Konflikt në kufirin Kosovë-Maqedoni, hiqen piramidat e demarkacionit
Shënimi i kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë, që pritet të finalizohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Shkupi zyrtar ka hasur përsëri pengesa. Trupa te armatosura shfaqen sërish në kufirin mes dy vendeve fqinje, pasi banorët kanë ndërhyrë me pakënaqësinë e mënyrës së përcaktimit të kufirit, duke hequr piketat me dhunë, ato piketa që ishin vendosur vetëm pak ditë më parë nga zyrtarët maqedonas dhe ata kosovarë, në kuadër të sqarimit të procesit të demarkacionit, i cili ka mbetur pezull për vite me radhë. Shënimi i kufirit ka lënë rreth 3000 hektarë tokë në territorin maqedonas dhe për ta mbrojtur atë janë ngritur banorët e fshatrave të zonës kufitare. Banorët kanë nisur të heqin edhe piramidat kufitare të sapovendosura nga komisioni ndërshtetëror. Sipas raportimit të mediave, të cilat ishin në vendngjarje, shumë prej tyre banorëve ishin të armatosur e të maskuar dhe thanë se nuk i frikësohen një përballjeje ushtarake me forcat e sigurisë. “Nuk do të vihet guri këtu. Nuk do ta lejojmë. Ky është territori ynë”, u shpreh për “Top Channel”, një person i armatosur në fshatin Libisht. “Kufiri Kosovë-Maqedoni nuk është ky. Këtë zonë na e kanë marrë që në vitin ‘58 dhe qeveria nuk ka bërë asgjë për ta marrë sërish. Nuk jemi dakord me shkëputjen e tokave të territorit tonë. Kufijtë janë më tej, jo këtu”, tha një banor tjetër. Në Libisht dhe në fshatrat e tjera në kufij, personat e armatosur ruajnë edhe gjatë natës atë pjesë territori që e konsiderojnë të tyren.