ta fsheh faktin se jemi shumë të interesuar ta kthejmë në skuadrën tonë sulmuesin e Trepçës, Enis Zabërxha. Po ashtu, nuk mund ta fsheh faktin se dëshiroj ta kthej nga Trepça’89 Liridon Ahmetin, por edhe Bashkim Shalën”, thotë Munishi.

Por, presioni i vushtrriasve në Trepçën ’89 nuk do të ndalet me kaq. Kjo pasi Ismet Munishi thotë se do ta bëjë të pamundurën që nga kjo skuadër ta nxjerrë Ilir Izmakun.

“Këtë lojtar e ëndërroj në Llamkos Kosovë. Për mua ai është mbrojtësi më i mirë në Kosovë. E di që Trepça ’89 nuk do të pajtohet lehtë që ta lëshojë Izmakun, por unë do të bëj gjithçka që është e mundur që atë ta sjell në Llamkos Kosovë”, përfundoi Munishi, duke rikujtuar se gjendja e mirë financiare e klubit mund t’i joshë akoma më shumë këta lojtarë që të vishen bardh e kaltër.

Llamkos Kosova me t’u rikthyer në Superligë prej Ligës së Parë i kishte bërë disa përforcime goxha interesante.

Megjithatë, ato përforcime nuk i kryen fort punë kësaj skuadre, e cila assesi nuk po mund të del nga kriza e rezultateve.

Prej 11 ndeshjeve të zhvilluara, vushtrriasit e kanë fituar vetëm një, andaj ata pozicionohen në vendin e fundit të renditjes tabelore me vetëm shtatë pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›