E Diel, 1 Nëntor 2026

Letër drejtuar katedrales "Shën Pal"

Imzot Rok Mirdita!

Ju drejtohemi juve si përfaqësuesi më i lartë i klerit katolik, por më shumë edhe me besimin se personi juaj i nderuar do të tregojë vëmendjen e duhur ndaj çështjes sonë të drejtë. Jemi në grevë urie për më shumë se një muaj, për të kërkuar të drejtat e të gjithë ish të burgosurve politikë, të cilët aktualisht ndodhen në pozicionin e një udhëtari të vetmuar në shkretëtirën e Saharasë, i cili lufton me stuhitë e rërës vetëm duke pasur në zemër besim te Zoti i madh. Faji ynë i vetëm është se jemi të pafajshëm, si përfaqësuesit më të paepur që rezistuan në luftën ndaj të keqes apo ligësisë, që prodhon diktatura komuniste. "Mëkati" ynë i vetëm është se kërkojmë të drejtën në një vend ku mungon drejtësia, e cila shfaqet me portretin e përçmuar të një shteti, i cili zbaton standarde të shumëfishta në zbatimin e ligjeve ndaj qytetarëve të tij, të cilët mbijetojnë falë përshtatjes së këtij populli me të keqen e diktaturës nga hija e përgjakur e diktaturës komuniste, e cila endet akoma me fytyrën e saj të lemeritshme. Ne jemi nxënësit e don Mikel Koliqit, don Mar Hasit, don Nikoll Mazrekut, imzot Frano Ilis e të tjerë, që na mësuan në ferrin e së keqes, dashurinë hyjnore dhe atë njerëzore. Ndaj ne kur dolëm prej andej shpërndamë në ambientin e shkretuar të shoqërisë shqiptare mesazhin e madh: "Të falim deri në dhembje për të mos krijuar më dhembje të tjera". Ne e bëmë këtë me dinjitetin më të lartë njerëzor, por antinjerëzit që krijoi sistemi i djeshëm, por që në fakt janë edhe sot në pushtet po vazhdojnë të na shkaktojnë në mënyrë të vazhdueshme plagë të reja, kur akoma nuk na janë mbyllur të vjetrat, me padrejtësitë e frymëzuara djallëzisht nga urrejtja e trashëguar e baballarëve të tyre. Etërit tanë shpirtërorë e mentalë na edukuan me mësimin e madh se lufta ndaj së keqes e padrejtësisë kërkon gjithmonë durim, qëndresë e sakrifica… dhe për më tepër shkojmë drejt vetësakrifikimit me besimin te Zoti i madh, se çështja jonë e drejtë ka edhe bekimin e tij. E turpshme për Europën e qytetëruar që një regjim pseudo-demokratik të vazhdojë para syve të saj të shkaktojë akoma viktima. Teologu i famshëm polak, Spulbeck, në veprat e tij shkruan: "Ameba e gjallë nga ameba e vdekur nuk ka asnjë lloj ndryshimi, përveç asaj që Aristoteli e quan si princip jetësor ose frymë jetësore. Ndërsa te njerëzit ndodh ndryshe. Ata, në qëndrimin që mbajnë, e ndajnë të mirën nga e keqja, të drejtën nga e padrejta. Ju lutemi imzot të pranoni lutjen tonë për bekimin tuaj drejt martirizimit për çështjen tonë të drejtë, si besimtarë të denjë.

Me respektin e merituar, nga ish të përndjekurit politikë: Fatmir Lamaj, Gjergj Ndreca, Konstandin Gjordeni, Petrit Shpuza e Mirak Bejko.

Zoti ju bekoftë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›