Nica i kritikon të gjithë, por gjen edhe alibi
Duket më shumë se e vështirë për Laçin e këtij sezoni konkurrimi në Kategorinë Superiore. Grupi i ri, i afruar pas largimit të shumë lojtarëve cilësorë, ka bërë një paraqitje vërtet zhgënjyese ne testin e së mërkurës ndaj Besës. Lojtarët e hedhur në fushë nga trajneri Stavri Nica, edhe pse vijnë pas ngarkesave maksimale, nuk kanë bërë asgjë për të dhënë imazhin se meritojnë formacionin. Humbja 4-0 vë përpara kritikave pikërisht lojtarët e afruar në këtë pragsezoni tek Laçi. Por, edhe pse ka ndodhur kështu, në klubin bardhezi shprehen se grupi premton. Në fakt, Nica fillimisht i ka kritikuar të tijtë në analizën paraprake, duke iu drejtuar futbollistëve se kualitetet e tyre janë vënë në pikëpyetje pas këtij prezantimi. Sidoqoftë, në komunikimin për mediat, trajneri u mundua të ruajë qetësinë dhe ekuilibrin. “Në fushën e lojës është shfaqur një skuadër jo shumë bindëse dhe luftarake, por mos harroni se ne jemi në kulmin e përgatitjeve. Disa prej futbollistëve dolën nga detyrat taktike, për më tepër që fazat konfuze na u shfaqën edhe në repartin tonë më të konsoliduar, siç është mbrojtja. Në testin e ardhshëm shpresojmë që të jemi disi më të çliruar. Sfidat miqësore, deri në garat zyrtare, do të jenë prezente. Ato do të na ndihmojnë tepër në konsolidimin e grupit, që pritet të përfaqësojë Laçin në sezonin e ri”, - është shprehu kreu i pankinës bardhezi.
Merkato - Nga Mavrova vijnë informacione se edhe tre futbollistët serbë, që ishin në provë, nuk kanë bindur. Ata u aktivizuan edhe në miqësoren kundër Besës, por gjithsesi stafi teknik i bardhezinjve i ka ngelur në “klasë”. Kështu, laçianët duket se mbeten në vendnumëro përsa i përket merkatos. Paraqitja jo e mirë e portierëve aktualë dhe mungesa e një sulmuesi të mirëfilltë, konsiderohen si pikat më të nxehta të kontingjentit aktual. Laçi do të qëndrojë në shtetin maqedonas deri fundjavën e ardhshme, pas së cilës do të udhëtojë për në Laç, aty ku bardhezinjtë parashikohet t’i përkushtohen taktikës dhe uljes së ngarkesave. Ardi Hasani