E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në verë, pikë e re kufitare me Malin e Zi

29/03/2005  “Dogana” do të jetë në liqen

SHKODËR – Pikë e re e kalimit kufitar mes vendit tonë dhe Malit të Zi. Marrëveshja e arritur rreth një vit më parë, në mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi, për hapjen e një pikë kalimi të ri kufitar, tashmë jo në rrugë tokësore, por në liqenin e përbashkët të Shkodrës, si dhe fillimi i transportit ujor, të udhëtarëve dhe të mallrave, nëpërmjet këtij liqeni në linjën Shkodër-Vill Pazar, pritet të konkretizohet para fillimit të sezonit të sivjetshëm turistik. Kjo është konfirmuar në takimin e zhvilluar dje në qytetin e Shkodrës, ndërmjet drejtuesve të policisë kufitare të dy shteteve fqinjë. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe drejtuesit lokalë të qytetit të Shkodrës si dhe përfaqësues të Ministrisë së Transporteve të dy vendeve. Drejtori i policisë kufitare dhe emigracionit në Ministrinë shqiptare të Rendit, Arjan Rugji, sqaroi për të pranishmit se duke qenë se takimet deri tani kanë shkuar vetëm në nivel ekspertësh të dy Ministrive të Transportit, afatet kohore të zbatimit të kësaj marrëveshjeje do të jenë në varësi të përmbushjes së një sërë detyrimesh ligjore, që kërkohen për hapjen e një vendkalimi të tillë kufitar. Në lidhje me zërat e përhapur se pikat kufitare të Shkodrës janë bërë epiqendra e shfrytëzimit të kondrabandistëve, ai i ka përgënjeshtruar ato, duke sqaruar se krimi i organizur tenton të kryejë veprimtarinë e tij të kondrabandës, jo vetëm në Shkodër, por në çdo drejtim të vendit, pasi ata nuk njohin kufi. Hapja e kësaj pike kufitare do të shërbejë për zhvillimin e ekonomisë dhe të turizmit të dy vendeve, por e rëndësishme është se në kuadër të bashkëpunimit të mirë ndërkufitar do të krijohet edhe një grup i përbashkët patrullimi i liqenit, që do të thotë përgjegjësi e përbashkët për ruajtjen e kufirit, gjë që do të ndikojë direkt në frenimin e kondabandistëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›