E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznes i ri me varret, ditën ndërtohen, natën shkatërohen

29/03/2005  Familjarët denoncojnë shkatërrimin e pllakave të qivureve dhe fotografitë

DURRËS - Varrezat e vjetra në Durrës janë bërë objekt i dhunës së ushtruar nga persona të ndryshëm. Denoncimi, për dëmtimin e varreve, vjen nga të afërm të të varrosurve, të cilët fajësojnë për këtë firmat apo edhe punishtet e prodhimit të qivureve, me qëllim që atyre t’ju shtohet puna, kundrejt nevojës për riparimin e varreve. Nga ana tjetër, familjarët denoncojnë edhe ndërmarrjen e posaçme për mirëmbajtjen e varrezave, e cila sillet me indiferentizëm përballë rasteve të përsëritura.

Familjarë të të varrosurve të këtij qyteti kanë dëshmuar se rastet e dëmtimit të pllakave, fotografive, luleve e vazove të varreve janë të shumta. Por, te varrezat e vjetra ka mjaf varre të tjera, që krahas dëmitimit të vazove, luleve, fotografive apo pllakës, vërehet edhe dhuna e ushtruar në qivure, duke i dëmtuar plotësisht ato.

Ata kanë kërkuar ndihmën e ndërmarrjes së shërbimit komunal, të cilët, edhe pse të njoftuar disa herë për rastet e përsëritura, nuk kanë mundur të frenojnë këtë fenomen. Familjarët e të vdekurve kanë bërë edhe denoncime në polici, ndërsa janë shprehur se detyrohen të ruajnë vet varret e të afërmve të tyre.

Rasti i fundit i konstatuar nga familjarët ka qenë dje, kur dy prindërit Bicja, teksa kanë shkuar për homazhe te varrezat e vjetra kanë vërejtur se persona të paidentifikuar u kishin hequr pemët dekorative të mbjella si dhe fotografitë e të vdekurve.

Në një intervistë për gazetën “Metropol”, Guri Bicja (punonjës i

administratës së prefekturës Durrës), tregon për dhunimin më të fundit të varrit të djalit të tij, si një nga shumë rastet e përsëritura.

Kur e vërejtët dëmtimin e varrit të djalit?

Në mënyrë tragjike kam humbur djalin tim, Orland Bicja, në vitin 1999, kur ai ishte 20 vjeç. Me shumë sakrificë, ashtu siç bëjnë prindërit e të afërmit në këto raste, edhe unë i ndërtova një varr, që më ka kushtuar shumë. Për të bërë homazhe shkoj çdo të diel, por për shkak se ra shi, unë vizitova varrin e djalit të

hënën. Sapo shkova, pashë se dikush kishte hequr një pemë që e kam marrë nga fshati im i lindjes, duke e mbjellë te koka e varrit. E kisha zgjedhur pemën, pasi djali e pëlqente shumë atë se nxjerr lule të kuqe dhe ka erë të këndshme.

Ka ndodhur edhe herë tjetër?

Po. Kjo është hera e dytë që dikush heq pemën e mbjellë. Këtu janë dhjetëra familjarë që ankohen për dhunimin e varreve dhe këto veprime të turpshme e të frikshme na kanë indinjuar pa masë. Dikuj i vjedhin fotografinë e bërë në porcelan, dikuj tjetër pllakën e mermerit, lulet, vazot e deri te dëmtimi i varrit.

Disa kohë më parë më kanë dëmtuar fotografinë e djalit, duke e qëlluar me mjete të forta. Janë shumë qivure që kanë pasur këtë fat. Të tjerë varre janë mbuluar nga mbeturinat dhe materialet inerte që hidhen mbi to nga familjarë që restaurojnë varret e të afërmve, pa menduar për dëmtimin e të tjerëve.

Mendoni se janë veprime të qëllimshme?

Unë mendoj se janë veprime të qëllimshme. Sektori i mirëmbajtjes së varrezave ka shumë punëtorë, me sa di unë janë 15, apo diçka më shumë. Në mos ata vet, dikush tjetër dhe me dijeni të tyre kryen dëmtimin e pllakave, fotografive apo edhe të pemëve. Kemi dëgjuar nga vet punonjësit se ka të tillë që paguhen për të dëmtuar varret për llogari të punishteve të prodhimit të qivureve e fotografive, me qëllim që ata të kenë punë.

A i keni denoncuar këto veprime?

Sigurisht, dhe jo vetëm një herë te ndërmarrja, por edhe në polici. Unë e kam bërë prezent shqetësimin tim te përgjegjësi i sektorit, Sfetan Pleushku dhe i kam kërkuar që të dalë përgjegjësia dhe të ndëshkohen dhunuesit. Nga ana tjetër, sektori i mirëmbajtjes së varrezave nuk dëmshpërblen, duke na thënë se nuk kanë fonde, ndërkohë që as nuk kërkojnë llogari te punonjësit për mirëmbajtjen e ruajtjen e tyre.

Tejmbushja, problem...

Varre edhe në kanale e rrugica

DURRËS - Varrezat e vjetra në qytetin e Durrësit janë hapur rreth viteve ‘60. Para kësaj periudhe, të vdekurit e krishterë varroseshin në vendin që sot njihet si kirurgjia e vjetër, poshtë Kodrës së Vilës, kurse myslimanët i varrosnin të afërmit e tyre afër pallatit të sportit. Por, me ndërtimin e varrezave në kodrat e Spitallës, ato u transportuan, duke ruajtur edhe këtu ndarjen në të krishterë e myslimanë. Në të djathtë janë vendosur varret e myslimanëve dhe në të majtë ato ortodokse dhe katolike, traditë e cila i qëndroi kohës.

Tejmbushja e sipërfaqes së zënë me varre, bëri që bashkia e Durrësit të caktojë në vitin 2003 një vend tjetër në një sipërfaqe prej 50 ha rreth 2 km larg varrezave të vjetra, në vazhdim të kodrave ku shtrihet lagjja nr.15 e qytetit. Por, megjithatë, ende në varrezat e vjetra vazhdojnë të varrosen edhe sot e kësaj dite qytetarë të Durrësit. Në një pjesë të tyre

vërehet se prindërit, pasi kanë humbur fëmijët e tyre në mënyrë tragjike, kanë zënë vend pranë tyre ende pa vdekur, duke lënë amanet të prehen pranë të dashurve.

Ajo që bie në sy te varrezat e vjetra është fakti se tashmë të gjitha rrugicat, por edhe kanalet kulluese janë bllokuar. Janë dhjetëra varre të hapura vitet e fundit, pikërisht në kanal e rrugica, duke bllokuar jo vetëm kalimin e vizitorëve për homazhe, por edhe kullimin dhe higjienën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›