E Diel, 1 Nëntor 2026

Genc Juka: Si do garantojmë siguri ushqimore të standardeve evropiane

Intervista/Flet kreu i AKU-së: Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është institucioni me detyrë dhe aftësi për kontrolluar dhe për të garantuar sigurinë ushqimore në Shqipëri


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është institucioni më i ri i krijuar për të kontrolluar sigurinë ushqimore në vend me qëllim që dhe Shqipëria të klasifikohet në raportet e ndërkombëtarëve një vend që ka siguri të plotë ushqimore dhe meriton të integrohet në familjen e madhe evropiane drejt së cilës po shkon. Integrimi i plotë në BE, presupozon dhe kërkon një vend i cili ka siguri ushqimore ndaj dhe krijimi i këtij autoriteti është një ndër detyrat e shtëpisë që duhej për tu integruar. Si për garanci integrimi në krye të këtij autoriteti është emëruar z.Genc Juka një profesionist shumë i zoti, puna e të cilit duket qartë se do të jetë e suksesshëm të paktën me atë që është bërë që në hapat e parë të krijimit të AKU-së. Në një intervistë për gazetën “55” z.Juka flet për rolin shumë të rëndësishëm të AKU-së sa i përket sigurisë ushqimore, sfidat që e presin në të ardhmen, transferimin e plotë të kompetencave nga institucionet e tjera drejt AKU-së sa i përket sigurisë ushqimore, kur konsumatorit shqiptarë do të ketë siguri ushqimore të standardeve evropiane etj. Ja si shprehet më tej ai.


Zoti Juka jeni në krye të një Autoriteti i cili ka një rol jo të vogël për konsumatorin shqiptar e jo vetëm. Ndonëse jeni në hapat e parë të punës a mund të na thoni cili do jetë roli i AKU-së sa i përket garantimit të sigurisë ushqimore dhe sfidat që do ndeshni gjatë rrugës? Tashmë Shqipëria është vend kandidat potencial për të qenë pjesë e BE-së. Me firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit(MSA), Shqipërisë i lindin një varg detyrash për të përmbushur për të qenë së afërmi vend kandidat dhe në një të ardhme jo të largët vend anëtar i BE-së. Në këtë kuadër Shqipëria duhet të plotësojë disa detyrime ligjore të cilat në fakt janë plotësuar, sepse në janar të vitit 2008 është aprovuar ligji “Për Ushqimin” nga Parlamenti shqiptar, gjithashtu në kontekstin e infrastrukturës, qeveria shqiptare me intensitet formatoi edhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit që është pjesë institucionale e këtij detyrimi. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) është institucioni me detyrë dhe aftësi për kontrolluar dhe për të garantuar sigurinë ushqimore në Shqipëri. Nisur nga kjo, BE-ja ka qenë udhëheqësi kryesor i kësaj strategjie të cilën e ka demonstruar me shembuj konkretë, referuar edhe asaj që quhet Strategjia Sektoriale për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Ushqimit, në kuadër të programit “CARDS 2007” që është edhe mbështetja teknike për formatimin e këtij institucioni. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të garantojë jo vetëm funksionimin e duhur të sistemit të sigurisë ushqimore në Shqipëri, por së bashku me Autoritetin Europian të Sigurisë Ushqimore (EFSA), Organizatën Botërore të Shëndetit (WHO), Rrjetin Ndërkombëtar të Autoriteteve të Sigurisë Ushqimore (INFOSAN), Sistemin e Lajmërimit të Shpejtë (RASFF) etj, dhe strukturat përkatëse të Komisionit Europian, do të garantojë edhe sigurinë e produkteve ushqimore ne origjinë shqiptare që do të lëvizin lirshëm në të gjithë territorin e Bashkimit Europian. Krijimi i këtij institucioni është përgjegjës për mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore në vend dhe është i domosdoshëm për të përmbushur kërkesat ligjore, ekonomike e sociale që rrjedhin pikërisht nga zbatimi i MSA-së dhe zhvillimi ekonomiko-social i Shqipërisë. Prodhimi dhe konsumimi i ushqimeve në përgjithësi, dhe atyre me origjinë shtazore në veçanti përbëjnë një problem kryesor për çdo shoqëri de në rast se nuk kontrollohet sjell pasoja sociale, ekonomike dhe në shumë raste ambientale. çdo hallkë e zinxhirit ushqimor duhet të jetë shumë e fortë në rast se synohet që shëndeti i konsumatorit të jetë plotësisht i mbrojtur dhe për të arritur këtë lidhje të mirë të këtij zinxhiri një rol thelbësor kanë si prodhuesit e produkteve ushqimore ashtu dhe konsumatorët.


Para pak kohësh u bë zyrtarisht inaugurimi i nisjes së punës së AKU-së a mund të na thoni sa i kualifikuar është stafi i Drejtorisë së Përgjithshme dhe kur do të ngrihen në cilin stad jeni për ngritjen e drejtorive rajonale dhe plotësimin e tyre me burime njerëzore me qëllim ushtrimin e plotë të aktivitetit tuaj? AKU do të jetë një institucion i cili do të përballet si më problematikën e sigurisë ushqimore brenda në vend ashtu dhe me politikën europiane të Sigurisë Ushqimore, prandaj ishte shumë e domosdoshme që përzgjedhja e stafit në Drejtorinë Qendrore të ishte shumë e vëmendshme për të zgjedhur personel me kualifikim bashkëkohor, me personel që i përgjigjet kërkesave të kohës dhe zhvillimeve në këtë sektor, sepse konkretisht një pjesë e madhe e sektorëve të AKU-së, do të jenë të detyruar të krijojnë marrëdhënie institucionale dhe bilaterale edhe me vende anëtare dhe kandidate të BE-së, do të shkëmbejnë informacion dhe do të marrin masa në situata të ndryshme të emergjencës, por edhe do të shkëmbejnë mendime të ndryshme për zhvillime që mund të ndodhin në Europë në lidhje me sigurinë ushqimore. Nga ana tjetër ekipi i ekspertëve të zgjedhur nga Bashkimi Europian ka punuar intensivisht gjatë këtyre viteve, nga viti 2009 për të përgatitur bazën teknike dhe për krijimin e infrastrukturës, për formatimin e AKU-së. Investime janë parashikuar edhe në kuadrin e IPA-s, pra të Instrumenteve të Para Aderimit, për përgatitjen e bazës infrastrukturore të funksionimit të këtij institucioni. Gjatë muajve të ardhshëm mendohet të riparohen dhe të ndërtohen disa godina të reja në 12 qarqe, po ashtu është rehabilituar edhe godina qendrore e AKU-së. Përsa i përket pjesës administrative është konceptuar që AKU të ketë nën administrimin e vet sipas skemës që sugjeruar nga BE, referuar edhe funksionimit të institucioneve europiane si EFSA, edhe laboratorë të tre profileve në 12 qarqe, laboratorë veterinarë, të ushqimit dhe mbrojtjes së bimëve, në mënyrë që ky institucion dhe qarqet e saj të jenë në gjendje të vlerësojnë dhe të marrin masa për të ngritur në nivel europian sigurinë ushqimore.


Zoti Juka në cilin stad të punës jeni, përsa i përket transferimit të kompetencave të inspektorateve apo drejtorive të tjera në vartësi të ministrive drejt AKU-së sa i përket sigurisë ushqimore? Kur pritet që ky transferim të bëhet plotësisht? Procesi i transferimit të kompetencave nga strukturat e tjera shtetërore drejt Autoritetit Kombëtar të Ushqimit është një proçes kompleks i cili kërkon, përveç një kuadri ligjor të plotë që tashmë egziston, edhe burime njerëzore të kualifikuara si dhe kapacitete teknike të cilat nuk duhet të lejojnë krijimin e hendeqeve apo boshllëqeve gjatë transferimit të të gjitha funksioneve. Në këtë kuadër, në bashkëpunim të ngushtë veçanërisht me Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit por njëkohësisht dhe me të gjitha strukturat e tjera shtetërore të cilat ushtrojnë funksione në fushën e sigurisë ushqimore, po zbatohet një plan kontrolli i mirëdetajuar me pjesëmarrjen e të gjithë këtyre institucioneve. Ashtu sikurse ndoshta jeni edhe ju në dijeni, gjatë gjithë muajit Korrik janë zhvilluar inspektime në disa tregje ushqimore p.sh tek tregu në “Ish Uzinën Dinamo” në Tiranë apo tek tregu i fruta perimeve në Durrës në të cilat kryesisht janë lënë detyra për zbatim tek tregtarët të cilët shesin produktet e tyre në këto ambiente. Gjithashtu inspektime janë kryer edhe në furrat e bukës përgjatë Rrugës së “Kavajës” deri në Kombinat ku janë kontrolluar kushtet higjieno-sanitare të ambienteve ku prodhohet buka si dhe kushtet tekniko-teknologjike të këtij procesi. Ndërkohë po gjatë muajit Korrik janë zhvilluar kontrolle edhe në subjektet të cilat prodhojnë, ambalazhojnë e tregtojnë ujë ku është pezulluar prodhimi i 4 pikave të tilla siç uji “Santa Maria”, uji Selita-Shën Mëria”, uji “Selita” dhe uji “Tirana”, për mangësi në proceset teknologjike të larjes së ambalazhit apo të kushteve higjieno-sanitare të stabilimenteve të prodhimit. Përsa i përket kontrolleve që janë bërë deri më tani apo dhe atyre që do të zhvillohen gjatë ditëve në vazhdim, dua të theksoj se po zhvillohen në radhë ta parë për të garantuar produkte te sigurta ushqimore dhe në radhë të dytë shërbejnë si një fazë përgatitore për kalimin e funksioneve drejt Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Në përfundim të kësaj fushate do të fillojë kalimi i të gjitha kompetencave, i cili është një proces i gjatë dhe gradual sikurse parashikohet dhe nga ligji për ushqimin.


A mund të na thoni, si procedurë, kur strukturat e AKU-së mund të ndërmarrin një kontroll? A mund të nis ky dhe nga një denoncim në media? Unë ju falenderoj për këtë pyetje pasi këtu më jepet rasti të falenderoj të gjitha mediat si ato vizive ashtu dhe ato të shkruara, të cilat kanë qenë pjesë dhe kanë ndjekur me shumë vëmendje inspektimet e deritanishme, pasi ato kanë ndihmuar ndërgjegjësimin e konsumatorit shqiptar dhe i kanë njoftuar për produkte të sigurta ose jo. Për ti dhënë përgjigje më konkrete pyetjes suaj kontrollet që ne kryejmë janë të dyllojshme dhe klasifikohen në kontrolle rutinë dhe ato të quajtura on-spot. Inspektime rutine kryhen vazhdimisht sipas planit kombëtar të kontrollit që miratohet një herë në vit, të cilit i nënshtrohen të gjitha subjektet e ligjit për ushqimin, që do të thotë çdo subjekt që është prodhues, eksportues, importues apo shitës i mallrave të ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë. Në rastet e kontrolleve të tilla kontrollohen kushtet higjieno-sanitare të stabilimenteve, kushtet tekniko-teknologjike të proceseve të prodhimit apo tregtimit etj. Ndërsa në rastin e dytë, të kontrolleve on-spot, inspektimet bazohen mbi një analizë ose klasifikim risku që i bëhet këtyre subjekteve. Në rastet kur marrim informacione nga subjekte të ndryshme qofshin ato private apo shtetërore dhe këtu përfshihet edhe media, apo në rastet kur marrim njoftim nga individë, AKU nis menjëherë procedurat e inspektimit për të verifikuar nëse ekziston cënim ose jo i sigurisë ushqimore.


Po përsa i përket kuadrit ligjor në Shqipëri, a është ai i plotësuar për të garantuar sigurinë ushqimore, dhe sa i afrohet normativave të BE në këtë fushë? Normativat e BE për sigurinë ushqimore parashikohen në katër rregullore 852, 853, 854 dhe 882 të cilat në një kuadër të përgjithshëm quhen “Paketa Higjienike”. Në Shqipëri egziston një paketë higjienike e cila aktualisht po rishikohet për ta përafruar më tej me atë të Komitetit Europian. Për ta sqaruar nga ana teknike po kryhet ajo që quhet përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë Europian. 4 rregulloret e BE të cilat i përmenda më sipër aktualisht po përshtaten me realitetin shqiptar dhe me nevojat e garantimit të sigurisë ushqimore sipas standardeve europiane të sigurisë ushqimore. Sigurisht që “Paketa e Higjienës” dhe urdhrat përkatës të saj do të dalin në formën e akteve nënligjore, dhe do të jenë në zbatim të ligit për ushqimin në vendin tonë. Ajo që shumë e rëndësishme për tu theksuar është se këto normativa do të jenë të detyrueshme për operatorët e biznesit ushqimor dhe do të përcaktojnë kriteret e rregullat e inspektimit nga ana e AKU. Pra përshtatja e kuadrit tonë ligjor me atë të legjislacionit të BE është një hap përpara që po bën jo vetëm Autoriteti Kombëtar i ushqimit dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit e Mbrojtjes së Konsumatorit por dhe e gjithë Shqipëria për plotësimin e standardeve drejt rrugës për anëtarësim në familjen e madhe Europiane.


Ndonëse në hapat e para, inspektorët e AKU kanë qenë të pranishëm në shumë kontrolle për sigurinë ushqimore. Duke qenë se ende nuk jeni konsoliduar në qarqe si dhe nuk ka një transferim të plotë kompetencash drejt institucionit që drejtoni a keni ndeshur ndonjë vështirësi? Cilat janë ato? Ashtu siç e thashë edhe më sipër AKU është në fazën e kalimit të plotë të funksioneve. Sigurisht që ky kalim nuk mund të jetë i menjëhershëm dhe i vrullshëm por “step by step”. Deri më tani kemi pasur bashkëpunim të plotë të të gjitha strukturave shtetërore në këtë proçes të rëndësishëm. Këtu nuk mund të lë pa falenderuar e të shpreh mirënjohjen time për Kryeministrin e vendit Z. Berisha, Ministrin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Z. Genc Ruli si dhe Ambasadorin e Komisionit Europian në Tiranë Z. Helmut Lohan, pasi kanë qenë në radhë të parë këto persona të cilët kanë shprehur besim dhe mbështetje për projektin e ngritjes së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit i cili në fund të fundit do të shtrojë një ndër korsitë e rrugës së anëtarësimit në BE. Nga ana tjetër unë gjykoj se ky bashkëpunim e koordinim është dhe duhet të jetë i të njëjtit nivel sidomos me konsumatorët shqiptar, pasi janë këto të fundit të cilët duhet të jenë më të ndjeshëm e të ndërgjegjshëm për të garantuar sigurinë ushqimore. çdo qytetar shqiptar duhet të jetë më i përgjegjshëm duke mos konsumuar produktet e pasigurta, dhe aty ku dyshon në përmbajtjen e ushqimit që do të konsumojë ai duhet menjëherë ti drejtohet strukturave lokale apo qendrore të AKU për të paraqitur dyshimet e veta në lidhje me sigurinë e një produkti të caktuar ushqimor ose të një subjekti tregtues.


Z.Juka sa i ndërgjegjësuar është konsumatori shqiptar aktualisht për sigurinë ushqimore dhe si do veprojë AKU, për ta çuar në një nivel më të lartë këtë ndërgjegjësim, pasi objektivi final është që konsumatori shqiptar të jetë i të njëjtit nivel me një qytetar Europian për sa i përket produkteve që ata konsumojnë? Ne aktualisht po realizojmë një studim mbi nivelin e njohurive dhe perceptimin e konsumatorit në lidhje me sigurinë ushqimore e njëkohësisht në projektet tona afatshkurtra është realizimi i një fushate për ndërgjegjësimin e konsumatorit nga njëra anë dhe realizimi i një strategjie disa vjeçare për komunikimin ndërmjet AKU dhe konsumatorit, qoftë ky individ apo i organizuar në shoqatë. Rezultatet e këtij studimi do të dalin së shpejti dhe do të jenë thelbësore për përcaktimin e traget grupeve ku duhet të synojmë më shumë për garantimin e sigurisë ushqimore në vend.


Nëse flasim për siguri ushqimore atë na e garantojnë inspektorët të cilët duhet të jenë profesionistë. A ka AKU specialistët e duhur por dhe logjistikën për të prodhuar rezultatin e duhur gjatë kontrolleve që do të ushtrojë? Përsa i përket inspektorëve, rekrutimi po bëhet në një fazë kombëtare duke vënë theksin maksimalisht në profesionalizmin e secilit prej tyre, veçanërisht duke u mbështetur në njohuritë dhe eksperiencën e punës sidomos në fushën e sigurisë ushqimore. Një pjesë e mirë e inspektorëve të cilët janë pjesë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit po trajnohen nga BE brenda dhe jashtë vendit, në autoritet simotra Europiane. Fakt ky që na bën optimist përsa i përket nivelit të profesionalizmit që këta të fundit do të kenë në ushtrimin e detyrave të tyre dhe në garantimin e sigurisë ushqimore me standarde Europiane. Vlen për tu përmendur këtu dhe trajnimet që do të organizohen në Autoritetin Kombëtar Belg, për inspektorët tanë apo dhe ndihmën logjistike që parashikohet te marrim së shpejti nga shteti japonez ne pajisje laboratorike.


Një ndër funksionet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit është dhe ai i rregullatorit mes operatorëve të biznesit ushqimor në tregun e brendshëm por dhe më atë të jashtëm, dhe këtu bëhet fjalë për eksportet e importet e produkteve ushqimore. Si do të zbatohet ky funksion? Në këtë kontekst, si sektori i prodhimit të produkteve ushqimore ashtu dhe mbrojtja e konsumatorit në vështrimin e cilësisë dhe sigurisë ushqimore është afektuar, duke iu dashur të përshtatet si me vështirësitë ashtu dhe me mundësitë që liberalizimi i shkëmbimeve tregtare mundëson. Funksioni rregullator është një funksion derivat i AKU i cili rrjedh si pasojë e garantimit të standardeve Europiane në prodhimin, përpunimin, importimin apo eksportimin e produkteve ushqimore. Duke garantuar barazinë ose njehsimin e standardeve që përdoren aktualisht nga operatorët shqiptarë me ato që janë norma të kërkuara nga BE, ne i ofrojmë këtij të fundit sigurinë se produktet ushqimore të prodhuara në Shqipëri të cilat eksportohen në bashkimin Europian plotësojnë të njëjtat kërkesa të sigurisë ushqimore që ligjvënësi Europian ka vendosur edhe për bizneset e vetë unionit. Në përfundim të njehsimit të këtyre standardeve i cli do të jetë një proces relativisht i gjatë tregtarët shqiptarë do të hasin gjithnjë e më pak barriera në marrëdhëniet e tyre tregtare me vendet Europiane.


Duke qenë se ngritja e AKU-së ishte një projekt i BE-së si parakusht i integrimit në familjen europiane mendoni se një ditë në vend mund të flasim për siguri ushqimore të standardeve europiane? Shumë shpejt.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›