E Diel, 1 Nëntor 2026

Parodi e antikomunizmit apo nostalgji e komunizmitNga Aleksandër MeksiMe përmbysjen e regjimit diktatorial komunist në Shqipëri filloi një proces i ndërtimit të një shoqërie të mbështetur në shtetin ligjor, të drejtat e njeriut dhe ekonominë e tregut

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Parodi e antikomunizmit apo nostalgji e komunizmitNga Aleksandër Meksi

Me përmbysjen e regjimit diktatorial komunist në Shqipëri filloi një proces i ndërtimit të një shoqërie të mbështetur në shtetin ligjor, të drejtat e njeriut dhe ekonominë e tregut të lirë. Të gjitha këto filluan të ndërtohen jo pa vështirësi me ndihmën e demokracive perëndimore dhe mbështetjen e shumicës së shqiptarëve. Sigurisht, jo pa vështirësi e të meta e jo pa pengesa objektive e subjektive, çka duhet të analizohen duke nxjerrë shkaqet dhe përgjegjësitë. Me ndodhitë e vitit ’97 proceset e reformave u ndërprenë, deri u anuluan, për të rifilluar shkallë-shkallë, nën presionin e opozitës dhe ndërkombëtarëve që monitorojnë Shqipërinë, me një sërë paragjykimesh dhe mentalitetesh të lidhura me formimin komunist të atyre që erdhën vazhdimisht në pushtet. Mjafton të përmendim privatizimin korruptiv (ish-komunistët nuk e njohin pronën, ata e grabisin, sepse e quajnë të grabitur), kontrabandën dhe trafiqet, prokurimet e drejtpërdrejta me shumicë, monopolet, rikthimin e njerëzve të regjimit dhe sigurimit në poste, ndërprerjen dhe zvarritjen e trajtimit për ish-të përndjekurit dhe pronarët realë, rikthimin metodave etatiste në ekonomi e të tjera. Një nga dëshmitë më të qarta të këtij procesi është dhënia e pafajësisë për ata gjerarkë të lartë komunistë të dënuar për krime kundër njerëzimit, që dhe u dëmshpërblyen më përpara viktimave të tyre, që ende presin në listat e qeverive që drejtohen nga ish-komunistë. Mbijetesa në politikë e njerëzve dhe e mentalitetit komunist, nostalgjia për atë kohë po bëjnë një stërzgjatje të tranzicionit me gjithë aspektet negative të tij, duke bërë të humbin shpresat e shqiptarëve për një jetë më të mirë e anëtarësim në Evropën e Bashkuar.

Ka pasur të drejtë Agim Isaku në artikullin e tij “Parodi e antikomunizmës shqiptare” (“Shqip” 14.12.2006), kur shkruante se “...në vendin tonë dhe gjërat më serioze degradojnë dhe shndërrohen kësisoj në parodi të vërteta..”, por, mbase duhej edhe të vërente se në mjaftë raste kjo bëhet qëllimshëm, për të larguar nga vëmendja e publikut probleme që dikujt (vetëkuptohet jo popullit të thjeshtë), nuk i pëlqejnë. Pavarësisht nga këndi i tij i vështrimit dhe nxitja apo synimet, edhe ai vëren në këtë shkrim se, në kundërshtim flagrant me kërkesën evropiane për dënimin dhe çrrënjosjen e komunizmit, dhe largimin e njerëzve të diktaturës nga postet kyçe të qeverisjes shqiptare dhe shtetit shqiptar, shihet në mediet e paskrupullta një prani e orkestruar e personazheve kriminalë dhe e historive të asaj kohe të turpshme, e proceseve të montuara kundër njëri-tjetrit (kur populli i thjesht thoshte “hëngshin kokat e tyre”), shfaqen e rishfaqen filma të kaluar me propagandë komuniste (ata nuk mund të jenë vepra arti, sepse gjarpri nuk është kurrë i bukur), ekspozita apo paraqitje nga historianë arti të pikturave po aq socrealiste sa dhe filmat, si dhe praninë me këmbëngulje, si dëshmitarë të historisë, të gjerarkëve të krimit, të komunistëve me të kaluar kriminale, ata që pas një procesi si i Nurembergut duhet të ishin ende në burgje, (burgjet e sotme janë më njerëzor se të tyret), aq më tepër kur thonë të pavërteta ose jo gjithë të vërtetat dhe asnjëherë për krimet barbare të komunizmit që kanë dijeni dhe ato të tyret personale, për të cilat nuk kanë shfaqur asnjëherë pendesë. Nuk është e vërtetë se kjo nostalgji erdhi si pasojë “e abuzimit dhe arrogancës të fillimit të viteve ’90 të rehabilitimit të figurave të së djathtës nacionaliste antikomuniste” (Piro Misha “Shqip”, 20.9.2006), por si rezultat i ardhjes në pushtet të ish-komunistëve që kishin mbetur të tillë. Po kështu, artistët shqiptarë çuditërisht ende nuk po krijojnë për atë kohë, duke përjashtuar ato vepra ku në qendër janë autorët që kanë vuajtur vetë. Kjo tërthorazi dëshmon vlerësimin, gjykimin apo qëndrimin e tyre për atë periudhë.

Kjo që po ndodh është e turpshme, sepse diktaturat janë faqe të zeza në historinë e një populli, që politika e sotme duhej ta shmangte, madje duke e quajtur këtë veprim të medieve apologji të krimit komunist, t’i ndalonte siç bëhet gjetkë për apologji të Hitlerit me shokë. Por prania në drejtim të shtetit e ish-komunistëve fanatikë, që nuk mohojnë dot dhjetëvjeçarë të jetës së tyre, pra të pranojnë që ato vite iu kanë shkuar dëm apo janë vite të një antijete të përdorura për punë çnjerëzore e kriminale, nuk e ka mundësuar një gjë të tillë. Dhe po kështu dhe spiunët e Sigurimit të Shtetit komunist, denoncuesit dhe dëshmitarët e proceseve politike, duke shtuar këtu, çka nuk duhet ta harrojmë kurrë, që edhe çdo komunist e kishte për detyrë të denonconte gjithçka që dëgjonte dhe shikonte dhe që quhej kundër regjimit pra njëlloj si spiunët, madje jo nga frika, por nga bindjet. E njëjta dukuri u vërejt kohët e fundit në Kosovë me “festimet” e Diktatorit që ishin glorifikim i krimit komunist, pafytyrësi dhe fyerje për viktimat në mbarë trojet shqiptare, e aq më keq kur kishte dhe njerëz të politikës zyrtare në to.

Në këtë kuptim, flitet sa për formë (se kështu duhet), për antikomunizëm nga pozita të kriptokomunizmit apo nga ende-komunistë, pra luhet teatër; prandaj dhe gjithçka është parodi. Veçse, ndryshe nga si e mendojnë sot shumë njerëz nostalgjia e komunizmit është sheshit dhe e legalizuar (një term ligjor që politika e përdor për të përligjur të keqen), në Shqipëri në këto dymbëdhjetë vjetët e fundit, elementë të tij janë në themel të aberracioneve dhe devijimeve të viteve ’92-‘97. Dhe parodia qëndron pikërisht në kërkesat deklarative për dënimin e çrrënjosjen e tij. Kjo parodi-nostalgji nuk është e rastit, por e stisur nga të njëjtat qendra okulte të politikës (për të mos thënë të pushtetit) në Shqipëri. Në këtë optikë shikohet me entuziazëm “internacionalist” dhe lavdërohet komunizmi kinez, pikërisht sepse mbijetoi deri sot “me sukses”, ani se tymi do i dali më vonë. Po kështu partitë e vetëquajtura të djathta mbushen me njerëz me të kaluar, prejardhje dhe të tashme komuniste apo që ndërrojnë partitë për të qenë përherë në pushtet.

Por ndërkohë që në vendet e tjera ish-komuniste të Evropës Lindore nuk është qëndruar në fjalët, por dhe janë kryer veprime dekomunistizuese, ndër ne sot nuk duan t’ia dinë. Kështu që akuza që pret vërtetim, se dënimin e komunizmit, çrrënjosjen e tij, largimin e aktorëve aktivë të asaj kohe dhe të kompromentuarve me ta, e pengojnë pikërisht ata që janë me shumicë në pushtet, opozitë e media, ka bazë për t’u pranuar, qoftë dhe pjesërisht (për kaq ju siguroj dhe unë sot për sot).

Kështu, me këtë klimë absurde, tragjike dhe të turpshme ka nga ata që thonë se viktimat e terrorit të kuq ishin fajtorë që nuk e duruan komunizmin, ndërsa ata që i shërbyen komunizmit për hartimin dhe realizimin e një politike çnjerëzore dhe kriminale, duke u përlyer me gjak e jetë njerëzish, si luftëtarë të bindur të pushtetit, kryen detyrën. Nuk është kështu. Me qindra e mijëra u dënuan me vdekje me akuza të rreme, me nene të shpikura e në shkelje të plotë të të drejtave të njeriut (në emër të tyre, sot na kërkojnë kujdes në hapjen e dosjeve), shumë të tjerë vdiqën në tortura çnjerëzore, të tjerë u vranë pa gjyq dhe askush nuk u përgjigj. Tashmë është e qartë se dikush nuk dëshiron sot e kësaj dite që kriminelët të përgjigjen dhe që komunizmi të dënohet. Ka pasur mjaftë kohë për ta bërë këtë dhe, derisa nuk u bë e nuk bëhet, do të thotë që nuk e dëshirojnë. Kot e kanë, sepse një ditë do të përgjigjen. Duhet pranuar se ky është një problem moral për shqiptarët, që iu kushtëzon të tashmen dhe të ardhmen.

Sot nuk hetohen dhe nuk evidentohen krimet e komunizmit, sepse askush nuk merret, në kuadër të ndonjë programi kërkimor shtetëror, me studimin real e kritere shkencore të historisë së përgjakshme të veprimtarisë gjysmëshekullore të komunizmit shqiptar, kërkime që duhet t’iu mundësohen dhe individëve. Madje kam bindjen se dhe po u ngrit ndonjë pseudo Institut, në të do të punojnë “shkencëtarë të emëruar”, të përzgjedhur me kritere krahinalisto-nepotike e jashtë profilit dhe detyra e vetme e tij do të jetë të bllokojë aksesin e të tjerëve (antikomunistëve) te dokumentacioni historik. Por kjo një ditë do bëhet. Kjo është dhe arsyeja që duhet rishkruar historia e atyre viteve dhe ajo në përgjithësi, për çka herëpashere dalin kundër “ish-a” e mëkatarë. Kështu do të mënjanohen favoret që iu jepen disave të përzgjedhur, që botojnë herëpashere “zbulime”, kur këtë mundësi duhej të kishin të gjithë.

Ritheksoj se duhet të krijohet Arkivi Historik i ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku të mblidhet dokumentacioni i ndarë sot në dy vende, i kësaj strukture të dhunës komuniste. Njëherazi duhet të vihet në dispozicion të cilitdo prej studiuesve materiali i ruajtur i Arkivit të ish-Partisë së Punës, që nuk lidhet me interesa të larta të shtetit, si mbrojtja e vendit dhe marrëdhëniet me shtete të tjera. Gjithçka tjetër duhet të jetë e hapur. Vetëm atëherë shqiptarët do të mësojnë të vërtetat e atyre viteve dhe do kemi mohim e dënim të komunizmit, mënjanim të keqbërësve dhe shpresë për një çrrënjosje apo dekomunistizim. Besoj se atëherë nuk do të mburren në publik se kanë qenë, se janë ende komunistë, dhe në qoftë se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë, shumica e shqiptarëve do t’iu kthejnë krahët.

I duhet bërë e qartë publikut dhe historisë; veprimtaria e komunistëve shqiptarë, e mbështetur në një doktrinë mizore, amorale dhe po aq dhe kriminale, me parime të shpallura publikisht, si kontrolli i tyre mbi jetën e vendit dhe individin, dhuna e pashpirt e regjimit të tyre, vuajtjet e një pjese të madhe të popullit kampeve, burgjeve, internimeve, dëbimeve, punës së detyruar, privacionet për luftë klasash. Shqipëria komuniste u karakterizua nga vështirësitë ekonomike, prapambetja, mbajtja në padije dhe izolimi prej botës së qytetëruar, ndonëse ishte dy hapa larg nesh, e të tjera e të tjera.

Vetëm duke i evidentuar këto fakte do të arrijmë të kemi një gjykim real për këtë periudhë të turpshme, e jo vetëm për protagonistët e djeshëm, por dhe për ata që sot nxijnë faqet e gazetave me turpet e asaj kohe, për të na mbushur mendjen se bëmat e asaj periudhe ishin një gjë normale dhe se historia nuk duhet të refuzohet. Po, historia nuk refuzohet e as të vjen mbrapa, atë nuk mund ta ndryshosh veçse duhet t’ua bësh të ditur njerëzve. Është kjo një detyrë shumë e rëndësishme dhe fisnike. Pra, mjaft me propagandë komuniste dhe përralla. Po kështu, duhen identifikuar për publikun ata që e drejtojnë e financojnë sot këtë lojë të fëlliqur, për të na mbushur mendjen, ndër të tjera, se etatizmi dhe autoritarizmi dhe vjedhja e votave që sot po shfaqen, krahas kultit të liderit, janë të dobishme, dhe sidomos ata opinionbërës, gazetarë dhe historianë që iu shërbejnë, si dikur diktaturës, pa më të voglin ndryshim nga agjitatorët famëkëqij komunistë.

***

Një temë përherë e pilotuar në mediet shqiptare, për të larguar vëmendjen nga problemet e kohës dhe që shoqërohet me debate të shumta publike, është dhe “hapja e dosjeve” ose “spiunët”. Para së gjithash duhet të saktësojmë se në vendet e Lindjes ish-komuniste çështja u shtrua: strukturat e hartimit të politikave dhe të zbatimit të dhunës përfshirë këtu ish-policinë politike (Stasi-Gjermani, Securitatea-Rumani...) e bashkëpunëtorët e tyre, pra jo vetëm hallka e fundit, por dhuna e komunizmit dhe të gjithë ata që i shërbyen. Duke dalluar këtu ata përkrahës të komunizmit, bashkëpunëtorë të fshehtë në radhët e kundërshtarit, që së bashku me vetë komunistët, ishin heronj të heshtur dhe “luftonin armikun e klasës”, nga ata “të deklasuar” që dëmtonin njerëzit e sërës së tyre, duke i dërguar drejt vdekjes, burgut, internimit e tjera.

Edhe në këtë problem, përherë i pranishëm në shoqërinë shqiptare të sotme, kemi të bëjmë me një tentativë shmangieje të dënimit të komunizmit dhe çrrënjosjes së tij duke mbajtur në politikë dhe drejtim të shtetit të atyre që ushtruan dhunën dhe u komprometuan me regjimin gjë që bie në kundërshtim flagrant me kërkesat e perëndimit dhe rezolutën e Këshillit të Evropës. Nuk është e rastit kur në mes të vitit 1992 qeveria punonte për fillimin dhe vënien në jetë të reformës ekonomike dhe politike, grupi parlamentar i PS paraqiti me nxitim një projektligj për këtë çështje ku e lokalizonte problemin vetëm te spiunët (lexo: bashkëpunëtorët sekretë të Sigurimit), ndërkohë që kishte një përvojë në këtë drejtim (Gjermani, Çeki e Hungari). Që atëherë ata gjithnjë kur del problemi nga të tjerët, por edhe kur janë vetë iniciues, këmbëngulin vetëm në këtë aspekt të problemit, sepse, së pari, mënjanojnë përgjegjësitë e sistemit komunist dhe njerëzve të tij: komunistë dhe sigurimsa; dhe, së dyti, ndëshkojnë dhe një herë ata që në shumicën dërmuese ishin jo nga radhët e tyre, por të rekrutuar me dhunë: “rrethana shtrënguese”. Po e ripërsërisim se ne e hartuam që në shtator të atij viti Ligjin, sipas modeleve të mësipërme, dhe e zbatuam gjatë gjithë kohës për ata që ishin në vartësi të ekzekutivit.

Kohët e fundit debati mbi këtë çështje degjeneroi duke u kthyer në një pazar të fshehtë prapa termit konsensus, sepse tashmë ata janë me shumicë (në të dy palët) në strukturat e shtetit shqiptar dhe kërkonin, (pozita), që të hiqeshin vetëm ata që “ vërtetohet” se kanë dëmtuar në procese politike ndokënd, dhe vetëm disa kategori, por jo më të rëndësishmit, ata që hartuan dhe zbatuan politikat e shtetit dhe Sigurimit. Por kush njeh problemin, e kuptoi mirë se me këtë ligj pakkush do largohet dhe se neve do të na qeverisi dhe do të drejtojë vendin, edhe për shumë kohë llumi i shoqërisë shqiptare të djeshme dhe të sotme - të ligjtë, çka do të jetë me rezultate katastrofike për vendin. Sherri që dhe bllokoi pseudo-ligjin për Lustracionin lidhej me gjyqtarët që do të gjykonin çështje delikate për mazhorancën. Ndërkohë, vërejmë se partia në pushtet i kishte të gjitha mundësitë që, së paku, në krahun e ekzekutivit të largojë njerëzit e dhunës dhe mëkatarët (edhe në se i ka punësuar vetëm si të tillë, në çka unë besoj pa më të voglin dyshim), e të paraqiste ligjin sipas modeleve të vendeve që përmendëm më lart për krahët e tjerë (ligjvënësit e gjyqësori), të cilët të mos t’i propozojë për këto struktura, nëse venë ndesh me kërkesat që këmbëngul (ajo i futi në vende të sigurta në listat e deputetëve që nga operativët ilegalë e deri informatorët). Po kështu duhet të hiqen titujt, dekoratat e tjera, që regjimi komunist i jepte njerëzve të vet, dhe jo të ndodhi e kundërta, që mëkatarët nderohen me tituj e dekorata të larta edhe sot, iu vihen emrat e tyre shkollave dhe rrugëve për ta përjetësuar turpin.

***

Sistemi diktatorial komunist ishte një sistem i dhunës të shtetit, të një pakice mbi shumicën. Ishte sundimi i partisë së komunistëve ndaj shumicës së popullit, që duhej të bindej verbërisht në gjithçka nën presionin e një terrori të egër e çnjerëzor, ndërsa sot shkojmë drejt diktaturës së një klani tepër të ngushtë. Kuptohet që kur ishte e mundur individët dhe mund të shmangnin urdhrat, rregullat e ligjet e rrepta të sistemit, por këtë e bënin duke rrezikuar dhe jo se kjo lejohej si dyzim i sistemit, kur në këtë mënyrë ishin bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës, siç shprehet tash së fundi Blendi Kajsiu (“Panorama”, 26.08.2008).

Është më se e qartë se kjo tezë u shërben mëkatarëve (komunistë ose jo) për t’i mbrojtur ata dhe ndihmoi shumë prej të komprometuarve gjatë diktaturës si dhe antimitingashët dhe vullnetarët e Enverit që të futen në politikë me lista të emëruarish, madje të lozin dhe rolin e antikomunistit të egër (për të fshehur të kaluarën ose me porosi për të kryer, detyra të reja). Për ata që e kanë dëgjuar dhe mësuar sot këtë parullë, duhet të sqarojmë se atë e përdorën pak njerëz, ndërsa përgjithësisht militantët realë të PD dhe e djathta e kundërshtuan.

Në atë kohë të fëlliqur komuniste ligjit mund t’i bëje bisht, por rrezikun e kishe ti, nuk është e vërtetë që kishte tolerancë që buronte nga dyzimi i shoqërisë. Sigurisht që duhej të bindeshe. Veçse nuk vidhnin të gjithë, se kishte bllok të udhëheqjes, vidhnin ata që cubllikun e toleronin (cub - ai që vjedh për të mbajtur frymën), por jo të gjithë. Dhe hajdutët ndëshkoheshin (vjedhja e grabitja nuk legalizohej). Sigurisht që për komunistët, ushtarakët e njerëzit e tyre kishte favore që duhen quajtur “përfitime në natyrë” (rroga të mira,vende pune, të drejta studimi e të tjera).

Degjenerimi i sistemit në vitet kur shumica dërmuese e shqiptarëve nuk besonte se socializmi ishte toka e premtuar dhe se gjendja sa vinte e keqësohej, u shoqërua dhe me vënie dorë në mallin e shtetit, por fjala nuk ishte për hise në tenderë, licenca koncesionesh ndotëse e hidrocentrale në letër, leje ndërtimi e privatizime shumëmilionëshe, por në tulla, gozhdë, misër që përgjithësisht mungonin në treg. Ishin shumë të pakët ata që jetonin duke shitur mallra të vjedhura. Dhe kush vinte dorë mbi mallin e shtetit, nuk mburrej se ishte i fortë apo i zoti, e shumta mundoheshin të justifikoheshin se po mbanin fëmijët me bukë.

Komunizmi, me privilegjimin e një pakice, me prishjen e barazisë në të drejta e mundësi, krijoi idenë se disa favore iu lejohen një pale e të tjerëve jo. Kujtoni këtu të ashtuquajturën politikë penale. Por ajo që ishte mbizotëruese ishte barazitizmi në varfëri dhe në pësimin e dhunës.

Që t’i quash të gjithë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës, do të thotë që askush nuk iu kundërvu regjimit haptazi apo në heshtje, do të thotë që të gjithë u dhunuan, e që të gjithë përfituan e mëkatuan. Kjo nuk është aspak e vërtetë, madje është më shumë se fyese për ata që vuajtën, u vranë, u burgosën, u internuan, iu privuan të drejta, u dëbuan nga vendlindja, iu mor prona, bënë punë të detyruar e tjera. Madje në atë kohë pati dhe komunistë që mënjanoheshin apo dhe ndëshkoheshin, sepse nuk tregoheshin të zellshëm ose zbehnin luftën e klasave, dhe ndër ta asnjë nga ata që pas ’90-tës janë kthyer në demokratë. Sot po, mbase jemi bashkëfajtorë, sepse mund të distancohesh dhe të kundërshtosh pa pasur frikë (deri diku), nëse nuk je në punë shteti e bën biznes të mirë, për sa kohë që regjimi të mos ketë degjeneruar, pa kthim, në shtet të krimit.

Komunizmi u luftua me armë si gjatë Luftës së Dytë Botërore, ashtu dhe pas marrjes së pushtetit prej tyre, u luftua me rebelim (Postriba) dhe me çeta e luftëtarë të lirisë të desantuar nga ajri, u luftua politikisht nga deputetët dhe intelektualët që organizoheshin, u kundërshtua nga kleri, qenë mijëra ata që arratiseshin nga kufiri e të shumtë ata që kapeshin dhe vriteshin ose burgoseshin. Të gjithë u përgjakën, u dhunuan barbarisht ata dhe familjet e tyre, u vranë pa gjyq e me gjyqe komuniste, vdiqën nën tortura e nuk kallëzuan askënd. U internuan mijëra familje (gra e fëmijë), me qindra vdiqën urie dhe nga epidemitë kampeve, të tjerëve internimi apo dëbimi u mbaroj pas viteve ’90. Burgjet ishin gjithnjë plot, madje kishte dhe fushata internimesh, kishte Burrel, Spaç, Qafë Bar, Maliq, Beden e Bënçë e të tjera. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, hartoheshin dhe lista të atyre (të ashtuquajturit “kontingjent”) që do të pushkatoheshin, internoheshin apo deportoheshin në rast lufte.

Ishin me dhjetëra-mijëra ata që e ngrysën jetën me kokën lart, edhe pse vuajtën, që nuk fshehën “biografinë”, nuk mohuan të afërmit e nuk u divorcuan, që nuk ndryshuan mbiemrat e që nuk iu nënshtruan burgjeve e kampeve. Ishin të shumtë ata që praktikuan fenë dhe nuk e mohuan dhe me besim te Zoti pranuan martirin. Ishin të shumtë ata, të cilëve iu mohuan të drejtat për arsimim, për punë në profesionin e tyre, të drejtat për të shkruar e botuar, si “armiq të klasës” , si njerëz me “biografi” të keqe . E pësoje në ato kohë të këqija për një fjalë, pse dëgjoje radio e muzikë të huaj, pse lexoje libra jo me kapak të kuq, për veshjen dhe flokët. E veprimtarët komunistë më aktivë të atëhershëm në këtë dhunë sot na predikojnë demokraci, pa dënuar të kaluarën, pa pendesë.

Gjithashtu pati nga ata që u burgosën, internuan dhe iu hoqën të drejtat pse nuk pranuan të bëhen spiunë, nuk pranuan të bënin dëshmitarin në procese politike, nuk denoncuan kënd. Të tjerë rezistuan, pati dhe që nuk u aktivizuan. Të gjitha këto grupime të fundit ishin shumica e popullsisë të qyteteve dhe qendrave të mëdha të banuara, e jo vetëm ata, që përqafuan e mbështetën menjëherë pluralizmin. Pikërisht, pse ishte kundër regjimit, shumica e shqiptarëve, u rrethua kufiri me tel me gjemba e fusha të minuara. Nuk mund të quhet faj antikomunizmi i tyre, rezistenca reale ose pasive e tyre dhe për një gjë të tillë t’i dhunosh. Përkundrazi.

E gjithë kjo mënyrë ndryshe e të menduarit, e të jetuarit, e të rezistuarit ndaj regjimit nuk është gjë tjetër veçse disidencë. Nuk ka rëndësi forma e shprehjes së saj. Mos e kërkoni atë si në Çeki, Poloni e gjetkë, sepse e ndryshme ishte dhuna dhe pasojat, madje këtu quheshe armik dhe kur nuk brohorisje. Madje kishte dhe disidencë pasive. Shkrimtarë që refuzuan të shkruajnë romane që t’i përgjigjeshin flakë për flakë vijës së partisë, apo vjersha për partinë dhe Enverin e parë, piktorë që u mbyllën në studio, historianë që refuzuan të shkruajnë për Haxhi Qamilin e të tjerë, u quajtën intelektualë borgjezë e nacionalistë , u diskriminuan etj. Veçse nuk mund të quhet disidencë kundërshtimi i regjimit nga një pjesë e njerëzve të Bllokut, pasi futeshin burgjeve baballarët e tyre dhe ata ose të quash komunistë “të mirë’ ata që regjimi i eliminonte dhe përpara pushkatimit thërrisnin për partinë dhe diktatorin. Ata duhen respektuar kur vuajtën dhe mbetën të ndershëm.

Pati nga ata, jo të paktë, që heshtën e bënë sikur nuk panë kur dhunoheshin shokët e punës, fqinjët apo të afërmit, nga ata që praktikuan hipokrizinë për të mos thënë të vërtetën, por “siç duhej”, dhe sjelljen dhe indiferencën e tyre e justifikonin me konservimin. Mundet që të ketë luajtur një rol këtu dhe individualizmi i shqiptarit dhe vështirësia për jetë e veprime të përbashkëta, si dhe u shfrytëzua dobësia njerëzore për të qenë me të fortin, atë që të siguron përfitime. Pati dhe më keq njerëz që gëzoheshin për këtë, pati puthadorë e servilë të zellshëm; por pati dhe nga ata që i shërbyen regjimit: spiunë, dëshmitarë denoncues, komunistë e operativë. Këta nuk ishin shumica. Indiferentizmi dhe mosrezistenca lehtësonte regjimin, por kjo nuk ishte përcaktuese. Komunistët shqiptarë treguan që gjatë luftës se për ta duhej pushteti dhe se për ta mbajtur atë nuk kishte humanizëm e as tolerancë për kundërshtarët dhe ata që nuk ishin të një mendjeje me ta, veçse “zjarr e hekur”, madje dhe “ligjet” e tyre ishin kriminale, e kjo duhet njohur dhe treguar. Edhe për t’u mos u përsëritur. Do të mjaftonte “porosia” e Enverit të Parë për Zai Fundon për t’u kuptuar makabriteti i regjimit të ardhshëm komunist shqiptar: “Torturojeni deri në vdekje, pastaj pushkatojeni”.

Vazhdimi me këmbëngulje gjatë diktaturës i një politike absurde e pa asnjë reformim në drejtim të tolerancës dhe liberalizimit të jetës së vendit, e shoqëruar përherë me një politikë represive në rritje dhe shkelje të të drejtave më elementare të njeriut, detyroi gjithnjë e më shumë njerëz të heshtnin, të nënshtroheshin, të bëheshin konformistë e madje dhe të zellshëm, sepse rrugë tjetër mbijetese nuk kishte, sepse dhe askush nuk po iu dilte zot shqiptarëve. Veçse nuk po i shohim të bëjnë autokritikë (siç ua kërkonin viktimave para dënimit), as dhe pendesë dhe kjo është një e keqe e madhe, jo vetëm për ata që përqafuan e mbështetën menjëherë pluralizmin.

Prandaj komunizmi luftohet; dënohet dhe çrrënjoset duke iu bërë të ditur njerëzve metodat, zbatuesit dhe krimet që shkaktonin apo kryenin, historinë gjysmëshekullore me fakte dhe shifra, parime e veprime, duke mos harruar rishkrimin e historisë së asaj periudhe, sidomos në tekstet shkollore. Atëherë do të dimë çfarë të shmangim: ide, metoda, e njerëz që nuk ndryshojnë dot. Duke kryer këtë proces njohjeje e demaskim-dënimi, kemi luftuar rrënjët e nostalgjisë, d.m.th., praninë e vazhdueshme të metodave dhe mjeteve propagandistike të regjimit të dikurshëm, që dhe sot, qoftë fshehurazi qoftë sheshit, i ndeshim përditë, e që mundohen të na i shtien në mendje që nga populizmi, ilegalizimi, parazitizmi, shteti pa taksa, dezinformimi (shpifje për kundërshtarët, shifra e suksese të rreme për vete), antikorrupsioni fiktiv, vjedhje të votë së lirë, angazhime e parulla që harrohen e të tjera. Prandaj dhe nostalgjia duhet të shqyrtohet e të shihen rrënjët e saj ideologjike, ato në mentalitetin tonë por sidomos, mbijetesa e njerëzve të inkriminuar të së kaluarës, të cilët me praninë e tyre deri në sferat e larta të politikës dhe të shtetit, mundohen të krijojnë iluzionin e vazhdimësisë, se ka pasur gabime por vija e përgjithshme ka qenë e drejtë e të tjera përralla, që në farë mënyre është legalizim i krimit komunist, duke u mbështetur nga mediet shërbëtore të tyre në këtë operacion perfid, dhe nga thuajse mungesa e opozitës me të cilën është njësuar.

Lufta kundër krimeve të komunizmit, njohja e atij realiteti në gjitha aspektet dhe përpjekjet për çrrënjosjen e tij nuk janë luftë civile në Shqipëri, d.m.th. luftë kundër njeri tjetrit. Me individin në demokraci merret ligji, jo qytetarët. Ata shumë-shumë bëjnë denoncime e akt-padi, praktikë kjo që u përdor rrallë këtu te ne, mundet ngaqë, siç vëren Mehdi Frashëri, “i ndjekuri bëhet gjithnjë liberal, se ka vuajtur vetë” (“Probleme shqiptare”, ’73), ose nga mosbesimi te drejtësia. Megjithatë, kam dyshimin se si në shumë vende të tjera ku ka pasur luftë civile ose thuajse luftë civile (Spanjë, Greqi, Itali etj), kundërvënia e së majtës me të djathtën bart mbi vete të kaluarën, e cila nuk harrohet lehtë. Kjo është një arsye më tepër për njohjen e plotë të së kaluarës dhe dënimin e saj.

Sjellja e së majtës shqiptare, që nuk dënon të kaluarën, por përdor mjete të tërthorta, në mos të drejtpërdrejta, për të mbajtur gjallë nostalgjinë për regjimin e urryer komunist dhe kultivuar idenë e vazhdimësisë, qoftë dhe me ndryshime, por jo çrrënjosjen, sjellje me të cilën bashkohen dhe të tjerë ish-komunistë dhe vegla të tyret, të shtyjnë natyrshëm të mendosh se ndërmjet nesh ka ende njerëz primitivë që e gjykojnë si një veprim normal dhunën, luftën e klasave (ose të kundërtën: krahinalizmi dhe nepotizmi e klientelizmi feudal, tanët dhe të tjerët), vjedhjen dhe korrupsionin, etatizmin dhe autoritarizmin e të tjera. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për atë që sot pretendon se është e djathta, por që s’ka asnjë lidhje me të në njerëz e program,

Kjo është arsyeja e nevojës imperative për dënimin dhe çrrënjosjen e komunizmit si doktrinë, mentalitet e praktikë, duke e gjykuar si një përvojë negative në historinë e shqiptarëve, pa të cilën nuk do të ketë përparim, pajtim real kombëtar e integrim real pa probleme të pa zgjidhura në Bashkimin Evropian dhe NATO. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë e nuk duhet të pranojnë që fantazmat e së kaluarës të lozin me fatet e tyre dhe të fëmijëve të tyre, të përdorin tranzicionin dhe mëkatarët (vrasës, spiunë, hajdutë dhe të korruptuar), për ta kthyer Shqipërinë në një vend - të hajnave dhe të ilegalitetit, që për t’u kthyer në normalitet do të duhen dhjetëvjeçarë në mos shekuj, për ata që do pranojnë të mbeten këtu, apo që nuk ikin dot gjëkundi.

Kur të njihet mirë e mbi fakte historia e kësaj periudhe turpi dhe asaj që pasoi, atëherë le të flasim, por asnjëherë mbi histori kafenesh e me përralla e tregime komuniste. Prandaj nuk duhet përzierë “kashta me kokrrat” që të mos dallohet e mira nga e keqja, fajtorët dhe mëkatarët për krime, me viktimat.

Çudia tjetër në skenën e politikës shqiptare rezultat i kësaj filozofie pështjelluese është se asnjë i akuzuar në publik për spiunë, nga radhët e politikanëve, nuk mbrohet edhe kur akuzat dhe fyerjet në media janë ekstreme për individin dhe grupimin politik apo institucionin që drejton me të tjerë, kur sot, për hiç gjë, ka të tjerë që vriten. Askush pra nuk mbrohet nga kjo fyerje dhe ulje e dinjitetit të tij (nga këndvështrimi antikomunist), as dhe shteti nuk ndërhyn për të mbrojtur institucionet, kur poshtërohen titullarët. Të krijohet bindja se akuzat janë të vërteta dhe se janë krenarë që i shërbyen diktaturës, pra, për ta, këtu nuk ka asgjë të keqe. Këtë mendim na e përforcon fakti se me ndonjë përjashtim të rrallë te ne mungojnë shembuj të pendesës nga mëkatarët (nuk është i tillë pranimi i mëkatit, kur i është bërë i njohur publikut nga mediet).

Është jashtë çdo dyshimi që sot, nga krerët të zhytur në rrugën e keqe, kërkohen njerëz me mëkate të së kaluarës apo të sotmes, por nuk është e vërtetë se edhe po u more i ndershëm, nuk do mbetesh pa u njollosur. Përgjithësisht sot njerëzit përzgjidhen me njolla apo të lidhur me establishmentin krahinalisto-nepotik, për t’i shërbyer atij, pra njerëz të gatshëm për t’u njollosur. Shembull janë të “emëruarit” në listat e deputetëve të qeverisë.

Po kaq e vërtetë është se, kur shteti dhe politika merr rrugë të shtrembër, të dobëtit mund të thonë vemi dhe ne me ta, të përfitojmë, por ata e dinë mirë se kjo është rrugë e keqe e antiligjore dhe e padobishme për vendin. Legalizimi i veprimeve të gabuara nuk është shërim. Këta nuk janë shumica. Lufta ndërmjet së mirës dhe të keqes ka qenë gjithnjë gjatë historisë njerëzore, por i takon klasës politike të japë shembullin e mirë dhe të luftojë për të. Kjo ende nuk po ndodh.

Krimet e epokës komuniste nuk duhen harruar, sepse prej saj - kujtesës, do fillojë rilindja. Kështu, Rilindja Shqiptare filloi tek arbëreshët, me kujtesën historike, të cilët kurrë nuk e harruan vendin e të parëve, vuajtjet e të parëve, fenë e të parëve, historinë e të parëve, heroin e të parëve, Gjergj Kastriotin. Vetëm atje është rilindja jonë, te kujtesa e vuajtjeve, te kujtesa e mbrapshtësisë dhe turpit, te nevoja për të mos e përsëritur dhe detyrimin për të ndryshuar. Nuk ka trishtim më të madh se të shohësh ekraneve të medieve të flasin me paturpësi për mëkate të asaj kohe dhe dënimin e mëkatarëve vetëm mëkatarët, që nuk e kryen kurrë katarsisin (të bindur që kryetarët nuk do t’i shesin). Ky front i përbashkët i ish-komunistëve me mëkatarët nuk mund të jetë i përjetshëm e as duhet të na trembë. Fundi i tyre do jetë i turpshëm, edhe nëse për këtë do duhet një dhjetor i dytë. Sot, ose kurrë më, nesër do të jetë tepër vonë. Të gjithë ata që aspirojnë demokracinë perëndimore dhe që Shqipëria të integrohet sa më parë në Evropë nuk duhet të rrinë në mëshirën e fatit që na e kushtëzojnë ish-komunistët dhe mëkatarët, kjo që po ndodh është më keq se parodi dhe qëndrimin tonë indiferent nesër askush nuk do të na e falë. Fati i jonë, i fëmijëve tanë, fati i gjithë shqiptarëve dhe i kombit nuk mund të jetë e nuk duhet lejuar të jetë në duart e hajdutëve të votave.

www.aleksandermeksi.com

Botuar në “Gazeta shqiptare”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›