E Diel, 1 Nëntor 2026

Debatet e panjohura me Ramiz Alinë për të burgosurit politikë



Materiali i mëposhtëm është transkriptimi nga incizimet audio të mbledhjes së datës 13 mars 1991 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, me qëllim amnistimin e pjesës së fundit të të burgosurve politikë. është një situatë e lexueshme e acaruar, sidomos për Ramiz Alinë, ish-sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, që aty drejtonte mbledhjen me atributet e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Acarimi i Ramiz Alisë ka lidhje me një deklarim për mediat e huaja të Arben Putos, kryetarit të Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, sipas të cilit në burgjet shqiptare, edhe pas disa amnistive të bëra, kishte ende të burgosur të ndërgjegjes, apo politikë. Kjo deklaratë si duket vinte në kohën kur Ramiz Alisë i kishin raportuar se të gjithë të burgosurit politikë ishin falur e liruar, në kuadër të angazhimeve të krerëve të politikës shqiptare përballë faktorit ndërkombëtar dhe në përshtatje me zhvillimet aktuale demokratike në vend. Në mbledhje, veç anëtarëve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, janë të pranishëm edhe Ministri i Drejtësisë, Dashamir Kore, ai i Brendshëm, Gramoz Ruçi si dhe kryetarë të komiteteve ekzekutive në rrethe. Ramiz Alia paraqitet shumë refraktar në diskutimin e uljes së dënimit, apo faljes së të burgosurve të propozuar për këtë amnisti të fundit. Ai paraqitet veçanërisht kundër favorizimit apo lirimit të atyre të dënuarve, të cilët veç akuzave politike, kanë të përfshirë në dënim edhe akuza të tjera. Një material që i dëgjuar, pra në versionin audio, ka më tepër elementë për të kuptuar gjendjen shpirtërore të Ramiz Alisë dhe jo vetëm, sidomos në momentet kur artikulohen emra të ndryshëm të protagonistëve të pikave me kulmore të historisë së komunizmit shqiptar.

...Alia: është kjo çështja e këtyre, e falje dënimesh. Tashti këtu unë, të them të drejtën, jam i pakënqaur nga puna e Ministrisë së Drejtësisë dhe nga puna e Ministrisë së Brendshme dhe njëkohësisht nga këta të Presidiumit tonë. S’po marr vesh se çfarë po bëhet! Në kuptimin e plotë të fjalës nuk po marr vesh se çfarë po bëhet. Domethënë na thuhet se janë 85 të burgosur politikë. Deklaratë e Ministrit të Brendshëm. Jo të këtij. Ish-ministrit. Rezulton që ishin... na u tha më vonë, jo, nuk janë 85, por janë 251. Kemi liruar nja 300 deri tashti, tashti na paraqiten 175 dhe na thuhet dje “paska edhe disa të tjerë”. Thotë shoku Xhaferr. Unë s’marr vesh çfarë bëhet kështu! More, po kemi neve evidenca të burgosurish apo s’kemi? Unë këtë nuk e marr vesh, kjo Ministria e Drejtësisë, ose gjykata, ose Ministria e Brendshme, kanë fisha për këto gjëra apo s’kanë? Ne kemi demek edhe për lopët. Kështu thuhet të paktën. Që ka kartela për lopët, çfarë lopësh ka e ku di unë nëpër ferma, “Bardhokja”, “Syçka” e të tjera, e të tjera. Një kjo. E dyta, kam përshtypjen që në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Drejtësisë, edhe në Presidiumin e Kuvendit Popullor, nuk kanë një koncept të qartë, ç’farë është politike dhe ç’farë ordinere, ç’është kriminale e ç’është, ku di unë, terroriste. Po ngatërrohen, çorbë derri, të gjitha. Këtë prapë unë nuk e kuptoj. Dhe e treta, që s’kuptoj fare dhe megjithëse ka këtë konfuzion, shokët, qoftë të Ministrisë së Drejtësisë, qoftë të Ministrisë së Brendshme, u japin deklarata këtyre personaliteteve të huaja edhe atij organit mbi të drejtat e njeriut, si kanë qejf vetë. Po mirë, tani ne këtu si Presidium, hamë bar? Apo jemi kupton, për të ngritur dorën, pro edhe kundër? Pse veprohet kështu? Domethënë unë duhet ta marr vesh, kupton, nga italianët se qenkan 103 politikë. Dhe ka edhe 174 të tjerë që janë politikë, po janë një çik të kategorisë së dytë. Pse, se këto ja ka thënë zoti Arben Puto, kupton, këtij ambasadorit italian, të cilit, Arbenit, ja ka thënë Ministria e Drejtësisë, ose Ministri i Brendshëm. Jo ky, i përparshmi. çfarë bëhet kështu. Ka mundësi me i dit një çik këto gjëra? Spo marr vesh se ç’bëhet! Praktikisht edhe në këtë këtu s’marr vesh. Këtu propozohen, ka ca budallallëqe, propozohen, të hiqen, të lirohen nga burgu, 30 veta, apo 27 veta nga një fshat i Sarandës, sepse qenkan dënuar, zënë në kufi. Po mirë. Me ligjin e ri janë zënë këta në kufi. E pse duhet t’i lirojmë neve? çfarë, heqim dorë nga ligjet neve kështu? Tashti edhe nga ata që më thotë shoku Xhaferr, nga këta më duket se janë, po të kësaj kategorie. Po kjo kategori. Po ç’na duhet neve kjo? çfarë bëjmë neve kështu, mos kemi vendosur, kupton, të anulojmë ligjet tona? Kush e ka vendosur këtë çështje? Më duket ka një konfuzion, ose jemi nën një presion, të cilit nuk po dimë me i bë ballë. Tashti, nëse organet tona shtetërore, qofshin këto të MB, qofshin këto të MD, bëjnë një gabim, unë nuk mendoj se një gabim duhet shoqëruar me një gabim të dytë. Kë quaj gabim unë? Unë quaj gabim faktin që u hap kufiri dhe ikën njerëzit në Greqi. U kthyen nga Greqia dhe ne nuk i dënuam. Ky është një gabim. Por kjo nuk do të thotë që këtë gabim ta shoqërojmë me këtë gabimin tjetër. Ata që i kemi dënuar t’i lirojmë. Pse t’i lirojmë? Unë këtë se kuptoj. Dhe këta nuk quhen politikë. Jo po ka mendim se edhe këta janë politikë, se këta po i jepen Arben Putos. Unë s’e kuptoj atëherë nga dolën këta? 300 e ca vetë... Ja po shoh këtë listën që kemi këtu... do t’i shikojmë tani, kupton. Nuk janë politikë këta, pjesa më e madhe e tyre nuk janë politikë. Këta janë hajdutë, vjedhës, të dënuar nga tri herë, katër herë, pesë herë... Uuu, pse i ke futur ti, t’ja rëndosh peshën, një agjitacion e propagandë, ma quan këtë politikë? Kjo s’është gjë kjo... Edhe këtë ja thua Arben Putos? Nuk e di. Se ç’po bëhet në këtë Republikë, të them sinqerisht, nuk po e marr vesh. Jo se është puna kështu. Unë jam i mendjes që sot këtë ta shpallim, këta që do të lirojmë dhe të themi, s’ka më, mbaroi, s’ka më të burgosur politikë. (aprovime nga salla) Pastaj të jepni llogari juve nëqoftëse keni brenda. Për mua s’ka, sepse unë nuk i quaj politikë as ata që kanë kaluar kufirin. Nuk janë. Ata janë dënuar në bazë të ligjit si thyerës kufiri. As këta që ka paraqitur shoku Xhaferr. Janë dënuar në bazë të ligjit si thyerës kufiri. S’ka politikë. Edhe një pjesë e tyre janë dënuar nga ligji sepse janë vjedhësa. Prandaj për mua nuk ekziston kjo. Nëqoftëse juve e keni bërë këtë çorbë, tashti o hajeni, ose ç’përbëjeni. S’kam ç’ju them. Supë e peshkut, peshk s’bëhet. Por juve bëheni po deshët. Po ne nuk mund të mbajnë përgjegjësi tani mbi këto çrregullime administrative si Presidium. S’ka kuptim. çfarë Enver Halil? Po, Enver Halili dhe Hekuran Isai, erdhën këtu dhe thanë s’ka më. Kurse tani po na paraqiten, shih, por jo vetëm këto, por ka edhe të tjera... Shfrytëzojnë këto, se e bëjnë vetë këta...
(ndërhyrje nga salla) Unë mendoj se s’ka më shifra. Shifrat bëjini vetë, rregullojini si të doni. Krimet kundër shtetit edhe këto, o t’i përcaktojnë mirë, ose hiç. çfarë kishit në parim, juve për këto që thamë?
Kore: E para ata që janë dënuar për 127-ën, janë për kalim të paligjshëm dhe nuk ka diskutim që nuk janë krime politike, ato janë krime ordinere.
Alia: E po ahere, pse na i paraqisni?
Kore (Dashamir Kore, ministër i Drejtësisë): Jo, s’paraqiten si krime politike.
Alia: Aherë pse na i paraqisni për ti falur?
Kore: Jo, ky është një problem që mund të diskutohet. Nuk e di, një porosi ishte për ata të rretheve, sidomos të kalimeve në masë, kontradikta që u krijua dhe për shkak të dënimeve relativisht jo të vogla që janë dhënë, u mendua se nuk mund të bëhej ndonjë veprim në këtë drejtim...
Alia: Jo, jo...
Kore: Mirë, tjetër problem.
Alia: Nuk mendoj unë se duhet bërë ajo. S’ka pse ta bëjmë, nuk ka lidhje me këtë, me problemin që duam ne...
Kore: Jo, nuk ka lidhje....
Alia: Ne duam t’i japim fund problemit të të burgosurve politikë. Aherë përse na ngatërroni? Përse nuk del qartë: Problemi politik, mori fund? Ja ti, je i mendimit që duhet ta shpallim sot që mori fund?
Kore: Duhet të sqarojmë njëherë një gjë. Se tani, do flasim me këtë ligj që kemi. Të gjitha këto krime që kemi, që quhen ato të lirisë së besimit e të ndërgjegjes e të agjitacion e propagandës, tradhtia ndaj atdheut në formën e arratisjes, janë krime që futen në kapitullin e krimeve kundër shtetit sipas Kodit Penal. Tani, në propozimet që janë bërë, për t’u falur, janë ata që janë dënuar për krime kundër atdheut dhe për agjitacion e propagandë. Por brenda numrit të të dënuarve ka edhe persona që s’janë dënuar për këto vepra, por janë dënuar për krime të tjera që përfshihen në kapitullin e krimeve kundër shtetit, si për shembull, diversion, vepër terroriste, spiunazh,..
Alia: Jo, jo.... Spiunazhi nuk është krim kundër shtetit. Spiunazhi është krim ordiner. Një njeri merr para, bëhet spiun. Pikë. Diversionisti është terrorist. Nuk është veprimtari kundër shtetit.
Kore: Unë them si e ka Kodi Penal...
Alia: Po, po... si e ka Kodi Penal. Juve duhet t’i përcaktoni, kaq janë spiunë, kaq janë terroristë, të cilët ne nuk i fusim në politikë. S’janë politikë! I paska Kodi Penal. Po pse llafosni me atë gjuhë ju, pse nuk llafosni me gjuhën politike? është më normale kur llafosni me shokun Arben Puto. E kupton? Llafosni me gjuhën politike! Spiunë janë kaq. Këta spiunë nuk futen në politikë! Kriminela, terrorista, janë kaq. Nuk hyjnë fare këta, ska... Pse ju i futni në bazë të Kodit Penal. Le ta bëjë ai interpretimin po desh. Unë këta nuk i fus në politikë. Pikë. Jo se po harxhojmë frymë. Në çdo mbledhje e kam thënë këtë mesele, por fatkeqësia qe se më përpara qe ndonjë ministër, tani ka ardhur një tjetër. Duhet t’ja themi edhe këtij tjetrit. Po mirë vazhdojmë t’ja themi.
Kore: Në takimet që janë marrë, kështu është thënë: Këto janë krime, të cilat dënohen në gjithë botën...
Alia: Ahere pse i fusni politike?
Kore: Nuk i kemi futur ne. Ne nëse bëjnë interpretime të tjerët. Ne nuk i kemi futur dhe ne shoku Ramiz, u kemi thënë se këto krime janë krime. Edhe në atë intervistën që është botuar, që e bëri ai i pari.. pikërisht kur u botua ajo atje është thënë që këto janë krime që dënohen në gjithë botën. Tani pse i interpretojnë, opozita, ndryshe...
Alia: Lëre opozitën. Jo po ti po ma thua dhe tani, se veç këtyre, ka edhe të tjerë që janë futur në atë formë. ç’ne? Shiko. Një njeri, një njeri ordiner, i cili vodhi, kupton, 10 mijë lekë. Ja mori tjetrit. Mirëpo i ranë, i ranë në gjurmë. Për të shpëtuar nga gjyqi, se do futet në burg, afër e ka kufirin, ja mbathi, iku. Ti e dënon këtë njeri se e kape. Përse e dënon? Ky është vjedhës! ç’mi fut politikë këtij? Jo, po në bazë të nenit kaq. Mori këtë, mori dhe këtë tjetrën. Po mirë dakord e mori dhe për këtë. Por nuk është kjo primarja. Pra nuk është politik ky. E kupton, ë? Ky është kriminel ordiner. Vjedhës, i cili kërkoi që të arratisej, që të mbulonte vjedhjen. Për dënim, ti ja ke vënë edhe këtë, edhe atë. Sepse kur ka dalë në gjyq ka thënë: Unë kam qenë kundër partisë. Ka thënë hetuesi, se ka dashur t’ja shtojë atë. Edhe agjitacion e propagandë. Po tashti, ne do të zbatojmë ato gërmat tuaja, apo realitetin? është vjedhës. Epo mbaj qëndrim. A jo, unë se fus politik atë. (Ndërhyrje)
Alia: Ahere ti më sqaro këtë. Nëqoftëse është bërë padrejtësi. Mos harro një gjë ti. Këto dardhat, kanë një bisht mbrapa. Po këtë bisht s’po e shihni ju. Nuk e shihni. Po këtij bishti duhet t’i bëhemi gati, prandaj hyjnë këto detaje. Sepse tërë këta njerëz, do ta shikosh ti, do vijnë pas një muaji e do të kërkojnë dëmshpërblim. Që ta dish ti. Mirëpo, unë pikërisht këtë bisht dua që ta këpus. Që kur të vijë ai të më kërkojë, t’i them: përse kërkon ti? Je i dënuar, kupton, se ke vjedhur 10 mijë lekë. Jo, po unë jam dënuar edhe për politikë. Për çfarë politike? Pse ike? Ti deshe të ikësh për të fshehur vjedhjen. Ky është problemi. Prandaj këtu duhen precizuar edhe saktësuar gjërat. Përndryshe, po ashtu, i bëtë politikë të tërë, të gjithë ata horrat që kanë vjedhur, të gjithë i bëtë politikë. Se të tërë kanë bërtitur: “Poshtë Partia e Punës”, pasi kanë vjedhur, ë? Se ka dasht hetuesi tonë, prandaj i ka futur. Edhe unë do ti bëj “martirë të demokracisë”. Jo s’është kështu. Prandaj këtu organet tona të drejtësisë duhet të jenë... të mendojnë se dardha e ka bishtin prapa. Se do vijë kjo, medoemos, unë jam i bindur që do të vijë. Këta njerëz nesër do të drejtohen. (Ndërhyrje) A jo, jo, i fal këtu unë. Ja shihi, shihi me radhë. Shihe të parin: “Përvetësim të pasurisë socialiste”. E kupton? Edhe shpërdorim të detyrës. Tashti e para është agjitacion e propagandë. E kuptove këtë ti? Kurse ky ka shpërdoruar detyrën dhe përvetësuar pasurinë socialiste.
Kore: Këtu janë ata persona që vuajnë dënimin për agjitacion dhe propagandë dhe tentativë arratisje. është llogaritur, është zbritur... nëqoftëse e ka se është dënuar rëndë për vjedhje të pasurisë socialiste, ai do të qëndrojë, të vazhdojë.
Alia: Ku e ke more? Ku është?
Kore: P.sh., po të marrim të parin Reshat N., Ky është dënuar 9 vjet për agjitacion dhe propagandë, është dënuar 2 vjet për vjedhje dhe një vit për shpërdorim detyre. Ka bërë 3 vjet e një muaj. Praktikisht dënimin për vjedhje e për shpërdorim detyre e ka mbaruar. Tani nëqoftëse do të qëndrojë, do vuajë agjitacionin e propagandën. Janë pasur parasysh këto kritere, prandaj janë përcaktuar këto. Ndërsa për persona të tjerë që janë duke vuajtur dënime të tjera, por që nuk kanë plotësuar afatin, atëherë atyre do t’u zbritet pjesa e agjitacionit e propagandës dhe tentativa e arratisjes. Dhe i kemi kaluar në paragrafin e dytë. Këtyre të paragrafit të dytë u zbritet, kurse këta që janë në pikën ‘a’ këta të gjithë janë duke vuajtur dënimet për agjitacionin dhe propagandën dhe tentativë arratisje se e kanë mbaruar dënimin për vepra të tjera. Domethënë ky kriter është marrë.
Alia: Por, por është marrë një kriter mekanik. është mekanik për faktin që ky oficer ta zëmë, ky Refati, që se njoh kush është e kush nuk është, ky ka vjedhur, pra duke vjedhur ka shpërdoruar detyrën, dhe Rrahmani, ndihmësi i tij, e ka diktuar që oficeri vodhi, e kupton ti? Dhe ky që të shpëtojë nga krimi i vjedhjes, duke qenë edhe oficer dhe ka pasur frikë se kalon në gjyq ushtarak, dhe në gjyq ushtarak mund edhe të pushkatohesh, kupton, ja ka mbath këmbëve për të ikur. Këtu ta kam problemin. Dhe është dënuar pastaj edhe për arratisje. Ose i kemi shtuar ne agjitacion e propagandë. Po pse vjedhësi, a kujtoni ju se thotë, vjedh edhe “Rroftë Partia!”? është absurditet. (ndërhyrje) Po e kuptoj... po pse është bërë politik? Se këta i bëjmë politik ne. Ne e kemi futur në kuadrin politik. Ky është vjedhës. Me një fjalë, shiko, Arben Putos, se po ja përmend shumë këtë emër, këta shokët ja kanë dhënë; ky është politik. Dhe ky del si martir i politikës...
Zë nga Salla: Ndërsa ky ka dy, hajdut dhe shpërdorues...
Alia: Nejse shpërdorues është se ka vjedhur. (Ndërhyrje) Pavarësisht, ky është vjedhës, kjo “politik” është kot ti shtohet. Po quajmë politik këta që s’janë politik, prandaj. Mirë, nejse, ecim përpara, tashi. Tashi, keni vërejtje këtu për këto, për faqen e parë? (bëhet fjalë për faqen e parë të fashikullit me emrat e të dënuarve të propozuar për amnisti red.) Këtu i ke. Faqja e parë. Kush? S’ka më?
(vijon nesër)
Përgatiti: F. Dervishi

neser do te lexoni

Debatet me Ramiz Alinë për lirimin e djalit të Mehmet Shehut Alia: Këtë tjetrin, këtë djalin e këtija, Mehmetit, ça i bëni këtij juve? I falni një vit, e lini 10 muaj. ë? Alia: Për 10 muaj ta mbash kot këtë tashti? Se o se falim hiç, se zihemi te ajo vepra e terrorit, përgatitje vepër e terrorit...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›