E Shtunë, 31 Tetor 2026

ORA “SHPËTIMTARE”



Tregim i jetuar

Në xhamat e dritares që kisha përballë, shikoja se si trokisnin pikat e shiut duke më dhënë pak nga romantika që ndofta më mungonte. U mbështeta edhe më mirë në divan dhe u përqendrova në ekranin e sheshtë të televizorit. Spikerja, me zërin e saj timbronjës, ndër të tjera lajmëroi se në orën njëzetë e tridhjetë do të shfaqej një dokumentar për Azem Hajdarin. Tashmë, brenda mendjes dhe shpirtit tim, romantizmin po e zëvendësonin kujtimet dhe mbresat e shumta që kisha me Heroin e Demokracisë. Ishte akoma herët. Dal tej në bulevard, ku kalimtarët ishin rralluar dhe shiu dukej si i tretur në strehët e shtëpive dhe krahët e pemëve. Sigurisht, nuk isha unë i pari që e kisha dëgjuar këtë lajm. Me dhjetëra e qindra qytetarë të tjerë do ta ndiqnin me respekt dhe dashuri këtë emision. Ecja dhe meditoja dhe ashtu me vetminë time të zhurmshme u ndodha pranë memorialit të Azemit. Gjithçka dukej e larë. Dikush kishte vendosur aty tre trëndafila të kuq dhe mua më erdhi mirë që ai kujtim përjetonte pranverën.

Duke pritur para derës së ashensorit, zbritën dy nga komshinjtë e mi dhe më thanë se e kisha mbyllur më shpejt se zakonisht atë ditë. U thashë se do të ndiqja një film dhe me kaq i përshëndeta. Gruaja dhe vajzat diçka po përgatisnin në kuzhinë. Dëgjova të qeshurën e vajzës së vogël, ndërsa m’u bë se u përhap bukur në gjithë mjedisin e apartamentit. Është bukur të jetosh rininë, por në çdo moshë njeriu duhet të jetë i virtytshëm. Dhe virtyti i parë është devocioni kundrejt Atdheut. Vajzave qysh në fëmijëri u kishim dhënë dashurinë për Atdheun dhe rritja e tyre po bëhej me kohën, e fortë, e qëndrueshme, e bukur. Ka ndodhur jo rrallë të kem qenë jashtë shtetit dhe ajo që më ka munguar më shumë ka qenë vendi im. Atdheu është si familja, e ndiejmë nevojën e tij kur na mungon. Askush nuk duhet ta ndiejë këtë boshllëk. Kur po afronte ora për fillimin e dokumentarit, vajzat dhe ime shoqe u ulën njësoj si unë përballë ekranit. Po shihnim Azemin në ballë të studentëve, Azemin tek Presidenti, në mitingje dhe kudo ku ai ndodhej me vështrimin e tij dukej se qëndronte ulur guximi dhe trimëria, të përcjellë nga sytë që i lëshonin shkëndija, forcë, vitalitet. Në mendje më shkonin rastet që kisha pasur për t’u takuar, bisedat me të. Çfarë mund të bëja në përjetim të jetës dhe veprës së Azemit?! Unë e përcaktova novacionin. Zgjodha nga albumi një foto të Azemit dhe me të do të realizoja që në fushën e orës, të më buzëqeshte fytyra e tij. Ajo buzëqeshje dukej se më jepte shumë frymëzim.

Bisedat tona atë mbrëmje ishin vetëm për të. Pastaj vajzat tregonin se dhe mes shoqeve, sa herë që shfaqet diçka për Heroin e Demokracisë, ato bisedonin dhe tregonin ato çfarë kishin parë dhe dëgjuar.

Mëngjesi i ditës së nesërme ishte pa shi. Dhjetori dukej më i butë atë vit. Nxitova tek miku im fotograf dhe i tregova për idenë që kisha. La mënjanë punën që kishte në dorë dhe më tha: “Shumë bukur të ka vajtur mendja. Janë me mijëra ata që e kanë idhull Azemin. Eja pas dy orësh dhe do t’i kesh gati”. Ndërkohë, nxitova për tek orëndreqësi. Vetëm pak minuta i ndanin këta dy zanatçinj nga njëri-tjetri.

“Sa mirë! Kjo është me të vërtetë diçka e bukur. Do të bësh që ora të trokasë çdo minutë ndryshe apo jo! Të kesh Azem Hajdarin në orën e dorës, do të thotë të ndiesh se po jeton kohën... Po të ishte gjallë, ndofta do ta kishim si dikur mes nesh dhe do të nxiste të tjera rrugë të bardha për të gjithë ne. Burra si ai lindin rrallë, prandaj bëjnë epokë...” Orëndreqësi është më i ri se unë në moshë. Ka mbaruar studimet e larta në inxhinieri elektronike dhe të gjithëve u jep zgjidhje kur kanë probleme jo vetëm me orët. Minutat dhe orët kaluan shpejt dhe në dorë tashmë kisha të vendosur fotografinë e Azemit. Me ndjenjën e kënaqësisë që po më shoqëronte, u ula në një ndër lokalet që frekuentoj më shpesh. Pas shpatullave ndjeva të më prekë një dorë. Ishte shoku im, Tani. E ftova për kafe dhe ai u ul. Duke biseduar, atij i tërhoqi vëmendjen ora. Më tërhoqi dorën dhe po shikonte me vëmendje portretin e Azemit. Sytë iu mbushën me lot.

“Ti i ke dhënë një tjetër përjetim veprës së trimit, të Azemit”, - më tha me qetësinë e maturinë karakteristike. Do të desha ta kisha dhe unë një orë të tillë. Pas Tanit, në ditët në vazhdim ishin me dhjetëra ata që në fushën e orës së dorës vendosën foto të Azemit.

Pas dy ditësh, unë dhe ime shoqe i bëmë një vizitë babait në shtëpi. Ai u ngazëllye nga ora ime dhe duke dredhur duhanin, më tha: “Eh, or bir, të ishte gjallë Azemi… Nuk thonë kot, trim i mirë me shokë shumë. E trima si Azemi janë të paktë!”

Kur po ktheheshim për në shtëpi, orëndreqësi na ndali dhe me atë buzëqeshje të shtrirë në tërë fytyrën na tha: “Kisha një çift të rinj, të dashuruar. Ishin studentë. Vajzës i bëri përshtypje ora që mbaja në dorë dhe më kërkoi që i dashuri i saj të mbante një orë të tillë. Do të ndiheshin shumë mirë, sepse të jetosh me një jetë të tillë që nuk vdes, është një përjetësi e dëshiruar për të gjithë”.

“Dhe ti?”, - pyeta mikun tim.

“E di çfarë bëra? I fala orën time... Tani po shkoj tek fotografi për të pasur mundësi që edhe të tjerë të kenë orë të tilla dhe të ecin në kohën që ecën buzëqeshja e Azemit. Të duket mik, vëlla, sikur ajo buzëqeshje në orë të jep një zgjidhje, është sikur të shpëton... të shpëton nga një e keqe apo... s’di se çfarë të të them më shumë!” Më erdhi mirë që fantazia ime kishte punuar dhe pështjelluar kohën e shumë të tjerëve në atë buzëqeshje të pashtershme...

Kishin kaluar javë dhe në atë festë shkurti po nxitoja për t’i blerë një dhuratë për “Shën Valentinin” sime shoqeje. Në njësitë e shitjeve ishin të shumtë qytetarët që po përgatisnin dhurata të ndryshme, të mbështjella me letrat shumëngjyrëshe. Në banakun e një njësie shitjeje ku kisha porositur një tufë trëndafilash, më preku dorën një nga punonjësit e komisariatit.

“Kam kohë që s’të kam par녔 U përqafuam. Më tha se ishte fejuar dhe nga vera do të bënin dasmën. Po tregonte se i ati i kishte folur shumë për ato ditë dhjetori, ku shtëpia e tyre gumëzhinte nga zërat e demokratëve të vërtetë, për veprimtaritë e ndryshme dhe më pas për ‘97-ën që ishte një tmerr komunist. Tani situatat janë bashkëkohore. Bota është me ne. Idealet e Azemit janë ato që po vihen në veprim. Ka lënë shokë të përkushtuar pas...

“Ka lënë veprën e tij, jetën e tij”, - thashë jo pa ngazëllim. Duke biseduar për veprimtarë të Partisë Demokratike, vura re se dhe në orën e dorës së tij ishte fotografia e Heroit. Ai e kapi shikimin dhe më buzëqeshi.

“E di që është ideja jote. Ma thanë... Por idetë e mira prandaj duhen, për t’u frymëzuar, për t’u ndier shumë më mirë. Sepse kjo orë duket se të jep forcë dhe energji, është bashkëkohore apo jo... Janë disa simbole që e shoqërojnë njeriun deri në fund të jetës...” Shkëmbyem mendime të shumta për kohën dhe shoqërinë në një kafene me atë punonjës të komisariatit, djalin e një mikut tim të kahershëm... Por tek fjalët e tij gjeta atë që i kërkohet brezit më të ri. Rrugën nga duhet të ecim të gjithë...

Është mbrëmje. Po meditoj për të gjitha këto biseda të shkëputura që ndodhën në një hark kohor të shkurtër... Gjithçka në shtëpi më duket komode dhe e qetë. Gruaja dhe vajzat kanë shkuar nga komshinjtë. Jam fare vetëm. Spikerja po jep lajmin e fundit për pranimin e Shqipërisë në NATO... Jeta vazhdon dhe bëhet gjithnjë dhe më e sigurt. Unë ndjej tik-taket e orës dhe shikoj buzëqeshjen e Azemit që më ngjitet në trup dhe zemër në formën e mënyrën më njerëzore.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›