E Diel, 1 Nëntor 2026

Kopjacët nuk do futen në provimet e tjera, humbasin edhe shkollën e lartë

01/06/2011  Sot testimi i parë i maturës, administruesit e provimit do të mbikëqyren nga Parlamenti Rinor

Ndryshe nga vitet e shkuara, masat penalizuese për nxënësit që do të klasifikohen kopjues në provimet e maturës së këtij viti do të jenë më të rrepta. Kjo pasi ata jo vetëm që do të rrezikojnë hyrjen në të gjitha provimet e maturës, nëse zihen duke marrë apo duke dhënë kopje gjatë testimit të parë të maturës, por kështu humbasin edhe të drejtën për të vijuar studimet e larta gjatë këtij viti. Këta nxënës do të duhet të qëndrojnë një vit në pritje, për t’u përfshirë sërish më pas në garën për marrjen e një të drejte studimi në universitete publike. Për të qetësuar maturantët, kreu i Ministrisë së Arsimit, Myqrem Tafaj ka deklaruar gatë ditës së djeshme se procesi i testimit do të jetë transparent dhe i rregullt, teksa ka theksuar se janë marrë të gjitha masat në bazë të rregullores, për të eliminuar të gjitha kopjet gjatë testimit të të rinjve. “Njëkohësisht, krahas grupeve të ngritura nga ekspertë e arsimit, këtë vit monitorimi i provimit të letërsisë do të bëhet edhe nga dhjetëra pёrfaqёsues tё Parlamentit Rinor, të cilët janë angazhuar për të vëzhguar procedurat e zhvillimit dhe administrimit tё provimit të parë të detyruar. Sipas përfaqësuesve së këtij parlamenti, qëllimi është tё identifikohet zbatimi i procedurave ligjore nga administratorët e procesit, si dhe të evidentohen nevojat për përmirësim. Kështu, të rinjtë u kanë kujtuar arsimtarëve qё do tё mbikëqyrin procesin masat ndëshkuese qё parashikon rregullorja e maturës shtetërore, si dhe masat qё janё ndërmarrë nё vitet e shkuara si ndaj mësuesve, edhe ndaj nxёnёsve qё kanё kopjuar.

Krahas testeve është hartuar edhe çelësi i përgjigjeve për të 25 pyetjet e plotësuara nga maturantët. Shpallja e këtij çelësi, që pritet të bëhet gjatë pasdites së sotme, do t’u vijë në ndihmë nxënësve për të krahasuar përgjigjet e dhëna me ato të saktat të përcaktuara nga ekspertët. Korrigjimi i testimeve këtë vit do të realizohet në 6 qendra, dhe për këtë janë përzgjedhur edhe ekipet e trefishta të vlerësimit, të cilat brenda dy ditëve të ardhshme do të nisin punën për korrigjimin e testeve. Sipas përcaktimeve të bëra në rregulloren e provimeve, dalja e përgjigjeve për notat e marra pritet të bëhet brenda 15 ditësh.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›