E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka: “Fushatat elektorale të PS-PD-së kanë pasur financime të dyshimta”



Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, i konsideron hipokrite përpjekjet e dy partive të mëdha, PS e PD, për të përmirësuar disa nga pikat kryesore të Kodit Zgjedhor. Lidhur me çështjen e votës së emigrantëve, Ceka tha se “një propozim i tillë është hipokrit dhe i pamundur, pasi sistemi proporcional rajonal që votuan dy partitë e mëdha nuk e mundëson realisht të drejtën e votimit të emigrantëve”. Përsa i përket çështjes së financimit të fushatave elektorale, presidenti i PAD-së tha: “Propozimet e dy partive të mëdha për çështjen e financimit të fushatave elektorale nuk do të sjellin asnjë përmirësim konkret përsa i përket transparencës në këtë drejtim. Nëse ka parti që kanë probleme lidhur me transparencën e financimeve, ato janë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike”, - u shpreh Ceka për gazetën “Albania”. Ai komentoi edhe krijimin e grupeve të punës nga ana e partive, të cilat do të merren me propozimet për përmirësimin e kodit të ri zgjedhor. “Janë të jashtëligjshme dhe janë krijuar enkas për të shmangur Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore”, - tha Ceka.

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›