E Shtunë, 31 Tetor 2026

Genc Gjonçaj: Kandidati Lakrori grumbulloi 6.7% të votave

Pas përfundimit të procesit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri të PS-së, kryetari i komisionit zgjedhor të kësaj partie, Genc Gjonçaj, bëri publike zyrtarisht rezultatet e këtij procesi. Gjonçaj deklaroi se për drejtimin dhe realizimin e këtij procesi në zbatim të Kodit të Zgjedhjeve të PS në të gjithë vendin u ngritën dhe funksionuan normalisht 37 Komisione Zgjedhore të partisë në rrethe si dhe 386 qendra votimi, ku u regjistruan në listat e votimit gjithsej 82304 anëtarë. Gjonçaj theksoi se procesi i votimit u zhvillua normalisht në të gjithë territorin nga ora 08.00 deri në orën 16.00 nën drejtimin e komisioneve vendore dhe praninë e vëzhguesve të kandidatëve atje ku u kërkua prezenca e tyre. Kryetari i komisionit zgjedhor të PS-së tha se gjithsej anëtarë të PS të regjistruar në listën e zgjedhësve janë 82304. Kanë marrë pjesë në votim 55981 anëtarë ose 68%. Vota të vlefshme janë regjistruar 55225 ose 98.6%, vota të pavlefshme 756 ose 1.4 %. Sipas tij, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2007, rezulton se numri i anëtarëve të Partisë Socialiste është rritur me 4.440 anëtarë, si dhe pjesëmarrja në votim është rritur me 4.5 %. Ndarja e votave të vlefshme sipas kandidatëve është Edi Rama 51511 vota, ose 93.3% dhe për Maqo Lakrorin 3714 vota, ose 6.7%. Në përfundim të këtij procesi dhe administrimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, bazuar në nenin 37, pika 2 të Kodit të Zgjedhjeve të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë Socialiste ka vendosur që të shpallë fitues për kryetar partie Edi Ramën. Gjonçaj ka falënderuar të veçanërisht anëtarët e Partisë Socialiste në të gjithë vendin dhe anëtarët e komisioneve të të gjitha niveleve të cilët u përfshinë dhe kontribuuan aktivisht në një proces zgjedhor që dëshmojë edhe një herë pjekurinë e demokracisë së brendshme në parti, kulturën e lartë politike dhe përgjegjshmërinë në respektim të normave e rregullave statutore.

E.Gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›