E Diel, 1 Nëntor 2026

Hodges i bie hasha vetvetes

29/03/2005  Skandali-Butrint

Drejtori shkencor dhe ekzekutiv i fondacionit „Butrinti“, prof.Richard Hodges i ka rënë hasha gjithçka ka thënë në lidhje me skandalin e Butrintit. Dje në tryezën e rrumbullakët të organizuar në Sarandë, Hodges ka qenë më i butë se disa ditë më parë në Tiranë, duke mohuar çfarë ai ka thënë me rrezikun e përjashtimit të Butrintit nga UNESCO.

„Nuk duhet trembur për këtë, sepse UNESCO nuk është Rambo“, është shprehur dje, Hodges, duke mos pranuar fjalët që ka pohuar në mediat shqiptare. Madje, ai ka shkuar deri aty, sa ka mohuar intervistat dhënë në media, duke ia veshur këtë publikisht dhe pretendimit se është përkthyer jo drejtë nga gazetarët. Nga ana tjetër, zëri i Hodges, i regjistruar në diktofon, është i qartë në lidhje me gjithë vërejtjet e tij drejtuar Parkut të Butrintit dhe keqmenaxhimit të masterplanit të UNESCO-s.

„Këtë fakt e bën të ditur vetë UNESCO, pasi në vjeshtën e vitit 2003, ata dërguan një komision për të parë situatën në Butrint. Pas këtij kontrolli, ata formuluan një raport prej 28 faqesh, janarin e vitit të kaluar, pra, para 15 muajsh, ku thuhej se menaxhimi i shqiptarëve duhet të ndryshojë. Fondacioni "Butrinti" u përpoq të ndihmonte qeverinë shqiptare në përballimin e kësaj situate, por asgjë nuk u bë. Ka probleme madhore në lidhje me menaxhimin e Butrintit. Ka një masterplan në lidhje me këtë, por nuk ka asnjë përpjekje për ta zbatuar atë. Tryeza e rrumbullakët, e cila do të zhvillohet të hënën në Sarandë, është një përpjekje për të gjetur mënyrën për të bindur këdo se sa i rëndësishëm është ky problem, për të kuptuar zgjidhjet që duhen bërë. Në rast se nuk do të jepen zgjidhjet e nevojshme dhe autoritetet shqiptare nuk mund të gjejnë zgjidhje për të vënë në zbatim masterplanin e menaxhimit, atëherë Butrinti do të përjashtohet nga lista e Trashëgimisë Kulturore Botërore në muajin qershor dhe dyshoj se, meqenëse është edhe zona elektorale e Kryeministrit Nano, do të krijojë edhe probleme ndërkombëtare“, kjo është fjala e përkthyer e Hodges për gazetën „Metropol“.

Ndërkohë, në tri orët e para të mbledhjes së djeshme në Sarandë, Hodges nuk i është drejtuar asnjëherë me tone ashpra drejtorit të Parkut të Butrintit, Auron Tare.

Madje, as që e ka zënë në gojë punën e tij. Tërheqja e befasishme e Hodges-it, nga fjalët e prononcuara pak ditë më parë, është mbuluar po prej tij, duke e paraqitur situatën si në të shkuarën. Me këtë, Hodges është shprehur se një problem i tillë, pra rrezikimi i përjashtimit të Butrintit nga UNESCO, ka qenë në „planet e së kaluarës“. Ndërsa situata është thjeshtuar më shumë, kur ka sjellë në mendje mbi 198 shtete që janë përfshirë në UNESCO, se dhe Butrinti ka po aq probleme të „vogla“ sa çdo vend që përfshihet në këtë listë.

Ndërsa, ashtu si mediat e tjera dhe në intervistën dhënë gazetës „Metropol“, drejtori fondacionit të Butrintit është shprehur se: „Ne si fondacion jemi përpjekur të ndihmojmë qeverinë shqiptare, të ndihmojmë planin menaxhues, zhvillimin e tij, por kemi zbuluar se menaxhimi dhe koordinimi në Butrint, nuk po ecën aspak përpara. Në fakt, shpenzohen lekë më kot. Ndërkohë që, ne përpiqemi të bëjmë punë të mëdha, si në rastin e këtij libri, shpenzohen lekë në gërmime, në metoda të kohës së Ali Pashë Tepelenës, në vend të kërkimeve shkencore moderne. Kjo është një tragjedi për Butrintin, një tragjedi për Shqipërinë dhe jo vetëm, pasi në rast se Butrinti do të përjashtohet nga trashëgimia kulturore e UNESCO-s, do të jetë një tragjedi për të gjithë Mesdheun“.

Pas gjithë këtyre vërejtjeve, që për pak u duk se do të bëhej katrahura midis dy institucioneve, Hodges krejt papritur nuk i ka qëndruar në „besë“ fjalës së tij, por, përkundrazi është shprehur se vlerësonte punën e drejtorit të Parkut të Butrintit, Auron Tare. Edhe drejtori i Institutit të Arkeologjisë shqiptare, Myzafer Korkuti, në të njëjtën ditë, ka ndarë të njëjtin shqetësim serioz me prof.Richard Hodges. Korkuti është shprehur për "Metropol" se, "është i vërtetë një fakt i tillë. Në këtë moment, Butrinti rrezikon të përjashtohet nga Trashëgimia Botërore, pasi detyrat e lëna nga UNESCO, rreth tre vite më parë, nuk janë realizuar në parametrat e duhur. Ka monumente kryesore, në të cilat nuk mund të ndërhyhet pa një konsultë të mirëfilltë shkencore, jo vetëm aktualisht, por as në perspektivë dhe për këtë përgjegjësia bie mbi zyrën e menaxhimit të Parkut të Butrintit, kryesisht drejtorit Tare, i cili, jo vetëm nuk është kompetent për atë post, por as konsultohet me specialistët e fushave respektive. Dihet që mendimi kolegjial i këshillit shkencor, si i Institutit të Monumenteve të Kulturës, ashtu edhe të Arkeologjisë, është mendimi që zgjidh problemet. Çështje si Butrinti, nuk mund të zgjidhen në nivele administrative të ministrisë apo në rangje të tjera, kjo vetëm në Shqipëri mund të ndodhë“.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›