E Diel, 1 Nëntor 2026

“The day after tomorrow”Nga Ervin Qafmolla, Revista “Mapo”E nesërmja e shumëpritur që në mos erdhi, thjesht ndodhi, fashiti diskutimin e premtimeve politike. E megjithatë, qeveria e ardhshme ka përgjegjësinë e përmbushjes së tyre. Pyetja e natyrshme

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

“The day after tomorrow”Nga Ervin Qafmolla, Revista “Mapo”

E nesërmja e shumëpritur që në mos erdhi, thjesht ndodhi, fashiti diskutimin e premtimeve politike. E megjithatë, qeveria e ardhshme ka përgjegjësinë e përmbushjes së tyre. Pyetja e natyrshme është: ǒndodh tani? Rritja e vendeve të reja të punësimit me qindra mijë vende të reja, investimet në shëndetësi, arsim etj. Por edhe nëse premtimet nuk përmbushen, zhvillimi i vendit dhe performanca ekonomike mund të përbëjnë një problem në vetvete. Këtë herë janë gazetarët ata që flasin, duke dhënë këndvështrimin e tyre mbi atë që e pret vendin në muajt që vijnë.

Gjergj Erebara, redaktor i Ekonomisë pranë gazetës “Shqip” vëren se në një farë mase problemet ekonomike të vendit do të lidhen edhe me situatën politike në vend. “Do të përballemi me një situatë shumë të ndrydhur financiare. Kreditë e këqija janë të destinuara të rriten ndërsa fitimet e bankave të destinuara të tkurren. Kreditimi do të mbetet i dobët dhe në këtë pikë rrezikohet edhe inflacioni”, - vëren ai.

Sektori financiar

Sipas Erebarës, janë rreth 400 milionë euro që u tërhoqën në dhjetor-janar dhe mund të kthehen në banka në muajt që vijnë. “Por askush nuk mund ta thotë me saktësi nëse janë vërtet në xhepat e njerëzve apo janë konsumuar si pasojë e krizës”, thekson Erebara. Nga ana tjetër, ai vëren se ndërtimi thuajse po asgjësohet si biznes, duke argumentuar se kreditimi për prona të patundshme këtë vit ka qenë 2.5 herë më pak se një vit më parë. “Presupozohet se tashmë shitjet e sektorit të ndërtimit janë 3 herë më pak, por duhet të kemi parasysh se sektori i ndërtimi punëson rreth 20 mijë veta të deklaruar dhe numëron rreth 2200 kompani”.

politika do të ketë ndikimin e saj në zhvillimin e vendit. “Ka gjasa të kemi një përsëritje të frikshme të periudhës 2001-05; korrupsion masiv dhe pa skrupuj dhe mbipopullim të qeverisë me ministra çka do të thotë krijim ministrish fantazmë”, - thotë Erebara. Ai thotë se cilësia e shërbimeve qeveritare ka gjasa të rrënohet nga mungesa e interesimit të qeverisë për një mandat të tretë dhe ndoshta do të ketë edhe moskokëçarje nga ana e Brukselit për problemet e Shqipërisë.

Punësimi

Ndërkaq Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës “Monitor” vëren se situata ekonomike paraqet vështirësi serioze, sidomos për sektorin e punësimit. “Gjatë viteve të kaluara kemi parë një rritje modeste të vendeve të punës, sidomos në sektorin privat jo bujqësor. Për periudhën 2001-2008, sipas të dhënave të INSTAT vendet e punës të shtuara neto në këtë sektor ishin vetëm rreth 40 mijë vetë, me një mesatare prej 5,000 vende të reja pune në vit”, - thotë Liperi. Ajo sqaron se teksa dhe punonjësit në administratë janë ulur, shtimi i vendeve të reja të punës ka ardhur nga ata që konsiderohen të vetëpunësuar në bujqësi, me një rritje neto prej 42 mijë vetë, në një kohë që bujqësia ka qenë një sektor që gjatë kësaj periudhe e ka ulur kontributin e saj në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) nga 24% në rreth 17% në fund të 2008-ës.

Liperi vëren se duke parë ecurinë e hapjes së vende të reja të punës në të kaluarën, pritshmëritë për shtim me rreth 200 mijë të punësuar në katër vitet e ardhshme nuk duken shumë realiste, për më tepër kur kriza ekonomike globale pritet që të godasë dhe sektorin e punësimit. Ajo shton se gjithsesi, nisur nga projektet për parqet industriale dhe investimet në sektorin e energjisë, është normale që ecuria e punësimit do të jetë pozitive, por ndoshta me ritme më të ulëta sesa pritet. “Lidhur me punësimin, duhet theksuar se është mjaft e vështirë të bëhet një vlerësim i saktë për ecurinë e tij, për shkak të cilësisë dobët të statistikave dhe informalitetit të lartë në vend”, - thekson ajo.

Pritshmëritë ekonomike dhe kriza

Kryeredaktorja e “Monitor” vlerëson se kriza që përfshiu ekonominë botërore i ka dhënë goditje të dukshme ekonomisë së brishtë shqiptare, efekte që filluan të shihen në muajt e fundit të vitit dhe po vazhdojnë të ndihen edhe aktualisht. “Ndonëse qeveria është treguar mjaft e “kujdesshme” në publikimin e të dhënave për tre mujorin e parë, të dhënat paraprake flasin për një ngadalësim të ndjeshëm të qarkullimit të aktivitetit ekonomik, me të ardhurat nga TVSH, që kanë shënuar një rritje minimale prej vetëm 4% në 5 muajt e parë të vitit, në një kohë që deficiti i të ardhurave në buxhet për të njëjtën periudhë arriti në 7.5 miliard lekë”, - thekson ajo. Liperi tregon se eksportet për periudhën janar maj shënuan një rënie vjetore prej 17%, ndërsa deficiti tregtar vazhdoi të thellohej. Gjithashtu, ajo thotë se ngadalësimi i kredisë nga bankat si për biznesin ashtu dhe për individët i ka dhënë një goditje tjetër konsumit dhe ka shtuar problemet e likuiditetit të biznesit, teksa ky i fundit po redukton investimet.

“Të gjitha këto janë sinjale që rritja reale ekonomike për muajt e parë të vitit mund të ketë qenë afër zeros; për të dhëna më të sakta mbetet të presim publikimin nga INSTAT të PBB-së së tremujorit të parë, që ndryshe nga tremujorit i fundit i 2008-ës po vonohet dukshëm”, - vëren Liperi. “Nga ana tjetër ethet elektorale bënë që përpjekjet për të neutralizuar efektet e krizës të ishin shqetësimi i fundit i qeverisë.

Edhe për pjesën e mbetur të vitit nuk pritet ndonjë gjallërim i ndjeshëm i aktivitetit ekonomik, ndërsa turizmi - tek i cili ishin varur shpresa të mëdha - të paktën deri tani ka pasur ecuri minimale për shkak të zgjedhjeve dhe motit të keq”, - shton ajo. Gjithashtu, Liperi parashikon që qeveria të kryejë shkurtime të mëdha buxhetore në muajt e mbetur të vitit për të neutralizuar vrullin e fillim vitit dhe ka të ngjarë të jetë më aktive në mbledhjen e të ardhurave buxhetore për të rikuperuar kohën e humbur. Ajo shpjegon se të dhënat paraprake treguan që plani i të ardhurave tatimore në qershor u realizua vetëm 93%, çka implikon një sjellje më agresive ndaj biznesit.

Megjithatë, kryeredaktorja e “Monitor” vëren se në vitin 2010, ekonomia shqiptare pritet të gjallërohet, në linjë dhe me ecurinë ekonomike botërore, teksa sinjalet janë që kriza tashmë po shkon drejt fundit. “I mbetet qeverisë që të orientojë zhvillimin e vendit me politikat e duhura ekonomike, tërheqjen e investimeve të huaja që nuk ndotin ambientin dhe krijimin e një ambienti të sigurt e të përshtatshëm për të bërë biznes”, - përfundon Liperi.

Shëndetësia

Një ndër sektorët që është cilësuar prioritar - ai i shëndetësisë - vuan nga probleme të cilat përveç mirëmenaxhimit, kanë nevojë për para. Lorina Mixha, gazetare e Rubrikës së Sociales pranë gazetës “Shqip” thotë se një ndër problemet kryesor të sistemit shëndetësor lidhet pikërisht me infrastrukturën e dobët apo mungesën e saj, sidomos në malësi e në zona rurale. Gjithashtu mungojnë mjekët. Mixha vëren se të gjithë specialistët duan të punojnë në kryeqytet, ndërkohë që ka mungesë mjekësh në qytete të tjera. “Për më tepër vërehet se në qytetet e tjera nuk shfrytëzohet kapaciteti i shtretërve, çka dëshmon se fluksi i pacientëve, në mënyrë dërrmuese mblidhet në Tiranë”, - thotë ajo. Korrupsioni ndërkaq mbetet një problem tejet i dukshëm.

Mixha rendit edhe mungesën e zhvillimit të shërbimeve teknike në sistemin shëndetësor shqiptar, çka mund të realizohet në mënyrë efikase përmes privatizimit. “Tenderët janë një problem më vete. Në një sërë rastesh janë shfaqur probleme me to, vonesa dhe mangësi në përmbushjen e nevojave dhe standardeve të kërkuara”, - thekson Mixha. Ajo shton se një problem lidhet me investimet në qendrat shëndetësore të cilat ndodhen në kushte të këqija shërbimi, pavarësisht disa përpjekjeve të realizuara kohët e fundit. “Ndërsa, lista aktuale e barnave është e papërshtatshme, me barna të cilësisë së dobët që shpesh nuk janë të efektshme dhe rimbursohen për një kategori të dobët”, - thotë Mixha. Ajo thekson si ndër mangësitë kryesore fondin e ulët që i alokohet shëndetësisë në buxhetin e shtetit, në një kohë që rritja e këtij fondi nga viti në vit është e ulët. Në këtë pikë, sektori ka nevojë për para. Dhe paratë në kushtet e krizës ekonomike janë një problem i madh.

Mungojnë paratë

Tashmë është e qartë se paratë do të mungojnë për të realizuar edhe investimet e domosdoshme. Tabloja fiskale e vitit që shkoi dhe fillimit të këtij viti flet për shterpësi të ardhurash. Shitjet në ekonominë shqiptare duket se kanë qenë praktikisht zero gjatë tremujorit të parë të këtij viti, pasi Ministria e Financave ka arritur të arkëtojë të njëjtën shumë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar si në tremujorin e parë të vitit të kaluar. Të ardhurat nga TVSH për periudhën janar-mars 2009, ishin 24.4 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 0.4 miliardë lekësh ose 1.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008, bëhet e ditur nga statistikat që u publikuan vetëm pak ditë më parë. TVSH përdoret njëkohësisht për të matur qarkullimin e mallrave në ekonominë shqiptare dhe ecuria e këtij treguesi flet për gjendjen ekonomike të vendit në tërësi. Në vlera reale, shitjet në ekonominë shqiptare kanë pësuar rritje zero në krahasim me një vit më parë, për shkak se inflacioni për periudhën ka qenë rreth 1.6 për qind.

Nga ana tjetër, të ardhurat buxhetore financohen si kurrë më parë në nivele të konsiderueshme nga pagat e punonjësve, falë sanksionimit të “pagave të referencës”. TVSH dhe të ardhurat doganore janë gjithashtu në lojë, të paktën në terma nominalë, duke qenë se këto të ardhura janë tkurrur ndjeshëm gjatë 9 muajve të fundit, si pasojë e importimit të efekteve të krizës ekonomike botërore, por edhe të dështimeve të brendshme në planin ekonomik, siç është ndërtimi për shembull. Në terma më popullorë, “shteti vazhdon të mjelë të njëjtën lopë”, pra paguajnë ata që janë të rregullt dhe çështja e ekonomisë informate mbetet ende problem. Në këtë kuptim, gjashtëmujori i dytë i vitit 2009 dhe i pari i 2010-ës vlen për të reflektuar fare do të bëhet në gjysmën e dytë të vitit 2010. Kjo sepse do të mungojnë mundësitë financiare për të zhvilluar projekte të reja.

Nga ana tjetër, qeveria nuk ka mundësi të marrë borxh. Qeveria shqiptare ka marrë sakaq 230 milionë euro në terma tregtarë Euribor +1.25%, si dhe një kredi tjetër që qeveria po orvatet të marrë e cila luhatet nga 250 në 300 milionë euro, me një interes që deri më tash vlerësohet në rreth 11%. Sot vendi ka rreth 6 miliardë dollarë borxh të brendshëm dhe të jashtëm, çka llogaritet në afro 56% e GDP-së dhe çdo shifër tjetër mbi borxhin aktual do të çonte ekonominë në kolaps. Që këtu mbaron çdo ëndërr për rritje, dyfishime apo barazime. Thjesht mungojnë paratë për ta bërë. Sipas parashikimeve më optimiste të mundshme, gjatë vitit 2010 ekonomia botërore do të ndalojë rënien, por dyshohet se do të ketë rritje, pasi aktualisht, rritja është negative, pra nën 0%. Kjo do të thotë se gjasat për investime të huaja paraqiten shumë keq. E gjitha kjo do të thotë se shqiptarët duhet të përgatiten për përkeqësim të ekonomisë në të ardhmen e afërt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›