E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, dialogu i Uidhers me banorët: Zona, e rrezikshme

Amerikanët e cilësojnë ende rrezik zonën e Gërdecit. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga ana e ekspertëve amerikanë që po vëzhgojnë zonën. 

BLEDAR HOTI

Rreth 20 javë pas shpërthimit tronditës, ambasadori amerikan Xhon Uidhers, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa, bënë një vizitë në zonën e Gërdecit, për t’u njohur nga afër me punën që po kryhet për kthimin e zonës në normalitet. Ndërsa amerikanët shprehen se zona është me rrezikshmëri akoma, pala shqiptare cilëson të kundërtën. “Mendimi im është që kjo zonë nuk është bërë e sigurt ende. Mendoj që po ndërtoni tepër pranë materialeve që janë ende shumë të rrezikshme”, deklaroi Uidhers gjatë një bashkëbisedimi me banorët e zonës së Gërdecit. Ambasadori amerikan ka shmangur ndërkohë vlerësimet në lidhje me qëndrimet e fundit të realizuara nga ana e diplomatëve amerikanë mbi vendimet që po ndërmerr qeveria shqiptare në raport me institucionet e pavarura kushtetuese. Gjithashtu, Uidhers nuk është ndalur për të dhënë sqarime të mëtejshme mbi ngjarjen e Gërdecit, duke u shprehur se i qëndron deklaratave të tija të mëparshme. “Po punojmë shumë për të gjetur drejtësi për ju. Dhe do të punojmë me ministrin, me të gjithë”, iu drejtua ambasadori një banori që po ndërtonte në Gërdec. Ndërsa Uidhers ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për pastrimin e zonës. “Dëshiroj të falënderoj ministrin Oketa dhe stafin e tij. Ai është një njeri shumë i ndërgjegjshëm dhe i përkushtuar, të cilin e kam njohur dhe përkushtimi i të cilit për të siguruar pastrimin dhe sigurimin e zonës përbën një ndihmë shumë të madhe për arritjen e këtij synimi. Mendoj që bashkëpunimi ynë në fund do ta arrijë objektivin që të dy duam të arrijmë”, deklaroi Uidhers. Sipas tij, ka ende një masë të stërmadhe pune për t’u bërë. “Nëse nuk gaboj, megjithëse këto palete janë mbushur nga Armor Group, nuk kemi qenë në gjendje t’i zhvendosim ato drejt një pike që përmbush standardet e duhura të NATO-s, ku të mund të ndodhë pastrimi dhe në fund çmilitarizimi i këtyre armëve. Mendoj që kjo është një çështje sa e rëndësishme aq edhe urgjente që të ecim përpara në mënyrë eficiente dhe me sa më shumë shpejtësi që të mundemi për t’i ndërmarrë këto hapa të tjera të nevojshme”, deklaroi ambasadori amerikan. Ndërsa përplasja për sigurinë e zonës së Gërdecit duket se është bërë e qartë dhe në këtë takim, ku ekspertët shqiptarë dhe amerikanë kanë pasur qëndrime të ndryshme. Faik Skopeci ka deklaruar se “janë mbledhur në paleta 10.660 municione të mbetura”. Ndërsa eksperti amerikan Jon Napolitano e ka kontestuar ekspertin shqiptar, duke deklaruar se “kjo zonë nuk është ende e sigurt, pasi materialet janë ende të rrezikshme”.

biseda me banoret

Bashkëbisedimi me familjen Zguri, e cila po rindërton shtëpinë e re 130 metra larg kraterit ku ndodhi shpërthimi.

Ambasadori Uidhers: Mirëdita, si quheni?
Banori: Unë Murat. Kjo është nëna ime Lume.
Ambasadori Uidhers: Është kënaqësi të takohem me ju.
Banori: Faleminderit. Edhe për ne.
Ambasadori Uidhers: Burrat atje lart janë pjesë e familjes?
Banori: Janë punëtorë që ndërtojnë shtëpinë.
Ambasadori Uidhers: Tani jetoni tek kjo tendë?
Banori: Po, unë dhe im shoq jetojmë këtu. Fëmijët janë me qira.
Ambasadori Uidhers: Keni pasur shtëpinë këtu ku po ndërtoni apo është e re?
Banori: Këtu e kemi pasur. U rrafshua krejt. E filluam nga fillimi. Ishim këtu me fëmijët, por Zoti bëri mrekulli.
Ambasadori Uidhers: Askush nga ju nuk u lëndua?
Banori: Të gjithë u plagosëm, unë, dy mbesat, nipi, dy nuset. Vajza e motrës vdiq. Edhe kushëriri dhe e shoqja. Edhe një komshi këtu. Të gjithë këta u vranë.
Ambasadori Uidhers: Dëshiroj t’ju përcjell ngushëllimet e mia. Më vjen shumë keq për humbjen tuaj. Mendoni është e sigurt që jeni kthyer dhe po ndërtoni këtu?
Banori: Vetëm ju mund të na jepni siguri.
Ambasadori Uidhers: Për fat të keq, unë nuk mund të siguroj sigurinë tuaj.
Banori: E duam nga ju, për fëmijët. Fëmijët janë me qira tani, por duam të kthehen e të jenë të sigurt. Kryetari i Bashkisë është treguar shumë i mirë me ne.
Ambasadori Uidhers: Mund t’ju jap vetëm mendimin tim, por mendimi im është që kjo zonë nuk është bërë e sigurt ende. Mendoj që po ndërtoni tepër pranë materialesh që janë ende shumë të rrezikshme.
Banori: Pyetëm, por na thanë që të vazhdojmë ndërtimin.
Ambasadori Uidhers: Kush jua tha këtë?
Banori: Epo, ata që vijnë këtu, gazetarët, televizori, s’e di.
Banori tjetër: Njerëzit në pushtet e kanë thënë. Gjeneralët ushtarakë e kanë thënë. U rrafshuam krejt dhe tani duam siguri.
Ambasadori Uidhers: Gjithçka mund t’ju them është që është tepër herët për të rindërtuar këtu. Por ky është vetëm mendimi im. Duhet të pyesni njerëzit që janë më ekspertë se sa unë.
Gazetare: Z. Ambasador, kur flisni mbi rreziqe, e keni fjalën për rreziqe mjedisore apo shpërthime?
Ambasadori Uidhers: U jam përgjigjur shumë pyetjeve tuaja, por tani kam unë një për ju. Zonja këtu dhe familja e saj sapo thanë në mënyrë shumë specifike që media nuk ka përcjellë informacion të saktë. Mendoj është shumë e rëndësishme që media të arrijë tek faktet dhe t’u japin njerëzve si ajo dhe familja e saj, që tani rindërtojnë jetët e tyre, informacionin e duhur. Kjo është përgjegjësi për të gjithë ju.
Banori: A do gjej ndonjëherë drejtësi? Babai m’u dogj këtu. Nuk ka pension. Nuk ka mbështetje.
Ambasadori Uidhers: Ndiej dhimbje të thellë që dëgjoj për humbjet tuaja. Pyetët nëse do të ketë ndonjëherë drejtësi. Po punojmë shumë për të gjetur drejtësi për ju. Dhe, do të punojmë me ministrin, me të gjithë… Më vjen shumë keq.
Banori: Nuk kam nevojë për para, për asgjë. Dua vetëm drejtësi.

Oketa, dialog me banorët: Siguria në Gërdec primare

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, deklaroi dje se do të bëhet e pamundur për të realizuar sigurinë e zonës së Gërdecit për banorët që do të ndërtojnë sërish shtëpitë e tyre. Këtu po punohet dhe ne si Ministri e Mbrojtjes jemi të vendosur që puna të vazhdojë duke zbatuar me rreptësi masat e sigurimit teknik dhe për t’u garantuar jetën banorëve të zonës”, deklaroi Oketa.  Ministri i Mbrojtjes, Oketa dhe ambasadori Uidhers panë nga afër zonën e dëmtuar dhe u takuan me banorë të fshatit Gërdec, me të cilët bashkëbiseduan për problemet që kishin ata, si për ndërtimin e shtëpive të dëmtuara, për pastrimin e zonës përreth dhe rikthimin në normalitet të plotë të jetës së tyre. Oketa theksoi se, në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes ka ndjekur dhe ndjek me kujdes të vazhdueshëm tërë veprimtarinë që kryejnë forcat e ushtrisë për pastrimin dhe kthimin në normalitet të kësaj zone.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›