Genta & Kelly, kampione në volejboll e dashuri
Ndajnë të njëjtin pasion për volejbollin, janë kampione, kanë të njëjtin rol në skuadër, e secila prej tyre po përjeton një histori dashurie, që në një farë mënyre lidhet me rrjetat dhe fushat e sportit. Përpos pozicionit të “bllokueses” në gjuhë teknike, në ekipin “UMB Volej”, ato ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Në vështrim të parë mund t’i marrësh për bukuroshe pasarelash apo miss-e, pasi linjat e tyre femërore nuk kanë asgjë të përbashkët me lojtaret e dikurshme me këmbë të kolme, që mendonin se rezistenca vjen nga këmbë të tilla. Bllokuesja e parë, biondina sy bojëqielli që në skuadër dhe përtej saj, e kanë pagëzuar si “Miss buzëqeshja” quhet Kelly Goc dhe vjen nga Nebraska e largët e SHBA-ve. Ndërsa brunia nga kryeqyteti, Genta Kadriu, e cilësuar si “bukuroshja serioze” është lojtarja e parë në formimin e ekipit “UMB Volej”, qysh tetë vjet më parë. Të dyja vajzat nisin të flasin me një frymë për emocionet e kupës së Shqipërisë, që fituan pak javë më parë, por ato dinë të dalin edhe jashtë rrjetës së volejbollit...
* * *
E para që nis rrëfimin, jo rastësisht është “veterania” e ekipit, Genta. “Kushdo që do të jetë pjesë e skuadrës duhet të ketë lidhje me këtë universitet. Kështu u regjistrova si studente e juridikut, edhe pse nuk më pëlqente si degë. Vitin kur u regjistrova nuk kisha tjetër mundësi zgjedhjeje dhe kur mendoja për pasionin tim për volejbollin, ja vlente një sakrificë e tillë”, tregon ajo. E pranon që e ka të vështirë t’i bëjë bisht argumentit mbi volejbollin, madje edhe kur e pyesim për jetën e saj paralele, edhe aty lidhja me sportin forcohet edhe më shumë. Pikërisht në një nga pallatet e sportit do të takonte dashurinë e saj, që sot është kurorëzuar në fejesë. Ajo stërvitej pak orë para ndeshjes, ai po ashtu, ajo Genta ai Genti, ajo volejbolliste, ai basketbollist, ajo qendërsulmuese, ai organizator... dhe lista e ngjashmërive “ajo-ai” që kujton 21-vjeçarja nuk ka fund. “Përveç shikimeve të shkëmbyera, teksa stërvitej Genti donte të më njihte medoemos, kështu lindi pasioni mes nesh. Tashmë kemi dy vjet dashuri dhe një vit që jemi fejuar”, rrëfen brunia nostalgjike ndaj kujtimeve aq të ëmbla. Mes këtyre emocioneve që i shkakton rrëfimi i historisë të dashurisë, spontanisht vijon ta pleksë me pasionin për volejbollin. “Kur jam me “botën”, nuk jemi nga ato çiftet që gjatë gjithë kohës shkëmbejnë fjalë dashurie. Pjesa më e madhe e na kalon duke folur për sportin në përgjithësi, për rezultatet e kampionateve dhe sigurisht për ndeshjet tona reciproke”, shprehet Kadriu, duke vijuar edhe më tej se i fejuari i saj është kritizeri më i egër dhe i vetmi që e beson verbërisht edhe kur në të rrallë i bën ndonjë kompliment. “Kur kanë ndeshje ne jo vetëm e ndjekin njëri-tjetrin, por edhe kritikat i kemi “në majë të gjuhës”. Në këtë aspekt jam me shumë fat, pasi gjithmonë kam ëndërruar që i dashuri im të ishte sportist. Ai i kupton fare mirë oraret e mia të zgjatura në stërvitje, për shembull kur me duhet të dal dy here”, thekson qendërsulmuesja e “UMB Volej”. Nëse çiftet e tjera të dielën relaksohen duke udhëtuar jashtë kryeqytetit ata të dy mund t’i gjesh fare lehtë! Axhenda e çiftit, për aq kohë sa zgjat kampionati është vrapi nga liqeni, edhe pse ankesat e studentes së vitit të tretë për juridik përsëriten... Me gjithë pasionin e tyre për sportet respektive, ndodh edhe që rregullat të shkelen, duke kthyer ndonjë gotë me shoqërinë. Por si këto detaje Genta Kadriu i thotë nën zë.
* * *
Ndryshe ndodh me biondinën nga Nebraska, e cila teksa flet për thyerjen e rregullave, pranon me zë të lartë se ajo i ka mbushur sirtarët me “kartona të kuq”. E megjithatë, kur vjen momenti për të luajtur, Kelly Goc konsiderohet si një nga lojtaret kyçe, jo vetëm të skuadrës, por edhe në rang kampionati. Amerikania ka vetëm gjashtë muaj që është bashkuar skuadrës “UMB Volej”, e cila gjashtë muaj më parë la pas jetën e mëparshme, për të ndjekur pas të dashurin shqiptar Nils Gjoca, i cili punon si financier pranë Universitetit, ku Kelly luan dhe punon si redaktore e materialeve anglisht. “Me të dashurin u njoha në shkollë të mesme dhe që prej asaj kohë nuk janë ndarë. Ai është i sjellshëm i dashur dhe shumë ndryshe nga djemtë me të cilët jemi takuar deri më tani”, na rrëfen ajo. Në vendin e saj, ku u njoh dhe u dashurua me shikim të parë me Nilsin, 6 vjet më parë, 23-vjeçarja ka përfunduar studimet për mësuesi. “Volejbolli për mua është një pasion shumë i madh. Fati i mirë, që kur erdha në Tiranë pas dashurisë, realizova dhe pasionin tjetër”, thekson Goc. Vetë historia e saj është e lidhur me aventurën, dhe si të tillë e përshkruan veten. Ndërsa koleget e etiketojnë Kellyn, si vazjën më miqësore që buzëqesh gjatë gjithë kohës.