Gejts: Kosova s’do të ndahet as tani, as në të ardhmen
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts ka vizituar dje Prishtinën dhe ka dhënë të gjitha garancitë për mbrojtjen e Kosovës, një ditë para votimit të kërkesës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Gejts tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë prezencën e trupave të veta të paktën deri në fund të vitit të ardhshëm. Kjo ishte hera e parë që një anëtar i Kabinetit amerikan ka vizituar Prishtinën, që nga shpallja e pavarësisë së vendit në shkurt. Gejts zhvilloi takime me liderët më të lartë politikë në Kosovë. Sekretari amerikan tha se qëllimi i vizitës së tij ishte të vizitojë trupat amerikane që shërbejnë në Kosovë. Mesazhi i rëndësishëm i Gejts ishte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, pak ditë pasi presidenti Tadiç deklaroi se është i gatshëm, në fund të të gjitha përpjekjeve, të shohë edhe versionin e ndarjes së Kosovës mes serbëve dhe shqiptarëve, një deklaratë që solli reagimin e menjëhershëm të liderëve botërorë. Gjatë qëndrimit të shkurtër, Gejts takoi Presidentin Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi dhe Ministrin e FSK-së, Fehmi Mujota. “As tani e as në të ardhmen Kosova nuk do të ndahet. SHBA-të mbështesin integritetin territorial të Kosovës”, tha Gejts. Sekretari amerikan i Mbrojtjes rikujtoi qëndrimet e Presidentit Bush për vazhdimin e prezencës amerikane në Kosovë, derisa paqja të jetë e qëndrueshme. “Dua të riafirmoj zotimin e Presidentit Bush për banorët e këtij rajoni dhe partnerët tanë të NATO-s. Kemi hyrë së bashku dhe së bashku do t’ia dalim. Ne të gjithë po presim ditën kur siç ka thënë Presidenti Bush, paqja këtu të jetë e vetëqëndrueshme”, tha Gejts. Kreu i Pentagonit u shprehu mirënjohje ushtarëve amerikanë në strukturat e KFOR-it, të cilët kanë ndihmuar që një rajon i trazuar të bëhet një vend paqësor. “Për shkak të përkushtimit dhe profesionalizimit të trupave tona, KFOR-i mbetet institucioni më i besuar dhe më i respektuar në Kosovë. Ushtarët tanë kanë ndihmuar që ta transformojnë nga një rajon të trazuar në një vend paqësor, në të cilin të gjithë qytetarët kanë mundësi të jetojnë të lirë”, tha Gejts. Sekretari amerikan i hodhi poshtë supozimet se vizita e tij ka për synim t’i dërgojë mesazh Rusisë, e cila ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. “Unë nuk e konsideroj Kosovën në prag të oborrit të Rusisë. Synimi im parësor në Kosovë është t’i vizitoj trupat amerikane”, theksoi Gejts. Tre liderët e Kosovës që patën takime me sekretarin amerikan, presidenti Sejdiu, Kryeministri Thaçi dhe ministri Mujota e falënderuan SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës. Ata folën edhe për procesin e deritanishëm të njohjes së shtetit të Kosovës, veçanërisht për zhvillimet e fundit në këtë drejtim nga Maqedonia dhe Mali i Zi, duke thënë se mirëpresin sinjalet pozitive që janë dhënë. Gejts vizitoi trupat ushtarake amerikane në kampin Bondstill.
Mali i Zi: S’mund ta shtyjmë njohjen
Presidenti malazez, Filip Vujanoviç ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, i cili tha se Mali i Zi do të ndëshkohet në rast se njeh Kosovën dhe ky akt do të ishte një thikë pas shpine për Serbinë. Vujanoviç e ka cilësuar si “jodiplomatike” deklaratën e shefit të diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç. Sipas kreut malazez, Mali i Zi kurrë nuk i ka ngulur thika askujt, as që ka punuar pas shpine të dikujt. Vujanoviç ka theksuar se është e pamundur që të shtyhet më tej deklarimi për Kosovën për shkak të vazhdimit të integrimit të Mali të Zi në Bashkimin Evropian dhe në NAT0. Mali i Zi kishte caktuar një seancë plenare në parlament për të diskutuar për Kosovën dhe njohjen e saj më 3 tetor. Por seanca u shty për arsye të këmbënguljes dhe ndërhyrjeve të Serbisë, që një akt i tillë të mos ndërmerrej nga Mali i Zi, që u shkëput prej saj me konsensus pas një referendumi disa muaj më parë. Por ish-kryeministri serb Vojisllav Koshtunica ka deklaruar se Serbia duhet të padisë Malin e Zi nëse Podgorica e njeh pavarësinë e Kosovës. “Meqenëse zyrtarët e Mali të Zi kanë sqaruar se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është joobligativ, sepse është e karakterit konsultativ, atëherë nëse Mali i Zi e njeh pavarësinë e Kosovës, tha ai.