E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stalini i fal borxhet prej 422 milionë rubla Enverit

29/03/2005  Çfarë politike u ndoq për rritjen e numrit të kooperativave? Cila ishte deviza e Mehmet Shehut në kongresin e IV të PPSH për kolektivizimin? Pse në zonat malore ishte i vështirë kolektivizimi? Si veproi Enveri me bashkësinë veriore? Cila ishte ndihma që i dha Rusia Shqipërisë në fushën ekonomike? Pse Stalini ia fali detyrimet e kredive Shqipërisë?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Plenumi i radhës i KQ i mbajtur po atë vit, vuri në dukje se në vend ishin krijuar kushtet e domosdoshme shoqërore, ekonomike e politike, që lejonin shpejtimin e procesit të kolektivizimit. Nga dhjetori i vitit 1955, deri në majin e vitit 1956, numri i kooperativave u rrit në më shumë se dy herë (nga 318, në 694). Brenda një gjysmë viti, ishte bërë më tepër sesa gjatë gjithë periudhës së kaluar, gati 10-vjeçare. Tani kooperativat kishin 31.5% të të gjithë sipërfaqes së mbjellë.

Politika e shpejtimit të ritmeve të kolektivizimit vazhdoi dhe në pesëvjeçarin e dytë.

Falë ndihmës së vendeve të KNER-it, niveli i teknikës bujqësore u ngrit mjaft. Në fushat e vendit u shfaqën për herë të parë kombanjat dhe autokombanjat. Bilanci i arritjeve të pesëvjeçarit të dytë në vitin 1961, tregoi përfundimin me sukses të kolektivizimit të bujqësisë. “Duke patur parasysh se toka e pakolektivizuar, që përbën 14% të sipërfaqes së mbjellë, ndodhet në zonat malore, tha M.Shehu në kongresin IV të PPSH-së, mund të pohojmë se, kolektivizimi i bujqësisë është kryer me sukses. Në vendin tonë është krijuar baza ekonomike e socializmit”. Në tërësi, kolektivizimi i bujqësisë solli rezultate pozitive në prodhimin e drithërave dhe të kulturave teknike. Pavarësisht se ecuria e procesit të krijimit të kooperativave pati lëkundjet e veta dhe në politikën e partisë u ndje pasiguri, mbetet fakt i pakundërshtueshëm që fshati shqiptar bëri përpara, krahasuar me periudhën e paraluftës. Mjafton të thuhet se, në tetor të vitit 1957, u bë e mundur heqja e pjesshme e triskave dhe u ulën çmimet në tregtinë me pakicë. Por detyra kryesore e përcaktuar që në planin dyvjeçar, për të siguruar atë prodhim drithi, që do t’i jepte fund importit të tij, nuk u realizua.

Duke filluar nga viti 1957, sektori socialist zuri të japë më shumë se gjysmën e prodhimit bujqësor. Që nga kjo kohë, sukseset e mossukseset e bujqësisë shqiptare vareshin nga organizimi i prodhimit në sektorin kooperativist e shtetëror. Diferenca në ritmet e zhvillimit midis industrisë e bujqësisë vazhdoi të mbetej e dukshme. Dhe, kjo për arsye objektive. Fshati duhej të transformohej e të rindërtohej, duhej të shkatërroheshin steriotipet e ngulitura në shekuj të mbarështrimit primitiv të një ekonomie në thelb natyrale. Të ribësh është përherë e më e vështirë se të bësh diçka të re. Prona kolektive e një familjeje të madhe patriakale, e ruajtur në rajonet malore si dukuri e organizimit fisnor, në shumicën dërrmuese të rasteve nuk mund të “shkrihej” në socializëm. Veçori e kësaj forme të organizimit kolektiv të trashëguar është ruajtja e mënyrave primitive, arkaike të drejtimit të ekonomisë dhe lufta këmbëngulëse kundër teknikës së re, kulturave të reja bujqësore dhe metodave të reja të mbarështrimtit të blegtorisë. Udhëheqja partiake e Shqipërisë mori përsipër shkatërrimin e kësaj lloj bashkësie dhe, natyrisht që gaboi. Politika e udhëheqjes jugosllave ndaj familjeve të tilla në Malin e Zi dhe Kosovë, që e ndryshonte: ato nuk u futën nëpër kooperativa dhe nuk ua morën tokën, siç ndodhi së fundmi në Shqipëri. Krahasimi i nivelit të jetesës, gjatë viteve ’90 të shekullit XX të shqiptarëve të Kosovës (deri në ngjarjet e përgjakshme të viteve 1998-1999) dhe atyre të Shqipërisë, nuk flet në të mirë të këtyre të fundit.

Në industri, e cila në Shqipërinë e paraluftës ishte në gjendje embrionale, gjithçka u krijua nga hiçi: degët e reja të industrisë nxjerrëse e përpunuese, një klasë e re punëtore dhe një inteligjencë e re, një kulturë e re e marrëdhënieve midis punëdhënësit (shtetit) dhe prodhuesve të të mirave materiale. Por këtë kapërcim, përmes shndërrimesh ekonomiko-shoqërore, Shqipëria nuk mund ta bënte me forcat e veta dhe pa ndihmën nga jashtë. Formula, që u bë e zakonshme më pas, për të ndërtuar socializmin, pa kaluar nëpër fazën e kapitalizmit të zhvilluar (në fakt, në Shqipëri, nuk kishte as kapitalizëm të pazhvilluar), nënkuptonte përpjekjet e përbashkëta të bashkisë së vendeve socialiste për ta ngritur vendin më të vogël e më të prapambetur, deri në nivelin e një civilizimi mesatar, çka u realizua në 15 vitet e pas luftës, përgjatë të cilave miqësia dhe bashkëpunimi me vendet socialiste e në radhë të parë, me Bashkimin Sovjetik, qenë guri i themelit në politikën e PPSH-së.

Shqipëria mori pjesë aktive në veprimtarinë e KNER-it dhe të Komitetit Politik Këshillimor të vendeve pjesëmarrëse të Traktatit të Varshavës. Faktori i jashtëm kryesor politik, që ndihmoi zhvillimin e ekonomisë shqiptare ishte Bashkimi Sovjetik dhe kreditë e tij. Si rregull, furnizimi i mallrave dhe pajisjeve realizohej mbi bazën e kredive afatgjata me kushte lehtësuese. Por, duke patur parasysh se Shqipëria përballej me vështirësi të mëdha për shlyerjen e detyrimeve, qeveria sovjetike ndoqi praktikën e ristrukturimit të borxheve apo të faljes së detyrimeve për kreditë e mëdha. Paketa më e madhe e marrëveshjeve ekonomiko-tregtare midis BRSS-së dhe Shqipërisë u nënshkrua në Moskë, në prill të vitit 1957, gjatë vizitës së delegacionit partiako-qeveritar të kryesuar nga E.Hoxha. Qeveria sovjetike e çliroi Shqipërinë nga detyrimet për të shlyer kreditë, shuma e të cilave, në atë kohë, ishte 422 milionë rubla. Duke iu përgjigjur kërkesave të delegacionit shqiptar, qeveria sovjetike dha kredi shtesë për nevojat e zhvillimit të ekonomisë shqiptare në vitet 1958-1959 e po ashtu, mjete financiare shtesë e mallra ushqimore, për të bërë të mundur heqjen e plotë të sistemit të triskëtimit.

BRSS-ja e ndihmoi Shqipërinë për të krijuar ngrehinën e industrisë, duke dhënë 93% të të gjitha pajisjeve për industrinë e naftës dhe degëve të industrisë minerare, rreth 90% të kamionëve, më shumë se 80% të traktorëve dhe 65% të makinerive të tjera bujqësore. Nga BRSS-ja erdhën bagëti race, fara të zgjedhura drithrash dhe kulturash teknike, plehra etj. Një ndihmesë të paçmueshme për ngritjen e sistemit arsimor (nga shkollat fillore, deri tek ato të larta) për zhvillimin e shkencës, kulturës dhe artit, për përgatitjen e specialistëve të të gjitha degëve të ekonomisë popullore, dhanë njerëzit sovjetikë, si në nivele zyrtare, ashtu dhe në procesin e komunikimit të përditshëm me kolegët shqiptarë. Mjafton të thuhet se shumë nga objektet kulturore të ngritura për herë të parë në Shqipëri, u realizuan nga ndihma e Bashkimit Sovjetik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›