Genti Xholi, për Apelin lë kryeprokurorin e Tiranës
Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Genti Xholi, i ka paraqitur kryeprokurores Ina Rama dorëheqjen nga posti, me shpresë për një transferim në Prokurorinë e Apelit Tiranë. Disa ditë më parë, Xholi kishte shfaqur interes për transferimin nga Prokuroria e Tiranës për në Apel, ndërsa kishte paraqitur kandidaturën e tij në këshillin e akuzës qendrore. Mësohet se kandidimi është realizuar me pëlqimin e Xholit, ndërsa në këshill kanë pretenduar të njëjtin post edhe disa prokurorë të tjerë në Tiranë, vartës të Genti Xholit. Kryeprokurorja Ina Rama e prezantoi në fund të janarit të vitit 2008 Genti Xholin si kreun e ri të Prokurorisë së Tiranës dhe bashkë me të edhe zëvendësprokurorët e këtij institucioni. Xholi zëvendësoi në këtë detyrë ish-prokurorin e rrethit, Vexhi Muçmata, i cili kaloi prokuror i thjeshtë. Genti Xholi më parë kishte kryer detyrën e prokurorit pranë zyrës së Task Forcës. Xholi ka qenë prokurori që kreu hetimet për ish-zëvendësministrin Nikolin Jaka, mashtruesen e dyshuar Albana Laze dhe tatimorët, të cilët gjobisnin bizneset.
Votimi është realizuar dy ditë më parë, në Këshillin e Akuzës qendrore dhe drejtuesi aktual i akuzës së kryeqytetit ka marrë katër vota. Në garë kanë qenë edhe zv.drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Marjeta Zaimi, e cila ka marrë një votë dhe prokuroret Liljana Gjomema dhe Rovena Gashi, të cilat nuk kanë marrë vota në mbledhjen e këshillit.
Sipas procedurave, dy kandidaturat që kanë marrë vota, pra Xholi dhe Zaimi, i janë dërguar për pëlqim kryeprokurores Ina Rama, e cila do të vendosë që njërin prej të dyve t’ia paraqesë për dekretim Presidentit të Republikës.
është Presidenti që vendos për transferimin e prokurorëve nga njëra prokurori në tjetrën, ndërsa mësohet nga burime se kryeprokurorja Ina Rama do të dërgojë për dekretim kandidaturën e Genti Xholit, i emëruar në krye të Prokurorisë së Tiranës dy vite më parë, menjëherë sapo Rama mori postin e numrit një të akuzës në Shqipëri.
Burime nga Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme thanë se sipas të gjitha gjasave, drejtuesi aktual i Prokurorisë së Tiranës do të dekretohet nga Topi për në apel, ndërsa këshilli do të hapë sërish një “garë” për emërimin e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës. Të interesuarit mund të paraqesin kandidaturat dhe më vonë ata që do të marrin votë do të dërgohen për pëlqim te kryeprokurorja Ina Rama. Në akuzën e kryeqytetit ka zëra se pas lëvizjes së mundshme të Xholit për në Prokurorinë e Apelit të Tiranës, do të jetë prokurorja Marjeta Zaimi si kandidatja e mundshme për këtë post. Zaimi ka marrë vetëm një votë për në Apel dhe mund të pasojë Xholin si drejtuese e akuzës së Tiranës. Megjithatë, të gjitha janë hamendësime, teksa do të pritet një vendimmarrje e kryeprokurores Ina Rama.
Ndërkohë, Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme i ka propozuar kryeprokurores Ina Rama edhe plotësimin e një vendi vakant për prokuror në Tropojë. Në garë kanë qenë oficeri i policisë gjyqësore në Shkodër, Simon Pashuku, dhe oficeri i policisë gjyqësore në Tropojë, Admir Strunza. Nga votimi i këshillit ka rezultuar se Pashuku ka marrë katër vota dhe Strunza ka marrë një votë.
#