E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshira për t‘u dukur

Dëshira për t‘u dukur shpesh merret si një sëmundje sociale e njeriut. Do që të dukesh! Kërkon të dukesh! E bën për t‘u dukur!... Të gjitha jetojnë në psikologjinë e popullit tonë. Disa herë këto kthehen edhe në vlerësime të shoqërisë, përmes skenash të pëlqyera e të papëlqyera, përmes veprimesh që i miraton ose jo vetë shoqëria.

Secili prej nesh ka nevojë të duket, ka dëshirë të duket, i kthehet në domosdoshmëri të dukurit... Në një farë mënyre kjo varet sesi i merr ai përshtypjet e të tjerëve. Nëse këto përshtypje, pas një emisioni televiziv, pas një botimi interesant, ose pas një diskutimi të hollë në një takim, e nxitin për të vepruar më tej atëherë do të kemi një prani tjetër, një dukje më origjinale dhe më produktive. Krerët e një partie, drejtuesit, administratorët veprojnë në këtë drejtim të motivuar qartë. Por "dëshira për t‘u dukur" te njerëzit e medias, të politikës, të biznesit etj., kthehet në mani dhe kjo e dëmton figurën e tij, pasi ai nuk ka ditur të tërheqë përshtypjen e duhur.

Brenda "dëshirës për t‘u dukur" kemi administrimin e keq të përshtypjes. Sigurisht, ne na intereson përshtypja e të tjerëve, ç‘thonë e ç‘mendojnë ata për ne, por kjo ka një masë. Po nuk e kuptuam këtë atëherë ose shkojmë drejt shtrëngimit të vetes (duke u mbyllur), ose hapemi më keq. Nëse humbe, për shembull në një biznes, në një votim, në zgjedhje, apo në një botim, emision etj., atëherë është e qartë se duhet një kohë më e gjatë për të luftuar me vetveten që të kumtosh lajmin e dështimit, ose do ta deformojmë atë, duke u përpjekur për ta dhënë sa më pak të keq. Për ta dhënë lajmin e humbjes (nganjëherë të vdekjes) duhet edhe burrëri, një lloj trimërie. Nëse ai që humbet e vesh humbjen me petk fitoreje, gënjen, mashtron, deformon në mënyrë katastrofike dhe bumerangu ka për të ardhur shpejt.

"Dëshirën për t‘u dukur" e sjellin më pranë edhe justifikimet e pamjaftueshme. Kështu, shpërblimet e mëdha prodhojnë efekte të mëdha (Pagesa e pakët - justifikim i pamjaftueshëm)! Nëse në një miting vijnë militantët e vërtetë (ata vijnë edhe pa shpërblim, për shkak të idealeve të fuqishme) dhe paguhen për angazhimin e tyre, për shembull me 500 lekë, atëherë fillojnë të analizojnë se sa pak vlejtka puna e tyre. Kjo analizë e detyron të mos shkojë më nëpër mitingje. Por nëse ai paguhet mirë, për shembull me 2000 lekë dita, atëherë dëshira e tij për të qenë i pranishëm në miting bëhet edhe më e motivuar. Por mund të ndodhë edhe këtu arsyetimi idealist: unë nuk erdha për para!...

Mbijustifikimi dhe motivimi i qenësishëm bëhen faktorë në "dëshirën për t‘u dukur", për të qenë të pranishëm, në fokusin e kamerave, në faqen e parë të gazetave, në ballinën e librave e të revistave. Ky motiv shoqëror i fuqishëm në rrugën e afirmimit të personalitetit nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi. Por kur keqpërdoret, madje duke futur edhe egoizmin e pashoq vetjak, atëherë kthehet në një motivim negativ, që i sjell veç të këqija shoqërisë në tërësi.

Kur e bën një veprim me kënaqësi dhe se të pëlqen e për këtë të shpërblejnë shumë mirë atëherë vihet në dyshim veprimi, nëse buronte nga vetë ai, apo nga se u vu shpërblimi - ky është një mbijustifikim, mbivendosje të karakterit dhe shprehje e dyzimit të personalitetit. Veprimet politike, veprimet në biznes, shpërthimet e bujshme ekonomike e mjaft dukuri të tjera e kanë me vete këtë pasojë. Thjesht se bëhen për t‘u dukur, nga dëshira për këtë gjë, nga egoja dhe qëndrimi i nganjëherë i paskrupullt e po ashtu i padenjë. Kjo më sjell ndërmend veprimin e atij plakut që rrinte te dritarja e ballkonit dhe shihte lojën e fëmijëve në oborr, të cilët shkaktonin një zhurmë sfilitëse. Në mbarim të lojës i ftoi në hyrje të banesës së tij dhe i shpërbleu me 50 lekë secilin. Të nesërmen pas lojës sërish i ftoi, por i shpërbleu me 40 lekë. Ditën tjetër me 30 lekë dhe më në fund i pyeti nëse do të luanin të nesërmen për dhjetë lekë shpërblim. Fëmijët kundërshtuan me forcë dhe nuk erdhën për të luajtur më aty. Çfarë ndryshimi motivesh! Fëmijët luanin për qejf të tyre dhe kujtuan se luanin për shpërblimin... Në jetë, në veprimtarinë shoqërore e politike ndodh shpeshherë pikërisht kështu.

Legjenda e Dukjes, Anastas Kostandini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›