E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndotja te Shkëmbi i Kavajës, sivjet asnjë pushues

01/06/2011  Dështon Agjencia rajonale Mjedisit, ujërat e zeza derdhen në det. Tubacionet mbi sipërfaqe

DURRES- Bregdeti tek Shkëmbi Kavajës pritet të mos ketë fare pushues për shkak të derdhjes në rërë e që andej në det të ujërave të zeza të apartamenteve, lokaleve, hoteleve dhe bizneseve të tjera. Një ditë më parë Agjencia rajonale e Mjedisit dhe prefektura e Durrësit së bashku me krerë të komunës Rrashbull kanë inspektuar zonën për të krijuar “një ide” lidhur me këtë ndotje që është ndër më shqetësueset.

Ujërat e zeza

Në verën e vitit të kaluar bizneset e hotelet bënë si bënë dhe mbuluan si mundën tubacionet që derdhnin ujërat e zeza në det, ndërsa tani tubat kanë dalë në sipërfaqe dhe uji i zi përshkon rërën për të shkumëzuar dallgët e detit. Kryetari i agjencisë Ramazan Kalija dhe prefekti Durrësit Genci Alizoti sapo janë njohur me gjendjen kanë zgjedhur të tërhiqen duke iu shmangur çdo ballafaqimi me ato biznese që ndotin detin dhe shkatërrojnë imazhin e turizmit në vijën bregdetare Ura Dajlanit-Plepa-Shkëmbi Kavajës-Golem. E tërë kjo vijë bregdetare vuan seriozisht për higjienë ngase fekalet derdhen në det. Janë dhjetëra e dhjetëra tuba nën rërë që shkarkojnë në orët e pas mesit të natës ujërat e zeza në det duke ndotur pa masë mjedisin, si dhe duke shkaktuar probleme shëndetësore për pushuesit. Në këtë vijë bregdetare, nga Plepat deri në Golem janë dy pika mjaft të rrezikshme që derdhin ujërat e zeza në det. E para gjendet pranë një moli prej druri i kthyer në lokal në buzë të detit, ndërsa pika e dytë është kanali i ujerave të zeza në zonën ku plazhi ndahet nga kompleksi i rezidencës së pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes. Këtu derdhen ujërat e zeza të të gjitha pallateve, lokaleve, hoteleve e restoranteve të ndërtuara në të gjitha gjatësinë e kanalit. Një pjesë e këtyre objekteve nuk kanë gropa septike, kurse të tjerat pasi mbushen këto gropa shkarkojnë ujërat në kanal. Në vendin kur dikur kanë qenë vendosur trupat e NATO-s dhe që shërben për pushime të punonjësve e familjarëve të tyre të Ministrisë së Mbrojtjes është e pamundur të bëhet plazh. Edhe në anën tjetër, në atë të Rezidencës së Ministrisë së Brendshme që është disa metër në të djathtë të kanalit është e njëjta situatë. Komuna e Rrashbullit nuk ka pasur asnjëherë ndonjë nismë për t’i dhënë fund ndotjes së detit nga ky fenomen i njohur, ndërsa ARM si dhe prefektura vetëm sa kanë mbajtur shënime nga karriget e një lokali ku janë ulur së bashku me kryetarin e komunës Rrashbullit Hysen Gashi.

Sfidë ndaj institucioneve

Gjatë verës së shkuar, pikërisht në kohën kur sezoni turistik ishte në kulmin e vet, kjo agjenci ndërmori prishjen e lidhjeve të tubacioneve duke derdhur kështu në det ujërat e zeza të shumë hoteleve e lokaleve. Asokohe u fol se janë ndëshkuar edhe shumë biznese e njësi vendore mes tyre Bashkia e Durrësit, ndërmarrja komunale e Plazhit, komuna Golemit, hotele, pronarë anije, komuna Ishëm etj. Por realisht që nga koha e vendosjes së gjobave e deri më tani asgjë nuk ka lëvizur, përkundrazi Agjencia e Mjedisit, prefektura e komuna Rrashbull janë sfiduar nga pamjet e derdhjes në mes të ditës të ujërave të zeza në det. Për të mos mjaftuar kjo zona tek Shkëmbi i Kavajës është transformuar në një kantier ndërtimi tani në kohën që ka nisur edhe sezoni i verës. Në buzë të detit qindra e qindra m3 rërë është gërmuar për t’i lënë vend betonit për pallatet, hotelet e lokalet. ARM dhe prefektura së paku në këtë inspektim të tyrin janë ndier të pafuqishëm dhe kjo ka bërë që si kreu Agjencisë Mjedisit Ramazan Kalija edhe prefekti Genci Alizoti të kërkojnë nga punonjës të lokalit të largojnë kamerat e gazetarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›