E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Na keni braktisur, na latë në duart e dy grave mashtruese”

29/03/2005  Familjarët e viktimave të Otrantos ’97, “kryqëzojnë” Kryeministrin Fatos Nano

VLORË - Familjarët e viktimave të Otrantos ‘97, për pak i kanë shpëtuar konfliktit mes tyre, në momentin kur Kryeministri Nano do të merrte pjesë në ceremoninë e përkujtimit.

Të ndarë në dy kampe, në “të kënaqur” dhe “të pakënaqur” nga shteti, të afërmit e viktimave kanë debatuar ashpër mes tyre. Njëra palë, ku ndodheshin shumica, në pritje të Kryeministrit, i cili shkoi me një orë vonesë në ceremoni, shfaqën hapur nervozizmin.

Kur Nano u gjend përballë tyre, situata mori edhe më shumë nota acaruese. Familjarët e akuzuan Kryeministrin për harresën e shtetit dhe për lënien e tyre “në duart e dy grave mashtruese, të cilat po përdorin tragjedinë për interesa personale me shtetin italian”.

Të akuzuarat nga turma e të pakënaqurve, ishin avokatja Natasha Shehu dhe kryetarja e shoqatës, Afërdita Bani (Duçka).

Familjarët thanë se ”jemi të gënjyer nga avokatja Shehu e vënë nga ana e qeverisë shqiptare si dhe nga kryetarja e shoqatës Otranto, Bani, të cilat po vjedhin edhe të ardhurat e akorduara nga ana e qeverisë italiane e Ministrisë së Mbrojtjes. Avokatja me burrin e saj kanë vjedhur paratë e gjakut të viktimave”.

Në këtë situatë, Kryeministri Nano është gjetur i papërgatitur dhe është befasuar nga ai lum akuzash të njerëzve, që kishin dalë të kujtonin të afërmit e tyre.

Ata i kanë kërkuar numrit një të qeverisë të ndërhyjë për të zgjidhur problemin në fjalë, me qëllim që, të hollat e akorduara nga Ministria e Mbrojtjes italiane t’i marrin të gjithë të afërmit e viktimave si dhe të mbijetuarit, e jo spekulatorët.

Disa prej tyre, i janë ankuar Nanos se “avokatja Shehu ju ka dhënë me forcë gjysmat e parave që duhet të merrnin të shpërndarë nga burri i saj dhe jo vetë ajo“.

Pas debatit, Kryeministri i ndjekur nga pushtetarë lokal e punonjës policie (binte në sy mosmarrja pjesë e qytetarëve vlonjatë në këtë ditë zie), kanë vazhduar ecjen për në kalatën e portit për të hedhur lule, pikërisht ku u nis “Kateri i Radës“, 8 vjet më parë, duke vazhduar ritualin tashmë të pëvitshëm.

Në kalatën e portit, Nano u tha të pranishmëve se “jam këtu për të ngushëlluar e kujtuar atë tragjedi të dhimbshme dhe për të punuar së bashku që tragjedi të tilla të mos ndodhin më“.

Kjo përgjigje nuk u ka pëlqyer familjarëve, të cilët kërkuan më shumë ndihmën e shtetit e qeverisë shqiptare dhe jo fjalë në tragjedinë e tyre, tashmë mjaft të vjetër.

Nano iu premtoi se “do të bëhet gjithçka për të riparuar gabimet e bërë deri në këtë moment me familjarët e viktimave, si dhe me shtetin italian, por kjo gjë kërkon një kohë të caktuar“.

Fatos Deliaj, debat me Fatos Nano

“Na vodhën gjakun e të afërmve, po na vjedhin dhe të hollat“

Në momentin që Kryeministri Nano po hidhte buqetën me lule në det, Fatos Deliaj, një prej familjarëve të viktimave, Burbuqe e Bardhosh Deliaj, iu drejtua Kryeministrit Fatos Nano me këto fjalë: “Zoti Nano, jemi të braktisur nga ju e avokatja që vendosi shteti juaj në këtë tragjedi të madhe, vini vetëm për momente të tilla dhe pastaj çdo gjë harrohet. Na vodhën gjakun e familjarëve në det, nuk u gjetën fajtorët e na u vodhën sot edhe ato pak para të akorduara nga qeveria italiane, e ju nuk ndërhyni“.

Në këtë moment, ndërhyrja e bodigardëve bëri që Fatos Deliaj të mos vazhdonte më.

Pas kësaj, reagoi Nano, i cili u shpreh se “nuk është vendi e as koha sot për debate të tilla, por ne pu punojmë për të shmangur tragjedi të tilla e për të ndihmuar ju sa më shumë“.

Intervistë me Pushime Çala

“Nano për fushatë në Vlorë, ndërsa shqetësimin tonë nuk e merr parasysh”

Asgjë më shumë së pjesë të një fushate elektorale, nuk e quan vizitën e Kryeministrit Nano dje në Vlorë, Pushime Çala, bashkëshortja e Kastriotit, njërit prej viktimave të 28 marsit 1997. Duke ripërsëritur zemërimin për moszbardhjen e tragjedisë dhe nxjerren e përgjegjësve, Çala bënë të ditur, në një intervistë për gazetën “Metropol” se do ta dërgojnë çështjen në Hagë e Strasburg.

Si e shikoni vizitën e Nanos në këtë ditë zie për ju?

Si gjithmonë, vijnë vetëm për të hedhur lule e më pas gjithçka ngelet terr e anonime për ne familjarët e braktisur nga qeveria jonë. Shpresojmë shumë pak, por ne do të vazhdojmë.

Jeni ndarë tashmë në dy grupe viktimash të tragjedisë. Pse kjo ndarje?

Po, jemi ne grupi i dhimbjes së vërtetë, e grupi tjetër me kryetaren Afërdita Bani (Duçka), i quajtur ndryshe grupi i shtetit, të cilët kanë përfituar e përfitojnë gjithçka nga

Qeveria, në këmbim të heshtjes në kurriz të gjakut të familjarëve tanë. Edhe sot, ata këtë pozicion luajtën, duke i bërë elozhe njerëzve të qeverisë.

Akuza juaj ishte në drejtim të qeverisë së Nanos, pse?

Pasi, shteti ynë na caktoi një avokate mashtruese, kurse qeveria tregohet neglizhente. Ardhja e tyre tani në Vlorë ka lidhje me fushatën, ndërsa shqetësimet tona nuk i ka marrë askush parasysh.

Si do të reagoni më tej?

Ne sot presim që nga Kryeministri të na jepej një premtim, por në fakt nuk morën asnjë gjë të re. Ne do të vazhdojmë protestat tona, pasi nuk kemi çfarë të humbim më.

Që do të thotë?

Fillimisht duam kush ishte fajtori i tragjedisë e pastaj të tjerat. Protesta do të vazhdojë edhe deri në shkarkimin e kryetares së shoqatës Otranto, Afërdita Bani. Zëri ynë do të shkojë në Hagë e Strasburg për këtë çështje. E përsëris, ne nuk duam vetëm paratë.

28 mars 1997/ Tetë vjet më parë

Tragjedia e Otrantos, 86 viktima

28 marsi i vitit 1997 ka shënuar tragjedinë më të madhe detare për shqiptarët, pas përplasjes së motovedetës italiane "Sibilia" me anijen luftarake shqiptare, "Kateri i Radës". Te kjo anije ndodheshin 100 emigrantë shqiptarë, që po tentonin të preknin brigjet italiane. Motovedeta "Sibilia" dhe ekuipazhi i saj italian u përpoqën të zmbrapsin anijen me klandestinët shqiptarë dhe gjatë një përpjekjeje të radhës, "Sibilia" ka goditur "Katerin e Radës", duke e fundosur atë brenda pak minutash.

Nga kjo tragjedi mundën të mbijetonin vetëm 16 persona, ndërsa 84 të tjerë u mbytën. Pas ngjarjes, Prokuroria italiane nisi hetimet për kapitenin e anijes italiane, Fabrizio Laudalio dhe shqiptarin që drejtonte "Kateri i Radës", Namik Xhaferri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›