E Diel, 1 Nëntor 2026

Krishtlindje në grevë urie

Greva e urisë së ish të përndjekurve politikë ka shënuar sot ditën e saj të 57-të. Për pothuajse dy muaj me radhë grevistët kanë kërkuar të drejtat e tyre. Ata duan të dëmshpërblehen për të gjitha vuajtjet që kanë kaluar dyerve të burgjeve, për shkak të diktaturës komuniste. Ish të burgosurit kërkojnë punësim, strehim e arsimim për fëmijët e tyre, të cilët kanë vuajtur mungesën e babait për shumë vite, por edhe pamundësinë ekonomike për t‘u shkolluar si bashkëmoshatarët e tyre. Grevistët thonë se plotësimi i këtyre kërkesave u takon dhe se shteti është i detyruar t‘ua plotësojë. E megjithatë, asnjë institucion shtetëror nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare në lidhje me këtë situatë, që sa vjen e rëndohet. Festat e fundvitit po afrojnë, por as kjo, sipas tyre, nuk e ka prekur aspak ndërgjegjen e pushtetarëve. Ata janë të vendosur të vazhdojnë të protestojnë. Nesër në të gdhirë të gjithë besimtarët e krishterë do të festojnë Krishtlindjet. Grevistët po ashtu do ta festojnë drekën e kësaj feste duke mos ngrënë. Ish të përndjekurit janë ende duke pritur që qeveria shqiptare të mbajë fjalën dhe t‘i dëmshpërblejë ata, në të kundërt ata thonë se Vitin e Ri 2010 do e presin në grevë urie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›