Deti i trazuar vonon tragetet
Moti i keq ka shkaktuar probleme në Portin e Vlorës. Linja e tragetit të linjës në mëngjes ka arritur në orar, ndërsa ai i pasdites është detyruar të qëndrojë në pritje të ankorimit për mbi dy orë. Dallgët e forta dhe era kanë penguar që trageti i linjës me Brindizin të ankorohet në port, deti 6-7 ballë nuk e ka lejuar të përfundojë manovrën.
Trageti ka qëndruar në radë në pritje të urdhrit të Kapitanerisë për mundësi ankorimi dhe zbarkimin e pasagjerëve që ndodheshin në bord. Shefi i Kapitanerisë së Portit të Vlorës, Anastas Goga, ka paralajmëruar se moti i keq dhe deti i trazuar do të vijojnë edhe gjatë 24-orëve në vazhdim, gjithsesi sipas tij problem nuk është vonesa e trageteve, por siguria e pasagjerëve dhe automjeteve që udhëtojnë me to.
Mi.Ma.