E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërboviç parashikon një super-sezon

Shkumbini/ Sulmuesi boshnjak, entuziast për prezantimin e peqinasve

Sulmuesi boshnjak Altin Gërbovic beson se sezoni i ardhshëm do të jetë i mbushur me arritje për Shkumbinin. Lojtari gjatë miqësoreve që kanë zhvilluar peqinasit po tregon se ka një nuhatje të mirë për të shënuar në portën e kundërshtarit. Pavarësisht se në dy takimet e para tekniku Josa e ka aktivizuar boshnjakun gjatë 45 minutave të dyta, kjo nuk e ka penguar Gërboviçin që të tregojë vlerat e tij teksa ka shënuar edhe dy gola ndaj Leseces dhe Vardanskit, duke qenë një pretendent serioz për formacionin bazë. I pyetur në lidhje me ecurinë e skuadrës në këtë përgatitore, futbollisti shprehet: “Po kryejmë nga dy seanca stërvitore në ditë dhe në miqësoret e luajtura kemi arritur vetëm rezultate pozitive. Futbollistët po fitojnë formën e tyre më të mirë, çka do të thotë që edhe konkurrenca në skuadër pritet të jetë më e madhe me kalimin e kohës. “Boshnjaku tregon edhe përshtypjet e tij gjatë fazës përgatitore. “Ajo që të bën përshtypje në ekip është fakti se të gjithë mundohen të japin maksimumin e tyre, qoftë gjatë seancave stërvitore, po ashtu edhe në takimet miqësore, duke treguar një seriozitet të madh. Besoj se ky do të jetë një sezon ku Shkumbini do të jetë padyshim një prej protagonistëve kryesor në kampionat. Klubi ka arritur që të afrojë në skuadër disa lojtarë vërtet cilësorë, prezenca e të cilëve pritet që ta ndihmojë Shkumbinin për të realizuar objektivat madhorë. Personalisht shpresoj që të shënoj sa më shumë gola, pasi është edhe ëndrra ime që me Shkumbinin të luaj në kupat evropiane”, - përfundoi lojtari. Fatmir Ahmeti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›