E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, për Pashkët në Sarandë me Lindën dhe dy fëmijët

“Jam shumë i lumtur që këtë ditë të bekuar ta kaloj këtu midis jush, bashkë me gruan time të dashur dhe me dy fëmijët”

Ndryshe nga ceremonitë e zhvilluara vitet e mëparshme, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka preferuar që Ditën e Pashkëve ta festojë në qytetin e Sarandës. I shoqëruar nga familjarët e tij, Rama ka qenë në mesnatën e së shtunës në Kishën Ortodokse të qytetit bregdetar. Në krah të tij nuk ka qenë vetëm bashkëshortja, Linda, por edhe djali i tij Gregori dhe vajza e Lindës, Rea, e cila është kthyer enkas nga studimet në Itali, për të marrë pjesë në ceremoninë e festimit të Pashkëve. Zgjedhja e Sarandës për të festuar Pashkën, duket se ka qenë një zgjedhje e detyruar për shkak të axhendës së ngjeshur të kryetarit të Partisë Socialiste, gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore. Praninë e tij me familjen, Rama e anonçoi edhe gjatë fjalimit që mbajti në qytetin e Sarandës, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie Stefan Çipa. “Jam shumë i lumtur që këtë ditë të bekuar ta kaloj këtu midis jush, bashkë me gruan time të dashur dhe me dy fëmijët”, tha dje kreu i PS-së para elektoratit socialit. Ndërkohë që pas mitingut, Rama ka zgjedhur një prej lokaleve të qytetit bregdetar për të darkuar së bashku me familjen e tij. Ndërsa më pas, familja Rama është bashkuar me qytetarët e tjerë dhe ka marrë pjesë në ceremonitë festive.

Mitingu

Gjatë takimit elektoral, të zhvilluar në një nga sheshet e këtij qyteti, duke folur para qindra simpatizantëve socialistë, ka vlerësuar që në fillim të fjalës së vet se 8 maji ka një rëndësi jo thjesht për qeverisjen e pushtetit vendor, por për të ardhmen e vendit. Ndaj ai ka theksuar se në një betejë të tillë është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e zgjedhësve në votime, për ti thënë jo më qeverisjes së PD-së dhe Kryeministrit Sali Berisha dhe për t’i hapur rrugë alternativës së zhvillimit të vendit. “Jam shumë i lumtur që këtë ditë të bekuar ta kaloj këtu midis jush, bashkë me gruan time të dashur dhe me dy fëmijët. Motra dhe vëllezër, më 8 maj është një ditë e shënuar për të gjithë ata që kërkojnë t’i hapin vetes së tyre, familjes së tyre, qytetit të tyre dhe këtij vendi, atdheut tonë të përbashkët për një rrugë të re. Rrugën e zhvillimit, rrugën e punësimit dhe të mirëqenies. 8 maji është një ditë në të cilën në fakt ju dhe të gjithë shqiptarët do të duhet të zgjedhin midis dy rrugësh dhe modelesh tërësisht të ndryshme. Midis modelit tonë të zhvillimit dhe të suksesit dhe modelit të tyre”, - tha Rama në fjalën e vet. Sipas tij, një prej shëmbëlltyrave më tipike të kësaj keqeverisje është pikërisht Saranda, e cila drejtohet prej vitesh nga PD. Ndaj, ka bërë të qartë kreu socialist se, për t’i thënë ndal këtij modeli qeverisës, qoftë të pushtetit qendror, ashtu edhe të pushtetit vendor, është e rëndësishme që qytetarët të mbështesin kandidatët e koalicionit të majtë, si e vetmja rrugë për zhvillimin e vendit. “E vetmja rrugë është vota kundër këtij modeli dhe vota për modelin e Partisë Socialiste, për modelin tonë të suksesit”, - u shpreh më tej Rama. Ndërkohë, duke ju trembur një përçarje të votës së vet, socialistëve, për shkak të pakënaqësive që pasuan procesin e përzgjedhjes së Stefan Çipës, si kandidat për kryetar i Bashkisë së Sarandës, Rama ka ftuar qytetarët e kësaj njësive vendore, që të votojnë për kandidatin e koalicionit të opozitës, pasi ai nuk përfaqëson vetëm veten e vet, por edhe kandidatët rival brenda radhëve të kësaj force. “Stefan Çipa nuk është vetëm dhe vota për Stefan Çipën, nuk është vota për një individ, por është vota për një skuadër, bashkë me Rajmonda Gjonin dhe me Jorgo Mitrën. Një skuadër, e cila dëshmon fuqinë e bashkimit të njerëzve për të mirën e përbashkët të të gjithë komunitetit. Fuqinë e bashkimit të ambicieve të secilit, për ambicien e madhe të një Sarande ndryshe”, - tha Rama. Rama ka gjetur rastin që ta akuzojë kryetarin aktual të Bashkisë së Sarandës se në mënyrë absurde ka dhënë leje të pafundme ndërtimi, duke varrosur sipas tij bukuritë turistike të kësaj perle të bregdetit shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›