Servet Pëllumbi: Blushi dhe Malaj po nxitohen. Kongresi do vendosë për fatin e RamësNga Ora NewsNë një intervistë për Ora News, Servet Pëllumbi, ish-drejtuesi i Kuvendit dhe zyrtar i lartë i Partisë Socialiste, thotë se duhet një analizë e kujdesshme
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Servet Pëllumbi: Blushi dhe Malaj po nxitohen. Kongresi do vendosë për fatin e RamësNga Ora NewsNë një intervistë për Ora News, Servet Pëllumbi, ish-drejtuesi i Kuvendit dhe zyrtar i lartë i Partisë Socialiste, thotë se duhet një analizë e kujdesshme për rezultatin zgjedhor, e më pas do të jetë Kongresi ai që do të vendosë për ndërprerjen e mandatit të Ramës dhe rikandidimin e tij. Pëllumbi thotë se Meta i shërbeu përçarjes brenda së majtës dhe nuk ishte faktor bashkimi. Ai thotë se zgjedhjet u humbën, në radhë të parë, sepse humbën standardet. Pëllumbi i quan të nxituara lëvizjet e Arben Malajt dhe Ben Blushit.
Zoti Pëllumbi, a humbi PS apo jo?
Pyetja është vërtet ajo që shqetëson shumë njerëz sot në Shqipëri. Por unë do ta kapja pak më gjerë këtë çështje. Unë do të thosha që a ka të fituar dhe humbës në Shqipëri? Sot për sot, akoma certifikimi i kësaj nuk është bërë zyrtarisht. Dhe pa u bërë certifikimi, megjithëse mund të parashikohet rezultati, është para kohe për të folur. Megjithatë, unë do të thosha që pothuaj të gjitha palët në Shqipëri me këto zgjedhje janë të humbura, sepse nuk u arrit plotësimi i standardeve që kërkoheshin me këto zgjedhje.
Në raport me Kushtetutën, partia që merr numrin më të madh të deputetëve, ftohet për të formuar qeverinë, atëherë vetvetiu del që ajo që ka marrë më shumë është fituesja dhe ajo që mbetet në opozitë është humbëse. Me sa duket, PS do të vazhdojë të mbetet në opozitë.
Pse nuk e thoni që PS është humbëse?
Unë gjithnjë në këto çështje ndjek rrugën institucionale. Unë mund të thosha edhe para votimit një parashikim. Zyrtarisht, palët fituese dhe humbëse shpallen nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor.
Cilat janë arsyet se përse PS do rrijë edhe 4 vjet në opozitë?
Arsyet janë të shumta dhe ato do analizohen me hollësi në të ardhmen, por unë do të thosha që faktori kryesor është që e majta nuk arriti të bashkohej. Kjo është një sëmundje e së majtës, fatkeqësisht jo vetëm shqiptare, por edhe në vende të tjera.
Në statutin e PS është neni për zgjedhjet e radhës. Cili është mendimi juaj për vendimin që duhet të marrë Edi Rama?
Jam në dijeni të këtij neni, sepse në atë kohë unë kam qenë kryetar i Komisionit për ndryshimet statutore. Madje kam ndikuar edhe unë për ta fiksuar këtë, sepse më përpara kam patur mendimin se duhet të ketë një kufizim mandatesh për kryetarin, me qëllim që të mos kemi kryetar të përhershëm. I qëndroj kësaj ideje, por u gjet më e përshtatshme që ndërprerja e mandatit të lidhej me rezultatin e zgjedhjeve politike të radhës. Neni 28 i statutit e fikson mirë këtë. Pra, në këtë kuptim, certifikimi i humbjes në zgjedhje automatikisht sjell një lloj ndërprerjeje të mandatit, sipas statutit. Mirëpo ndërprerje mandati mund të bëhet edhe me dorëheqje, kur vetë personi e jep atë. Në këtë rast kërkohet medoemos thirrja e Kongresit dhe Kongresi e bën fakt ndërprerjen e mandatit mbi bazën e një analize, por çështja është e hapur, sepse Kongresi mund të kërkojë edhe rikandidimin e ish-kryetarit.
Ku gaboi Edi Rama?
Unë mund të thosha kaq. Edi Rama si kryetar i PS duhet të tregohej më elastik, më prudent dhe të arrinte ta bashkonte të majtën, të vlerësonte më mirë aleatët e vegjël dhe të mos ishte aq euforik në paraqitjen e disa politikave të personalizuara nga ana e tij.
Po gjërat më të mira që bëri Edi Rama që nga marrja e PS...?
Po këto unë do të thosha që kanë peshën më të madhe në parti. Sigurisht, partia në 2005 pësoi një traumë jo të vogël, sepse mendonte se do të fitonte dhe e kishte të sigurt fitoren. Edhe kryetari i atëhershëm, Fatos Nano, e personalizoi fushatën dhe e nënvlerësoi përçarjen e së majtës. Madje ai nënvlerësoi edhe shokët e bashkëpunëtorët e vet, duke thënë se zgjedhjet do t’i fitojë i vetëm, dhe “do t’ju shkrij të gjithë”, në radhë të parë Ilir Metën dhe të tjerë që kishte rreth e rrotull, me të cilët nuk kishte marrëdhënie të mira. Në këtë aspekt, mua më duket se të dy kanë bërë të njëjtin gabim.
Edi Rama ka bërë vërtet punë të mira, sidomos për testimin e elektoratit; “Dialogu me Shqipërinë”; ka vajtur nga dy-tri herë rreth më rreth, ka takuar njerëzit, ka njohur problemet, shqetësimet, megjithëse nuk paraqiti ndonjë program të shkruar në mënyrë të detajuar gjatë fushatës. Por mendoj se ai preku pulsin e njerëzve, shqetësimet e tyre, hallet që ka vërtet vendi jonë dhe duhet medoemos që një forcë politike t’i marrë për bazë dhe t’i zgjidhë.
Çfarë humbet dhe çfarë fiton PS pa Edi Ramën?
Unë nuk mendoj se fiton ndonjë gjë të madhe pa Edi Ramën, aq më tepër që, siç dëgjohen zërat tani, po dalin lloj-lloj të pakënaqurish apo që kanë bërë edhe një punë në prapaskenë për humbjen e PS, që të ndezin një luftë tjetër në PS për kreun e saj. Mua më duket që kjo do të ishte vërtet e dëmshme për PS.
Unë do të kërkoja një analizë të thelluar, përfshirë edhe të veprimtarisë së Edi Ramës, dhe pastaj në rrugë institucionale Kongresi të vendosë. Mandati do të ndërpritet, sipas statutit, por, edhe nëse do të rikandidohet Edi Rama bashkë me kandidatura të tjera dhe në mënyrë demokratike, do të zgjidhet se kush do e drejtojë PS edhe për 4 vjet të tjera në opozitë. Unë mendoj se kjo është rruga më e mirë dhe demokratike që i jep fund luftërave të brendshme.
Ju do ta mbështesni një rikandidim?
Nëse vendos Kongresi, unë do ta mbështes. Do t’i bëj edhe në mënyrë miqësore ato vërejtjet dhe sugjerimet e mia që kam pasur dhe që vazhdoj të kem.
Si e shikoni daljen e Ben Blushit dhe Arben Malajt, të cilët kanë shprehur hapur ambicien për të konkurruar për postin e kryetarit të partisë?
Unë të dy i njoh dhe i respektoj për aftësitë e tyre dhe për përkushtimin ndaj të majtës, por të them të drejtën më duket një hap i nxituar nga ana e tyre. Do të ishte më e dobishme të pritej certifikimi përfundimtar i zgjedhjeve, kërkesa për të bërë analizën e kësaj që ndodhi dhe pastaj në rrugë institucionale do të gjenden edhe kandidaturat që do të jenë më të përshtatshme për drejtimin e PS pa përjashtuar edhe kryetarin aktual, Edi Rama, i cili ka të drejtën e rikandidimit, pas një votëbesimi në Kongres. Dhe unë mendoj se synimi i anëtarësisë së PS duhet të jetë që në krye të tij të vijë një person që nuk e kthen partinë mbrapa.
A e tradhtoi Ilir Meta të majtën?
Po. Edhe në demokraci koncepti tradhti është i lejueshëm.
Meta i doli borxhit..
Nuk i ka dalë borxhit fare, sepse tërë kohës i ka fryrë përçarjes dhe 5 ditë përpara gjoja kërkoi bashkimin, kur koalicionet ishin rreshtuar dhe ishin gati për votim. Çfarë kuptimi do të kishte ai lloj bashkimi?