Pakti Kosovë-Serbi, sukses i BE-së
Julian Papaproko/Shkenca Politike, Torino
Ashtu siç pritej, arritja e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës do të krijonte edhe të pakënaqur. Në pjesën veriore të Mitrovicës, serbët ndihen të tradhtuar nga Daçiç dhe Pantiç lideri i serbëve të veriut dhe njëkohësisht kryetar i bashkisë së Mitrovicës veriore, që ishte pranishëm në momentin e firmosjes së aktit. Në të njëjtën linjë gjendet edhe Patriarkati serb, duke e quajtur firmosjen e paktit si tradhti ndaj të kaluarës . Për sa i përket Kosovës, ashtu si pritej, Albin Kurti, lider i Vetëvendosjes, protestoi duke deklaruar se Serbisë ju pranuan të gjitha kërkesat. Ai insiston në faktin që firmosja e këtij pakti nuk asnjë gjë për të festuar pasi Kosova shikon të cenuar pjesën veriore të territorit të saj, duke krahasuar Mitrovicën me Banja Lukën, kryeqytetin e Republika Srpska në Bosnje. Albin Kurti nënvizon edhe faktin se liderë të pakicës shqiptare në Serbinë e jugut, nuk e kanë mirëpritur arritjen e kësaj marrëveshjeje. Komisari i Lartë për Politike të Jashtme dhe Siguri te Bashkimit Evropian Catherine Ashton, ashtu si pritej merr urimet për arritjen e kësaj marrëveshjeje nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar, si triumfuese. Por kjo marrëveshje paraqet rreziqet e veta edhe për Bashkimin Evropian. Mund të kthehet në një fitore si e Pirros. Veriu i Kosovës mund të kthehet vërtet në një tjetër Republik Srpska në rajon, çka do destabilizonte akoma më shumë gjendjen në të ardhmen, duke parë atë që ndodh në Bosnje Herzegovinë. Rruga e hapur e Serbisë drejt Bashkimit Evropian do të paraqiste probleme në të ardhmen për pranimin, si të Kosovës, por edhe të Shqipërisë. Unanimiteti i BE-së në çështjen kosovare ka treguar gjithnjë brishtësinë e tij, si në periudhën para luftës, pas saj dhe deri në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pesë vende të BE-së që nuk ka- në njohur Kosovën janë pjesë përbërëse e EULEX-it (përveç Qipros). Ndaj mund të pyetet: Kë mbështet EULEX, Republikën e njohur nga 22 vende, apo interesat e atyre 5 shteteve që akoma nuk e njohin Kosovën? Por ndoshta me këtë marrëveshje BE-ja ka prerë urën lidhëse midis Serbisë dhe veriut të Kosovës. Këta të fundit pa ndihmën e Beogradit do të jenë të detyruar të ndryshojnë strategjinë e tyre; ndoshta një ditë edhe për Kosovën një President serb do të gjunjëzohet për të kërkuar falje për krimet e konsumuara atje siç bëri Nikoliç për masakrën e Srebrenicës. Ky pakt për momentin është një fitore e Bashkimit Evropian që gjatë kësaj periudhe krize ekonomike, tregon hapa bindës në drejtim të diplomacisë. Nevojë kjo që jep një mundësi për të treguar që BE-ja është akoma tërheqëse!