E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjonbalaj e bën sefte me Vëllaznimin

Pasi e shkarkoi Skënder Shëngylin, Vëllaznimi menjëherë e ka gjetur trajnerin e ri. Kuqezinjtë këtë detyrë kanë vendosur t’ia besojnë ish futbollistit të njohur Malsor Gjonbalajt. Për këtë të fundit, skuadra kuq e zi bëhet e para që do t’i prijë si trajner, të cilën detyrë nuk e ka kryer asnjëherë më parë, ndonëse qysh më moti është pajisur me licencë të UEFA-s.

Pasi e shkarkoi Skënder Shëngylin, Vëllaznimi vetëm një ditë më vonë e ka gjetur trajnerin e ri. Pozitën e shefit të shtabit teknik gjakovarët kanë vendosur t’ia besojnë ish futbollistit të njohur kosovar Malësor Gjonbalaj.

Mirëpo, palët kontratën pritet ta nënshkruajnë të mërkurën, pasi Gjonbalaj të kthehet nga Shqipëria, ku po qëndron në një vizitë pune, ngase siç dihet ai është edhe këshilltar i ministrit të Sportit, Memli Krasniqi. Kështu, nga e mërkura Gjonbalaj pritet ta nisë punën në Gjakovë.

“Malësori është në Shqipëri, por të mërkurën do të kthehet. Mirëpo, ai më ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Vëllaznimin dhe se nga e mërkura do t’i prijë kësaj skuadre”, ka deklaruar për Express vëllai i Malsor Gjonbalajt, Rifati.

Në anën tjetër, Express ka provuar gjatë tërë ditës të kontaktojë me krerët e klubit gjakovar, por e kishte të pamundur një gjë të tillë pasi ata nuk e kanë hapur telefonin, siç ndodh shpeshherë.

Gjonbalaj është trajner i licencuar nga Federata e Futbollit e Maqedonisë me licencën B të UEFA-s. Si trajner Gjonbalaj është i licencuar edhe nga Federata e Futbollit e Suedisë, por asnjëherë më parë nuk e ka drejtuar ndonjë skuadër.

Kështu, karrierën e tij si trajner ai pritet ta fillojë në Gjakovë te Vëllaznimi, për të cilin ekip nuk kishte luajtur asnjëherë si futbollit aktiv, ndonëse një gjë të tillë e pati bërë në shumë skuadra tjera kosovare.

Kuqezinjve ai do t’u prijë si zëvendësues i Skënder Shëngylit, që u shkarkua të hënën shkaku i rezultateve negative bashkë me dy ndihmësit e tij - Luan Tabakun dhe Arben Lleshin.

Pas njëmbëdhjetë ndeshjeve të zhvilluara në Superligë, Vëllaznimi zë vendin e shtatë në renditjen tabelore me 13 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›