E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Geopathies”, pesë shqiptarë në Venecia

01/06/2011  Këtë herë bienalja më e madhe e artit pamor në Venecia ka vendosur të fokusohet tek “Ilumination”. Nën këtë titull ngjarja e madhe artistike e artit bashkëkohor, e cila do të çelet më 4 qershor shënon edicionin e saj të 54-ët. Pavijoni shqiptar është i pranishëm në këtë ngjarje me temën “Geopathies”. Pavijoni drejtohet nga kuratori italian Riçardo Caldura dhe komisionieri shqiptar, Parid Teferiçi. “Geopathies” synon të evidentojë raportin mes veprës së artit dhe kontekstit gjeografik, historik dhe shoqëror dhe do të përcillet përmes punëve të 5 artistëve shqiptarë: Anila Rubiku, Orion Shima, Gentian Shkurti, Eltjon Valle dhe Driand Zeneli. Bienalja e Venecias do të qëndrojë e hapur deri më 27 nëntor të këtij viti.

Demokracia e Gentian Shkurtit

Artisti bën një sondazh për ngjyrën e preferuar dhe puna e tij mund të duket paksa provokative mes kësaj situate të ndezur politike, kur të tërë janë të fokusuar tek numërimi i votave. Gentian Shkurti e ndërton punën e tij pikërisht mbi një sondazh. Projekti i tij i titulluar “Pikturë demokratike” përbëhet nga dy punë, një video dhe një pikturë. Me të ai synon krijimin e një pikture që ka në bazë shijet e publikut. Për këtë ka zhvilluar një sondazh me mbi 100 persona tërësisht të rastësishëm, të moshave, gjinive, kategorive të ndryshme, të cilëve u është vënë përpara një spektër ngjyrash dhe u është kërkuar të zgjedhin ngjyrën e tyre të preferuar. Në fund, në bazë të rezultatit me përqindjet e ngjyrave të zgjedhura, është krijuar një pikturë. Për të respektuar preferencat e njerëzve pjesëmarrës në sondazh, sipërfaqja e tablosë është ndarë në kuadrate simetrike dhe ngjyrat janë shpërndarë me një saktësi matematikore.

Orion Shima për artin në vetvete

Shima prezantohet me një seri prej tre pikturash, në një dimension të madh. Këto punë ai i ka zgjedhur mes disa punëve, ndërsa po punonte për dy ide paralelisht. Njëra prej tyre ka të bëjë me “artin që nuk thotë asgjë, apo artin në vetvete”, të paturbulluar nga problematika e të përditshmes. Një krijim me nota ëndërrimtare, i cili e merr nxitjen nga natyra dhe ka për personazh drerin. Ndërkaq, seria tjetër është një bërie dhe zhbërie imazhesh, si dhe një reflektim i raportit të njeriut me natyrën, nxitja që ai merr prej saj dhe interpretimi në mënyrë individuale. Për artistin janë vepra pa ndikime sociale. Ai e sheh artin të shkëputur nga rrethanat e jashtme sociale dhe politike, por e emocionin dhe fokusohet më tepër te arti individual dhe shpirtëror.

Eltjon Valle, projekt për Marinzën

Më tepër se sa i interesuar në vetvete dhe procesin krijues, atë e shqetëson një problem më i gjerë, jo dhe aq artistik në kuptimin e parë: ndotja. “Island - The Marinz Project” është puna e Eltjon Valles, i cili është ndalur në një nga zonat më të njohura naftënxjerrëse në Shqipëri, në Marinëz, ku ndotja e ambientit është tepër e madhe: me peizazhe të nxira nga nafta dhe fusha ku bimët mbijnë thuajse të ngjyrosura në të zezë. Valle, i lindur po ashtu në një qytet naftënxjerrës, në Kuçovë, sjell dëshmi objekte të jetës së përditshme në këtë zonë, të flakura e të zhytura në llum. I fokusuar prej vitesh në këtë temë, vetëm tre vjet më parë Valle ekspozoi në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën e tij “Marinza”.

Hëna e Driant Zenelit

Projektin e tij e ka realizuar posaçërisht për bienalen e Venecias. Driant Zeneli ndodhej në një udhëtim me tren, kur mori telefonatën nga Riçardo Caldura, i cili e ftoi të ishte pjesë e projektit për pavijonin shqiptar. Ishte 19 mars 2011 dhe Hëna ishte më afër Tokës se ndonjëherë në 18 vitet e fundit dhe Zeneli donte ta prekte atë. Më 20 mars 2011 arriti të realizojë projektin duke u hedhur nga një lartësi më shumë se 50 metra me litar drejt reflektimit të hënës në liqenin artificial “Castelfranco Veneto”.

Fitues i çmimit ndërkombëtar “Onufri” në vitin 2008, Zeneli është një prej artistëve të talentuar të artit bashkëkohor që jeton në Itali.

Anila Rubiku, kapelet e qëndisura shqiptare

Prej vitesh jeton në Milano, por artistja Anila Rubiku është një prej atyre artisteve që udhëton anembanë botës. Ndaj edhe mëson shumë nga lëvizja, ndryshimet. Qenia e huaj në vende të ndryshme i ka mësuar edhe të dojë diferencat e mbi këtë koncept mbështet edhe projektin e saj të ri me të cilin do të paraqitet në bienalen e Venecias. E titulluar “Other countries. Other citizenships”, puna e Rubikut është realizuar në një komunitet shqiptar dhe bazohet në “Loving difference”. Është një instalacion kompleks, frymëzuar dhe ngritur nga një numër kapelesh burri të qëndisura e zbukuruara me dorë nga shumë njerëz të përfshirë në krijimin e punës. Artistja, e cila jeton mes Italisë, Francës dhe Shqipërisë habitet me atë çfarë mbetet nga vendi i fillimit, në dimensionin e mërgimit dhe përplasjes me të tjera kultura dhe të tjerë njerëz.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›