Nis fluksi i emigrantëve, masa për përballimin e situatës
Nis fluksi i emigrantëve që kthehen në atdhe për festat e fundvitit. Në sportelet e Pikës Kufitare të Kapshticës, gjatë 24 orëve të kaluara janë regjistruar të paktën 7000 shtetas me 1870 mjete, duke dyfishuar kështu fluksin e lëvizjeve në këtë pikë kufitare krahasuar me një ditë më parë. Fluksi i madh i emigrantëve ka çuar në shtimin e sporteleve deri në 5 të tilla për të përballuar lëvizjet në hyrje, ndërkohë që për të disiplinuar mjetet e shumta në territorin doganor janë krijuar tri radhë, për të mos shkaktuar kaos pranë sporteleve. Emigrantët që vijnë për festat thonë se këtë vit nuk ka pasur vonesa të shumta, megjithatë fluksi i menjëhershëm dhe dyndja në të njëjtën kohë ka bërë që ata të presin për të paktën një orë në territor doganor. Sipas të dhënave nga Pika e Kalimit Kufitar të Kapshticës pritet që në ditët në vijim të ketë një shtim edhe më të madh të lëvizjeve ndërkufitare dhe për këtë arsye janë marrë masa për të hapur deri në shtatë sportele për të përballuar situatën në hyrje të territorit vendas. Dita e mërkurë ka shënuar edhe pikun e regjistrimeve në hyrje para festës së Krishtlindjeve.
Ju.Dh.